Bardhi: Shqipëria ka vetëm një armik, keqqeverisjen dhe korrupsionin

16:40, 04/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke kërkuar transparencë të plotë për projektin e zhvillimit në zonën e Zvërnecit.

Bardhi deklaroi se ende nuk dihet se kujt po i jepet e drejta për të zhvilluar një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, duke akuzuar qeverinë se po fsheh pronarët e vërtetë pas strukturave të regjistruara në parajsa fiskale.

Sipas tij, shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me aspektet mjedisore të projektit në Zvërnec, por me mungesën e transparencës dhe dyshimet për korrupsion. Deputeti demokrat kërkoi që kryeministri të bëjë publike identitetin e pronarëve përfitues dhe të sqarojë pretendimet për përfshirjen e personave të caktuar në pronat dhe zhvillimin e projektit. Duke iu referuar protestave kundër projektit, Bardhi tha se qytetarët janë kundër arrogancës së pushtetit, korrupsionit dhe asaj që ai e cilësoi si “uzurpim të gjithçkaje nga qeveria”.

Ai kundërshtoi deklaratat e kryeministrit se protestat po nxiten nga faktorë të huaj, duke i quajtur këto pretendime “një idiotësi me brirë” dhe një përpjekje për të manipuluar opinionin publik. Në vijim të fjalës së tij, Bardhi akuzoi qeverinë për përdorimin e dhunës ndaj protestuesve dhe tha se Shqipëria nuk është nën sulm nga faktorë të jashtëm, por nga keqqeverisja dhe korrupsioni.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së kritikoi gjithashtu vizionin e qeverisë për zhvillimin e turizmit elitar, duke sjellë si shembull projektin e Portit të Durrësit. Ai tha se premtimet për miliarda euro investime nuk janë materializuar dhe përmendi problemet e raportuara në ndërtimet e para të projektit.

Në fund të fjalës së tij, Bardhi hodhi akuza edhe ndaj mënyrës së zhvillimit urban të Tiranës ndër vite, duke e cilësuar kryeqytetin si një qytet të mbingarkuar nga betonizimi dhe pa infrastrukturën e nevojshme për qytetarët.

“Edi Rama nuk ka vizion. Pushtetin nuk e ka përdorur kurrë për interes publik”, deklaroi Bardhi, duke përfunduar se mbështet vetëm një nga qëndrimet e kryeministrit, largimin e tij nga drejtimi i qeverisë.

Bardhi:

Ne ende nuk e dimë kujt Edi Rama po i jep të drejtën të zhvillojë një nga zonat më të bukura në Shqipëri. Nuk e dimë sepse Edi Rama ka pranuar një marrëveshje që i fsheh pronarët e vërtetë pas një strukture të regjistruar në një prej parajsave fiskale në Holandë. Nuk jam qenë dhe nuk do të jem kurrë kundër zhvillimit. Përkundrazi, jam pro zhvillimit që ruan identitetin e çdo zone që zhvillohet. Jam pro zhvillimit që nuk zhvat pronën e të tjerëve, apo pronën e shtetit për çfarëdo lloj qëllimi, edhe sikur mbi atë pronë të ndërtohet parajsa. Jam pro zhvillimit që nuk fsheh përfituesit e tij.

Dhe jam pro zhvillimit që nuk vjen nga paratë e pista të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, siç është bërë kaq e zakonshme në Shqipërinë e Edi Ramës. Unë e kuptoj që çështja e Zvërnecit ka shumë sensibilitet. Tërheq vëmendje të madhe brenda vendit, por edhe ndërkombëtare. Por ajo që nuk kuptoj dot, është pse kryeministri i vendit tim, në një çështje kaq të nxehtë dhe kaq të ndjeshme, fsheh se kush janë pronarët përfitues. Pse i mban sekret? Nëse nuk ka asgjë për të fshehur, të mos lodhet duke gjetur armiq të brendshëm e të jashtëm mes protestuesve. Le të dalë e të na thotë, si mund të zhvillohet një zonë me pronësi të dyshimtë. Le të dalë e të thotë, nëse i ka shkarkuar drejtorët e Kadastrës së Vlorës për çështje që qelbin erë të pronave në Zvërnec. Le të dalë e të thotë a ka pjesë në pronat brenda projektit, shtetasit Artur Shehu, Ergys Agasi dhe Engjëll Agaçi, dhe jo vetëm ata. Le të dalë e të na shpjegojë edhe çfarë roli kanë në atë projekt dy prej oligarkëve më të mëdhenj të vendit që nuk kanë lënë port, aeroport apo bregdet pa zaptuar me firmën e Edi Ramës. Jam përpjekur modesisht ta lexoj protestën e këtyre ditëve.

Ajo që kam mundur të kuptoj, është se pelikani kaçurrel, flamingot, zogjtë, flora apo fauna e pasur e Zvërnecit, nuk janë arsyeja kryesore pse një pjesë e mirë e protestuesve janë sot kundër këtij projekti. Ata janë kundër arrogancës së pushtetit. Janë kundër dhunës shtetërore dhe uzurpimit të gjithçkaje vetëm sepse kështu ka urdhëruar Edi Rama. Janë kundër korrupsionit qeveritar. Janë kundër kësaj qeverie. Janë kundër diktaturës së parave të pista, siç e tha shumë bukur një nga protestuesit mbrëmë. Kryeministri thotë se protestat janë nxitur nga qarqe të huaja që na kanë zili, sepse nuk e duan që Shqipëria të zhvillohet. Një idiotësi me brirë, sa përfshin edhe vende fqinjë. Aq malinje është kjo tezë, sa prek edhe besimin fetar të atyre që kundërshtojnë projektin. Është malinje sepse kështu përpiqet të manipulojë një pjesë tjetër të shqiptarëve dhe t'u prekë ndjenjat patriotike. Por edhe në qoftë se është kështu, pse nuk bën transparencë për njerëzit?

