'Organizatë kriminale'/ Berisha ndan VIDEO-n: Paratë e taksapaguesve përdoren nga Rama si para të familjes së tij

'Organizatë kriminale'/ Berisha ndan VIDEO-n: Paratë e taksapaguesve përdoren nga Rama si para të familjes së tij

13:35, 10/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar në rrjetet sociale një video shpjeguese të gazetares Erisa Kryeziu, e cila ngre pikëpyetje mbi financimin nga shteti të koncertit të reperit amerikan Kanye West në Shqipëri.

Sipas Kryeziut, fillimisht qeveria shqiptare kishte deklaruar se eventi nuk do të financohej nga fondet publike. Ajo sjell në vëmendje përgjigjen e Ministrisë së Kulturës më 10 qershor, sipas së cilës “asnjë fond publik, grant apo subvencion nuk është parashikuar nga buxheti i shtetit” dhe se koncerti do të financohej tërësisht nga privati.

Por, sipas saj, qëndrimi ndryshoi pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili pranoi se shteti do të ndërhyjë financiarisht për eventin.

“Shteti shqiptar është i detyruar të ndërhyjë vetëm dje, për të dhënë jo dhjetëra miliona euro, po 4 milionë”, është shprehur Rama.

Në video përmendet edhe deklarata e ministrit Blendi Gonxhja, i cili më herët kishte thënë se “asnjë buxhet shteti, asnjë fond i shtetit shqiptar në këtë rast nuk shkon për koncertin apo organizimin e eventit”.

Sipas Kryeziut, qeveria ka miratuar një akt normativ për transferimin e rreth 4 milionë eurove nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit te Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, duke i dhënë kësaj të fundit mundësinë për të lidhur marrëveshje të drejtpërdrejtë me organizatorin e koncertit.

Ajo ngre gjithashtu pikëpyetje mbi natyrën e këtij financimi, duke pyetur nëse ndërhyrja prej 4 milionë eurosh për mbulimin e kostove të eventit përbën një subvencion shtetëror. Në video thuhet se buxheti i Ministrisë së Kulturës për aktivitete kulturore dhe turistike është rreth 190 milionë lekë, një shumë më e ulët se fondi i akorduar për koncertin.

Berisha e ka shoqëruar videon me një reagim ndaj qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përdorimin e parave publike.

“Paratë e taksapaguesve përdoren nga Edi Rama si para të familjes së tij. Nuk ka kryeministër në botë që mund të paguajë nga taksat 4 milionë bileta të pashitura. Kjo është organizatë kriminale dhe Rama kreu i saj”, shkroi Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco