I ftuar në emisionin e mëngjesit “KAFE SHQETO” në SYRI TV, me moderatorin Flavio Qarri, avokati Altin Goxhaj bëri një sërë deklaratash mbi SPAK-un, situatën politike në vend, protestat qytetare dhe zhvillimet që lidhen me projektin e investimit në Zvërnec.
Goxhaj u shpreh se protesta kundër qeverisë nuk i përket një grupi apo force të caktuar politike, por është një lëvizje që duhet të bashkojë qytetarë me bindje të ndryshme. Avokati e cilësoi lëvizjen aktuale si “protestën e parë të unitetit kombëtar”, duke argumentuar se ajo ka karakter patriotik dhe bashkon kategori të ndryshme të shoqërisë shqiptare.
Në vijim, ai komentoi edhe ndikimin e fondacionit të George Soros dhe raportet mes figurave politike ndërkombëtare, duke u shprehur se kryeministri Edi Rama është shndërruar në një kosto politike për aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë.
Sipas Goxhajt, imazhet dhe debatet e krijuara në rrjetet sociale lidhur me Zvërnecin kanë ndikuar në rritjen e pakënaqësisë qytetare dhe në mobilizimin e protestuesve.
Ai paralajmëroi gjithashtu një përshkallëzim të aksioneve qytetare më 2 korrik, datë për të cilën tha se pritet pjesëmarrje e gjerë, përfshirë edhe shqiptarë nga diaspora.
“Deri më 1 korrik do të ketë protesta qytetare të organizuara. Në 2 korrik do të vijë e gjithë diaspora. Do të krijohet ajo që ne e quajmë ‘Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kryeministri’”, deklaroi ai.
Goxhaj:
SPAK-u ka për detyrë të bëjë prioritet detyrat e administratës amerikane pasi nuk është një institucion që varet nga Shqipëria, por varet direkt nga Departamenti i Shtetit. Është përdorur nga Departamenti i Shtetit si instrument në Shqipëri dhe do vazhdojë të përdoret. Pasi këta njerëz që janë në SPAK e dinë që e vetmja mënyrë për të ruajtur kokën e vetes dhe të familjeve, është të kenë garanci të azilit në Amerikë. Kështu funksionon. Nuk kanë ku e ruajnë për shkak dhe të luftës me bandat, është prioritet amerikan.
SPAK-u dha mesazhin e parë familjes Kushner, që po krijon një kosto shumë të lartë se është shumë pisllëk brenda. Dhe ishte goditja e parë me bllokim llogarish apo jo? Që u bë çbllokimi dhe u bë një bllokim tjetër. Më pas ka ndodhur goditja e dytë që është akoma dhe më e rëndë, që ka të bëjë pikërisht me arrestimet, që nga Amerika, me Arubën, e deri në Greqi, që u bënë dy personazhe. Që do të thotë me fjalë të tjera, ne kemi një mesazh që po i jepet drejtpërdrejt familjes Kushner, që duhet të tërhiqeni nga kjo gjë se prapë do dalin dhe gjëra më të rënda në këtë histori. Pasi po dëmtohet shumë reputacioni. Pasi intervista e Ivanka Trump ka bërë një dëm të paparë familjes Trump kudo në gjithë botën. Për mënyrën se si ajo shpjegoi si "princesha e babit" që gjeti një ishull. Dhe kjo ka krijuar një revoltë, por dhe një gallatë të madhe në rrjetet sociale ndërkombëtare.
Kjo është e para protestë që jemi të gjithë, e po nuk qemë të gjithë nuk e bëjmë dot. Duhet të jenë dhe homoseksualët dhe konservatorët. Kjo nuk është protesta e Arlind Qorit, kam thënë. Kjo është protesta e të gjithëve. Kam dalë në fotografi edhe me kundërshtarët e mi. Dhe kam thënë: në këtë protestë, po mungoi njëri nga ne, nuk e bëjmë dot.
Pse të thashë unë nuk ndihet më Arlind Qori, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj? As unë s'ndihem më. Nuk ndihemi asnjëri se nuk është e jona. Është e gjithë shqiptarëve.
E dyta, është e para protestë e unitetit kombëtar. Pasi është protestë patriotike, nuk është më ajo faza e projektit Rama që t'i thoshte Trump-it: "Shih se të mbroj unë ty". Rama sot çdo ditë prodhon kosto për Amerikën, por dhe për Izraelin.
Rama sot është bërë një kosto kaq e lartë për të gjitha palët, sa në këtë moment ne kemi parimin, më falni për shprehjen se jeni dhe zonjë dhe po na ndjekin njerëz, po unë kam parimin e asaj gjësë që bëhet në banjo dhe duhet cifoni që ta pastrojë.
Rama po qelb gjithë dynjanë! Dhe ne po i ndërtojmë një kosto pasi duhet të kujtojmë kush jemi. Ne jemi republikë e themeluar nga ambasadorët në 1913-ën, edhe si shtet dikur, edhe sot. Dhe një vend që është krijuar si koloni nga ambasadorët, e ka të pamundur 100% t'i marrë vetë vendimet.
Por në këtë moment po ndërtohet për herë të parë sovranitet. Në këtë shesh. Por ne e dimë shumë mirë sa delirantë të jemi me sovranitetin, ne e dimë që duhet dhe një çikë faktor shumë i fortë ndërkombëtar.
Unë po shpjegoj që Sorosi ka humbur një nga betejat më të mëdhaja të jetës së vet këtë herë. Sepse është bërë shkaku në Izrael dhe në mediat ndërkombëtare, që po konsiderohet si një shkak që prodhoi një antisemitizëm sipas përkufizimeve të tyre. Dhe ambasada e Izraelit po konstaton çdo ditë që në Shqipëri po rritet ajo që ata e quajnë antisemitizëm. Koncepti është që në këtë moment Rama po bëhet shkak...
Tani, në këtë moment që familja Kushner ikën, Rama ngelet vetë. Tani, ku është sekreti i gjithë kësaj historie?
Është e vërtetë që Soros dhe Trump duken si dy pole të kundërta në raport me rastin Rama. Në fakt ka qenë një kurth krejt tjetër. Rama do përdorte Arlind Qorin dhe komunistët, homoseksualët dhe LGBT-të, do përdorte ambjentalistët njësoj si në Amerikë përdorën kundër Trump-it, si mbrojtësi i madh i familjes Trump në Shqipëri që përballet me sorosistët. Ky është një operacion i Sorosit. Dhe unë ndërtova filozofinë që: do protestonin këta.
Harruan një gjë: një fotografi me inteligjencë artificiale e cila tregonte kufirin e Zvërnecit në Vlorë me flamurin izraelit, krijoi një viralitet që është matur në rrjetet sociale 12 milionë shikime. E cila prodhoi një bindje, pra një gjë e rreme prodhoi një bindje mbi një të vërtetë që ne kishim vite që e thoshim: Shqipëria po kolonizohet. Dhe kur ata e panë me sy mënyrën se si u rrëmbye ai det, që ishte tipike si në Gaza, me ato telat me gjemba, se ato telat nuk lejohen me konventa ndërkombëtare, nuk lejohen në punime civile tela ushtarakë.
Ato janë tela ushtarakë, ato të vrasin. Në punime civile përdoret një lloj teli tjetër, që është ai klasiku që kemi parë, që shmanget për të mos u dëmtuar. Ai nuk shmanget, po e preke të copëtove me atë lloj teli.
Në atë moment shqiptarët panë që vendi i tyre nuk ishte më i tyre, dhe ata duhet të iknin, ose të luftonin. Kjo prodhoi atë revoltë kaq të madhe sa solli një prishje të gjithë kurthit të Ramës që ishte që do dilte avokati i madh i familjes Trump përballë sorosistëve.
Unë po them ditën e parë të protestës unë kam pasur parulla, dhe shumë të tjerë kishin parulla që e takonin Izraelin. Dhe lipsej e mençur. Se ne e kemi kuptuar. Në momentin që vjen Reuters-i këtu, ne jemi aq inteligjentë sa e kuptojmë që ne duhet të heqim dorë nga këto gjëra që Reuters-i të vazhdojë të japë protestën.
Në 2 korrik ne do ikim do marrim gjithë valixhet, do ikim në një ambasadë. E di si quhet ambasada? Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kryeministri. 2 korrik! Deri në 1 korrik ka për të qenë punë e organizuar me protesta qytetare e të tjera. Në 2 korrik nuk ka më punë asnjë grup organizimi, do ta shohësh.
Në 2 korrik do vijë e gjithë diaspora. Do vijnë shqiptaro-amerikanët të festojnë 4 korrikun në Shqipëri. Po do krijojnë njëherë atë ambasadën e Shqipërisë në Kryeministri. Se jemi të gjithë popull refugjatësh. Dhe njerëzit e kanë kuptuar që Rama mund të na lërë dhe katër-pesë muaj rrugëve, derisa të lodhemi. E kemi parë Vuçiçin apo jo? Pse fiton Vuçiçi? Sepse bota kishte frikë nga patriotët serbë se do bënin luftë në Ballkan.
Po bota nuk ka frikë nga patriotët shqiptarë se ne nuk do bëjmë luftë në Ballkan. Dhe e fundit gjë, do ju kujtoja, mos e harroni një moment që është shumë i rëndësishëm këtë ditë. Shqipëria sapo ka marrë emërimin e një ambasadori të ri amerikan. Është sot në Senat. Ky njeri, ky njeri është ushtarak. Sepse po vjen për qëllime ushtarake. Jo në raport me ne. Raport me rajonin.
Dhe ne kemi zhdukur të gjithë infrastrukturën ushtarake se Rama e ka kthyer në biznes gjithë infrastrukturën, por mbi të gjitha ka krijuar një rrezik europian, të NATO-s dhe të Amerikës, duke sjellë këtu forcat ushtarake të Izraelit. Shqipëria po kthehet në një koloni të Izraelit, sipas projektit Rama, që ka shqetësuar gjithë Europën.
Dhe në Itali ka filluar slogani "të bëjmë dhe ne si shqiptarët". Sepse ky fenomen po ndodh dhe në Greqi... Pra Shqipëria në '97-ën që u bë lajmi më i shëmtuar botëror në histori, u kthye në lajmin më të bukur botëror në 2026-ën. Sepse njerëzit në botë po shohin një popull, që është ngritur i gjithi në këmbë, me ngjyrat më të bukura, gjërat më të bukura. E keni parë ka dhe fëmijë shumë bukur, ku nuk ka asnjë ndarje ideologjike. Pra jemi komunistë, konservatorë, ballistë, liberalë, të paktën nuk i përjashtojmë ata homoseksualët...
© SYRI.net