Qytetarë, aktivistë dhe mbështetës të kauzës për Zvernecin u mblodhën për të dytën ditë radhazi përpara Kryeministrisë, duke protestuar kundër kryeministrit Edi Rama pas incidenteve të ndodhura në Zvernec.
Protestuesit kërkuan reagim institucional dhe mbajtjen e përgjegjësive për ngjarjet që, sipas tyre, tronditën opinionin publik.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit dënuan dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve nga persona të identifikuar si punonjës të sigurisë private, duke e cilësuar atë një akt të papranueshëm ndaj qytetarëve që po ushtronin të drejtën e tyre për të protestuar.
Protestuesit ngritën akuza edhe ndaj Policisë së Shtetit për mosveprim, duke pretenduar se efektivët nuk ndërhynë për të parandaluar apo ndalur dhunën. Sipas tyre, heshtja e institucioneve ka shtuar revoltën dhe ka nxitur vazhdimin e protestave.
Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, qytetarët kërkuan zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe garantimin e sigurisë për çdo qytetar.
Organizatorët deklaruan se protestat do të vijojnë derisa të ketë përgjigje konkrete nga institucionet përgjegjëse.
© SYRI.net