Pse nuk u tregon shqiptarëve emrat e pronarëve përfitues? Pse nuk vendos në punë shefin tënd të shërbimit sekret, apo i ke dhënë ende detyrën kryesore të informojë dhe mbrojë Ergys Agasin dhe ta mbrojë atë nga arrestimi i prokurorisë së posaçme. Të nderuar qytetarë, kryeministri ka mbushur botën me deklarata të pavërteta se Shqipëria është në sulm. Jo, Shqipëria nuk është në sulm nga askush, siç thotë kryeministri. Shqipëria është vetëm në sulmin e arrogancës dhe të korrupsionit të Edi Ramës. Nuk mund të sulmojë barbarisht një protestues, një roje private, pa asnjë autorizim dhe ta tërheqë zvarrë në mes të ditës, nëse kjo nuk do të ishte frymë armiqësore që Edi Rama ka mbjellë prej vitesh kundër kujtdo që kundërshton pushtetin e tij. Nuk mund të qëndrojë një polic dhe të bëjë sehir në një skenë të tillë dhune, nëse nuk është mësuar të shohë dhunën si mjet normal të pushtetit kundër kundërshtarëve. Shqipëria nuk është në sulm nga armiqtë e jashtëm që shpik Edi Rama sa herë ka nevojë të luajë rolin e patriotit të rrethuar nga komplotet. Shqipëria ka vetëm një armik, kryeministrin e vet, Edi Rama. Prej 11 vitesh, Shqipëria është në sulmin e keqqeverisjes, korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Në sulmin e një njeriu që ka shkatërruar funksionimin e një shteti normal dhe e ka zëvendësuar me partinë-shtet në shërbim të interesave të veta personale. Të nderuar qytetarë, ju e keni dëgjuar prej vitesh kryeministrin të na flasë për vizionin e tij për turizëm elitar. Deri tani nuk kemi parë asgjë, përveç disa fshatrave turistikë që kanë shëmtuar bregdetin me betonizimin e rivierës shqiptare. Kur dëgjova Edi Ramën këto ditë të fliste për miliarda euro investime në Zvërnec, m'u kujtua se të njëjtën gjuhë përdori edhe për të mbrojtur investimin e Alabarit në portin e Durrësit. Katër miliardë euro na thotë për Zvërnecin, 2 miliardë euro thonte për marinën e Durrësit.

Pra, sipas llogarive të Edi Ramës, kemi 6 miliardë euro investime. Dhe nuk mund të mos kujtoj një barcaletë të famshme që shpjegon këtë ndryshim mes teorisë dhe praktikës. Edi Rama është kthyer vërtet në barcaletë. Në teori kemi vizionin e tij madhështor, në teori kemi 6 miliardë euro investime për turizmin. Por në praktikë, kemi në Durrës një projekt të shkërmoqur dhe të zhytur në rrënojë. Pse hesht Edi Rama për këtë skandal? Ku i çoi standardet e Dubait, ky zotëria që na mashtron sa herë hap gojën? Janë zhytur dy ngrehinat e para të projektit të jetës së tij, sepse kështu e quajti vetë vizioni i Durrësit si Dubai, Dubai në mes të Evropës.

Njëra ndërtesë është zhytur 28 centimetra, tjetra me 18 centimetra. Dhe ky vizionari i madhërishëm nuk thotë asnjë fjalë. Si mund t'i besoj Edi Ramës kur flet për vizion. Për çfarë vizioni? Për atë të betonizimit të Tiranës? Ta mbaroj, një minutë. Dhe jo tani, vetëm me kullat. Që kur ishte kryetar i Bashkisë, ky ka bërë vetëm një punë: ka hedhur beton kudo, në mënyrë të rrëmujshme, pa plan. Tirana sot është një katrahurë urbane, pa parkingje, pa hapësirë të mjaftueshme të gjelbër, pa infrastrukturë të denjë, pa rrugë që përballon trafikun, me mungesë të vazhdueshme uji. Tirana ka sot vetëm fasadë dhe propagandë, sepse kështu e ndërtoi Edi Rama Tiranën me vizionin e tij të betonit në çdo lagje të Tiranës. Edi Rama nuk ka vizion.

Mund të ketë disa shije estetike të diskutueshme. Mund të dojë të jetojë në luks dhe i rrethuar nga luksi, por ky nuk është as vizion dhe as zhvillim. Unë bëj pjesë te ata që nuk do t'ia besoja Edi Ramës as kopshtin tim si baçevan, sepse po t'ia merrja kopshtar, do të gjeja llaç e tulla në vend të luleve. Dhe nuk i besoj jo për arsye personale. Nuk i besoj sepse Edi Rama e ka provuar se pushtetin nuk e ka përdorur kurrë për interes publik. Prandaj zoti kryeministër, nga shumë gjëra që ke thënë këto ditë, ke mbështetjen time të plotë vetëm për njërën prej tyre: largimin nga drejtimi i qeverisë. Do të bësh shumë mirë të ikësh në katundin tënd, i mbyllur në Surrel bën shumë herë më pak dëme. Faleminderit!
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco