Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij zyrtare, fondacioni joqeveritar tha se reagimi i ministrit më 4 korrik erdhi pasi Sejrani bëri publike pretendimet e njërit prej klientëve të tij për dhunë policore gjatë ndalimit.
“Këto kërcënime, që kërkonin ndjekje penale dhe procedura disiplinore, duket se lidhen drejtpërdrejt me përfaqësimin ligjor të zotit Sejrani ndaj protestuesve të arrestuar gjatë demonstratave të vazhdueshme të ‘Revolucionit të Flamingove’,” thuhet në reagimin e fondacionit.
Sejrani, avokat dhe drejtor ekzekutiv i organizatës Drejtësi Sociale, ka përfaqësuar dhjetëra protestues të arrestuar ose të ndaluar që nga fillimi i protestave kundër projektit turistik në Zvërnec, të cilat më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Së fundmi, ai i përcolli medias dhe Avokatit të Popullit pretendimet e një klienti për keqtrajtim gjatë paraburgimit, duke kërkuar hetim të rrethanave të rastit.
Sipas fondacionit, deklarata e ministrit Lamallari në Facebook, ku ai i cilësoi pretendimet e avokatit si të pabazuara dhe paralajmëroi pasoja disiplinore dhe penale ndaj tij, përbën një shqetësim serioz pasi e shënjestron avokatin për shkak të ushtrimit të detyrës së tij profesionale.
“Pas deklaratës së Ministrit, Z. Sejrani ka qenë shënjestër e sulmeve të shumta shpifëse dhe abuzive në mediat sociale,” thuhet në reagim.
Fondacioni thekson se pavarësia e profesionit të avokatit është një element thelbësor i shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
“Pavarësia e profesionit ligjor dhe aftësia e avokatëve për të kryer detyrat e tyre profesionale të lira nga çdo formë frikësimi është parësore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit,” thuhet në deklaratë.
Në përfundim, “Avokatët për Avokatët” u kërkojnë autoriteteve shqiptare të tërheqin publikisht kërcënimet ndaj Sejranit dhe të garantojnë që ai të mund të ushtrojë profesionin e tij pa frikën e ndëshkimit apo hakmarrjes./ Reporter.al/
© SYRI.net