'Kufiri detar me Greqinë nuk është pronë personale'/ Vasili akuza Ramës dhe SPAK: Po shitet sovraniteti në heshtje

15:07, 25/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në studion e lajmeve në Syri TV, ish-deputeti Petrit Vasili u shpreh se pas marrëveshjes së detit me Greqinë fshihet një nga aferat më të rënda që prek drejtpërdrejt sovranitetin e Shqipërisë, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se po trajton kufirin detar si pronë personale dhe “plaçkë tregu”.

 Vasili deklaroi se negociatat janë zhvilluar në errësirë totale, larg Kuvendit, ekspertëve dhe opinionit publik, ndërsa sipas tij, dokumentet dhe shkeljet e bëra janë të mjaftueshme që Edi Rama të ishte sot në karrigen e të akuzuarit për çështjen e detit.

Ish-deputeti hodhi akuza të forta edhe ndaj SPAK dhe institucioneve shtetërore për heshtjen, duke e cilësuar të gjithë procesin një “pakt heshtjeje” për të mbuluar atë që ai e quajti tentativë për shitjen e kufirit detar të Shqipërisë.

Pjesë nga deklarata:

Përfundimisht, për çështjen e negociatave të nisura, duhej të shpallej zyrtarisht përfundimi i punës dhe misionit të grupit negociator, së bashku me konkluzionet përkatëse, të cilat do të ishin shumë të vlefshme edhe për të ardhmen e marrëveshjeve të tjera me Greqinë. Më pas, do të kërkohej një plotfuqishmëri e re për një grup të ri dhe për një çështje që hapej nga e para. Të gjitha këto nuk kanë ndodhur. Përkundrazi, Edi Rama, në një moment të katërt, pranon që në marrëveshjen me BE-në, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ekziston një pikë ku përcaktohet se Shqipëria duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet me Greqinë, kur në fakt Shqipëria nuk rezultonte të kishte asnjë mosmarrëveshje të ligjëruar si të tillë. Për çdo çështje nuk kishte asnjë problem të hapur. Pra, edhe këtu hapet një spirale e re.

E fundit, e cila nuk është, do të thosha, themelore dhe e rëndësishme: nuk u ngrit kurrë një grup i madh negociatorësh, me ekspertët më të mirë, historianë dhe specialistë të tjerë, për të vendosur nëse rruga më e mirë ishte ajo drejt Gjykatës Ndërkombëtare. A ishim ne të favorizuar në këtë drejtim apo të disfavorizuar? A mos vallë pala greke kishte një eksperiencë shumë më të madhe se ne në aspektin e ekspertizës detare dhe të shumë elementëve të tjerë me karakter politik, ndërsa ne hynim në kushte krejtësisht të pafavorshme dhe me një humbje të sigurt?

E gjithë kjo çështje duhej të diskutohej me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë, në mënyrën më transparente, nga një grup institucional me mandat të përcaktuar ligjor, të dhënë nga Presidenti i Republikës. Në fund, konkluzionet, të bazuara në analiza të shumta, jo vetëm të ekspertizës detare, por edhe të kontekstit historik dhe elementëve të tjerë, do të përcaktonin formën se si do të vazhdohej më tej, pasi bëhej fjalë për kufirin detar.

Dhe e fundit, shumë e rëndësishme, ajo që unë pyes nga studiot tuaja dhe gjithë opinionin publik: si ka mundësi që sot kjo çështje, kjo “patate e nxehtë”, në kuptimin metaforik të fjalës, pra një letër zyrtare e Presidentit të Republikës për të gjitha këto shkelje skandaloze që

lidhen me kufirin detar, nuk është marrë në shqyrtim nga Kuvendi i Shqipërisë dhe, akoma më keq, nga organet e hetimit të shtetit shqiptar, SPAK-u dhe institucione të tjera? Pse nuk është vendosur në tavolinë kjo çështje për t’u analizuar një për një dhe për të përcaktuar kush ka marrë përsipër përgjegjësinë?

