I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, gazetari Julian Hoxhaj u shpreh se Air Albania sot përfaqëson një nga dështimet më të bujshme të një projekti që, sipas tij, u promovua me shumë propagandë politike, por që nuk arriti të justifikojë pritshmëritë dhe fondet e investuara.
Hoxhaj tha se, megjithëse kompania nuk ka shpallur zyrtarisht falimentin, në praktikë ajo nuk ushtron më aktivitet normal, nuk disponon avionë në operim dhe nuk ofron shërbime për pasagjerët.
Gazetari theksoi se, rasti i Air Albania-s ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën e menaxhimit të kompanive ku shteti është aksioner, transparencën financiare dhe përdorimin e aseteve të saj ndër vite.
Ai argumentoi se projekti, i prezantuar dikur si simbol i krenarisë kombëtare dhe suksesit të qeverisë, është shndërruar sot në një barrë që, në fund, rrezikon t'u kushtojë qytetarëve shqiptarë.
Pjesë nga deklarata:
Shiko, zyrtarisht, në fakt kompania nuk e ka deklaruar falimentin, sepse është një procedurë që bëhet për çdo lloj biznesi në momentin që nuk ka më likuiditet dhe aftësi për të vepruar. Por po themi, zyrtarisht, në kuptimin figurativ të fjalës, kompania sot nuk kryen më asnjë funksion. Pra, de facto, ajo është e falimentuar. Është një kompani e cila nuk ofron më shërbime për qytetarët e saj, për pasagjerët, nuk ka më avion në dispozicion, nuk ka likuiditet, pra nuk ka para.
Po, në mënyrë figurative, meqë jemi në fushën e letërsisë, ata avionë kanë rënë. Pra, avionët e rilindasve tanë tashmë janë rrëzuar nga lartësitë dhe kanë zënë poshtë ndoshta edhe qeverinë, dhe sidomos taksat e qytetarëve shqiptarë. Por përtej ironisë dhe batutave, ajo që është e rëndësishme të theksojmë sot është një tjetër faturë e kripur, kjo që do të paguajnë qytetarët shqiptarë; është një faturë e cila, për hir të së vërtetës, ishte paralajmëruar si e tillë. Pra, që në krye të herës, që kur nisi të krijohej dhe të themelohej kompania Air Albania, qytetarët, ekspertët dhe politika, nga njëra anë, e kishin paralajmëruar se kjo kompani nuk do të kishte sukses në Shqipëri. Dhe kjo lidhej me shumë faktorë, por faktori kryesor ishte sepse kompania kishte një prapavijë të qartë interesash të kryeministrit të vendit.
Kryeministri i vendit themeloi një kompani ku shteti kishte 10% të aksioneve, dhe pjesa tjetër ishte kapital privat. Sigurisht, të gjithë zërin kryesor të shpenzimeve, të organizimit dhe të ekspertizës e kishte pikërisht kompania Turkish Airlines. Nga ana tjetër ishte dhe biznesmeni vlonjat, Sinan Idrizi, i cili kishte një përqindje më të vogël të aksioneve. Por, në të vërtetë, pjesën kryesore të kësaj kompanie e kishte kompania turke, dhe është po kjo kompani e cila ka kryer deri më sot të gjitha investimet. Është kjo kompani e cila ka mbajtur mbi supe të gjithë përgjegjësinë për operimin e Air Albania nga viti 2019 deri në vitin 2025, kur u regjistruan fluturimet e fundit me avionët që ajo kishte marrë me qira.
Ashtu siç e ka përmendur Arben Ahmetaj në emisionin Çim Peka Live, sot mund të themi që një ndër shkaqet kryesore që kompania ka falimentuar është pikërisht përdorimi i saj nga qeveria, dhe sidomos nga kryeministri Edi Rama.
Shiko, kryeministri Edi Rama nisi t’i përdorte; në fakt, ai ka përdorur charter privat përpara se të krijohej kompania Air Albania. Për ta kuptuar nga qytetarët: deri në vitin 2019, Shqipëria nuk kishte një kompani fluturimesh ku shteti kishte aksionet e veta. Kishte shoqëri fluturimesh të cilat, me kalimin e kohës, dolën nga tregu sepse nuk e përballuan dot konkurrencën, por nuk kishte një kompani ku shteti kishte aksionet e veta.
Çfarë ndodhi? Në vitin 2018 nisi pikërisht trativa për të themeluar Air Albania, dhe në atë kohë ajo ishte e lidhur ngushtësisht edhe me shumë zhvillime të tjera, sepse ishin trativat në horizont për projektin e aeroportit të Vlorës, që gjithashtu mendohej që do të ishte baza e kësaj kompanie, pra e kompanisë shqiptare të fluturimeve. Më tej, kryeministri Edi Rama përdorte një nga avionët e kësaj shoqërie si charter privat. Po ta mbani mend, përpara se të plaste skandali i hakerave iranianë — në thonjëza, sepse edhe për këtë kemi dilemat tona se çfarë ka ndodhur me të dhënat e qytetarëve shqiptarë — në Kuvendin e Shqipërisë, opozita paraqiti një kërkesë për të ngritur një komision hetimor, sepse dolën të dhëna që kryeministri kishte kryer udhëtime private me charter.
Shkaku kryesor lidhej pikërisht me faturat e patreguara, të cilat mendohej se shkonin në disa milionë euro për këto udhëtime, dhe që paguheshin nga qytetarët shqiptarë. Komisioni u rrëzua. Të dhënat e hakerave iranianë treguan që qeveria, dhe veçanërisht kryeministri, përdorte një nga avionët e Air Albania. Kjo detyroi kryeministrin të reagonte dhe të bënte një lloj konfirmimi të faktit që po, qeveria përdorte një avion, por sipas tij nuk paguheshin para, sepse kishte një kontratë marketingu që parashikonte se qeveria apo kryeministri vetë i bënte reklamë Air Albania-s, dhe nga ana tjetër, kjo shoqëri kishte vendosur në dispozicion një avion charter, që zakonisht vetëm qiraja ditore e tij të jemi të qartë është 400 mijë euro.
Kjo qira, që të kuptohet nga qytetarët, është një qira që Air Albania duhet t’ia paguante një kompanie tjetër, sepse Air Albania nuk bleu kurrë avion të saj. Të gjitha operimet e Air Albania-s janë kryer me avionë të marrë me qira, nga viti 2019 deri në vitin 2025. Për shkak të fluturimeve të kryeministrit, të cilat kanë qenë në një numër të madh dhe duke llogaritur 400 mijë euro për vetëm një fluturim për qiranë, pa llogaritur këtu kostot e operimit që lidhen me taksat aeroportuale, karburantin, shërbimin dhe pagesat e të tjerë, mund të shkonte deri në 600 apo 700 mijë euro për një udhëtim ditor të kryeministrit.
Por mos të harrojmë që avioni nuk merret me qira ditore, sepse kryeministri nuk shkonte brenda një dite në një shtet dhe kthehej po brenda ditës, dhe mbaroi kontrata e marketingut. Por kryeministri ka udhëtuar edhe për disa ditë. Kjo do të thotë se, në shtrirje kohore, vlera financiare që Air Albania duhet të paguante për udhëtimet e kryeministrit mund të shkojë në disa milionë euro. Nuk mund të themi shifrën e saktë sepse qeveria e mban sekret, po ashtu edhe kompania vetë nuk e deklaron.
Dua të theksoj edhe faktin që sot Air Albania është një nga shumë kompanitë me kapital shtetëror, ku shteti është aksioner, dhe nuk deklaron bilance. Prej vitit 2019 e deri më sot, Air Albania nuk dorëzon bilance në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku qytetarët kanë mundësi të shohin se sa kanë qenë të ardhurat e Air Albania, sa kanë qenë shpenzimet dhe sa kanë qenë detyrimet që ajo ka mbledhur nga palët që u ka shërbyer apo u ka ofruar shërbim.
Atëherë, jo më kot e thashë: e përmenda faktin e udhëtimeve të kryeministrit, pra vetëm qiraja ditore sipas të dhënave të agjencive të specializuara për udhëtimet dhe dhënien e avionëve me qira, e një avioni të modelit Airbus A320 që ka përdorur kryeministri Edi Rama.
© SYRI.net