Nga Petrit Vasili/
Një mbrojtje e dëshpëruar nga çeta mediatike e Ramës po i bëhet Zvernecit si një investim amerikan.
E para punës çfarë do të thotë investim amerikan dhe çfarë shpjegon kjo.
Përse diskutimi apo debati u dashka mbyllur dhe nuk mund të vazhdojë e të zhvillohet si për çdo investim tjetër që ka të bëjë me territorin dhe interesat e Shqipërisë?
Po të ecim më tej dhe të vijmë tek thelbi i çështjes.
A është ky vërtet investim amerikan?
Po pse mbrohet kjo kur Rama thotë publikisht se nuk ka asnjë projekt?
Po si mundet që Rama të thotë 4 miliard euro kur nuk ka asnjë projekt dhe studim fizibiliteti, nga doli pra kjo shifër?
A mos është ky vetëm një ndërmjetësim amerikan?
Nëse është investim amerikan të gjithë do të pyesnin menjëherë ore po sa milion euro do të investojnë biznesmenët amerikanë sepse askund nuk thuhet kjo?
Pyetja tjetër e pashmangshme, po në Amerikë a respektohen ligjet e mbrojtjes së natyrës, a pyeten komunitetet e qytetarëve, a rrethohen territoret me tela me gjemba pa pasur asnjë leje të aprovuar dhe a dhunohen protestuesit që kërkojnë zbatimin e ligjit?
Përse Ambasada Amerikane e cila kujdeset gjithmonë për mbarëvajtjen e investimeve amerikane në Shqipëri bile është interesuar edhe për një Duty Free në Aeroportin e Rinasit, nuk ka thënë asnjë gjysmë fjale për këtë çështje?
Ajo që dihet është që ekzistojnë investitorë nga Katari, një rus, një bullgare, ca shqiptarë të panjohur të strukur në offshore dhe ca shqiptarë të njohur dhe kaq.
Transparenca është një detyrim i papërmbushur dhe si e tillë protestuesit kanë të gjithë të drejtën e tyre të ngrenë lart e më lart zërin në shesh.
Interesi publik nuk është pronë e Edi Ramës dhe e askujt tjetër në këtë vend.
Shpërdorimi histerik i fjalës investim amerikan dhe i 4 miliard euro është alibi për të fshehur të vërtetat.
© SYRI.net