Dhe pastaj, për t’iu kthyer zanafillës së pyetjes suaj: sa herë që Edi Rama ka probleme politike, këtë marrëveshje e përdor si një karrem politik. E trajton sikur kufiri shtetëror i Shqipërisë të ishte një sadaka apo një dhuratë në dorën e tij, ndërkohë që bëhet fjalë për një kufi të larë me gjak ndër shekuj dhe për një element të paprekshëm të sovranitetit të vendit. Ai e trajton sikur të ishte prona e tij personale apo zyra e tij, duke thënë “unë të jap” apo “unë të lë”, ndërkohë që bëhet fjalë për sovranitetin kombëtar.

Nëse shikoni të gjithë sekuencën, dhe unë u përpoqa të jem metodik në këto elemente ligjore shteruese, do të vini re se në të gjitha rastet ka mungesë të tmerrshme transparence. Shumë lajme, si ju gazetarët ashtu edhe unë si njeri i politikës, i kemi marrë vesh nga mediat greke. Ndërkohë, ky duhej të ishte një proces plotësisht transparent dhe me një diskutim të gjerë institucional.

Mos të harrojmë një fakt shumë të rëndësishëm: një letër e Presidentit të Republikës, një denoncim ndër më të rëndët, ku thuhej me detaje: “Hapni sytë, po shitet kufiri detar, po trajtohet si plaçkë tregu.” Dhe ndërkohë, sipas tij, Parlamenti i Shqipërisë është anashkaluar plotësisht. Megjithatë, “Omertà-ja”, pra pakti i heshtjes qeveritare i udhëhequr nga Edi Rama, ka mbajtur heshtje totale.

Sot unë i bëj thirrje opinionit publik, Kuvendit të Shqipërisë, opozitës shqiptare dhe të gjithëve që kjo çështje të rikthehet aty ku ka mbetur, në Kuvendin e Shqipërisë, dhe t’i thuhet “Stop!” Edi Ramës. Kufiri detar nuk është kufiri i oborrit të Surrelit. Ai është kufiri për të cilin kanë dhënë gjak mijëra njerëz dhe nuk mund të trajtohet me shkujdesje apo me interesa politike.

Integrimi nuk fitohet duke shitur interesat e Shqipërisë, por duke qeverisur sipas ligjit, Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Nuk qeveriset me korrupsion, narkotrafik dhe kthimin e vendit në një lavatriçe pastrimi parash, por me zbatim të hekurt të ligjit.

Në këtë moment, rikthimi i kësaj çështjeje në vëmendjen e opinionit publik duhet të ecë në dy shina: në atë politike dhe në atë të drejtësisë. Atëherë do të shihet se sa skandaloze dhe të pabesueshme kanë qenë veprimet e Edi Ramës në këtë drejtim. Të gjitha këto nuk janë thjesht fjalë, por janë të dokumentuara “e zeza mbi të bardhë”.

Sot, në postimin të cilit ju iu referuat me korrektësi, kam renditur 22 pyetje të pakapërcyeshme, të cilat do t’i shërbenin SPAK-ut si material bazë për të nisur hetimet. Vetëm përgjigjet e këtyre pyetjeve do të mjaftonin për të mbushur një dosje të plotë dhe për ta çuar Edi Ramën në bankën e të akuzuarve për çështjen e marrëveshjes së detit.

Kjo çështje nuk mund të shtyhet më asnjë ditë dhe ky duhet të jetë një standard për këdo që do të guxonte të bënte pazare me kufijtë e Shqipërisë.

Problemi është i tillë: cili është roli i qeverisë Rama në këtë çështje? Mjafton vetëm një shembull. Në qeverinë Rama ndodhet një ministër i Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm dhe përgjegjës për marrëveshjen e detit të vitit 2009, sipas denoncimeve të bëra nga Tedi Blushi, hartonte materiale kundër vetë marrëveshjes, pra punonte njëkohësisht me shtetin dhe kundër shtetit.

Kjo tregon qartë se cili është raporti i Edi Ramës me kufijtë e Shqipërisë dhe me çështjen e detit. Mjafton kjo për të kuptuar në çfarë situate dhe derexheje ndodhen fatet e këtij vendi.

Ky është një karagjozllëk ambulant, siç e thoni ju, ndërsa ajo që nuk lëviz dhe nuk ndryshon është raporti i tij me këtë çështje të rëndësisë kombëtare, siç është kufiri detar, ku roli i tij është i errët dhe dokumentet janë aty.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco