PS refuzon shqyrtimin me përparësi të ligjeve për integrimin, rrëzon kërkesën e opozitës

12:03, 10/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Opozita kërkon shqyrtimin me përparësi në Komisionin për Politikën e Jashtme të katër ligjeve thelbësore për procesin e integrimit. Partia Socialiste bëhet pengesë, duke votuar kundër.

Komisioni për Politikën e Jashtme ka rrëzuar kërkesën e përfaqësuesve të Partisë Demokratike për të futur me përparësi në rendin e ditës shqyrtimin e katër projektligjeve që janë thelbësore për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Me votat kundër të deputetëve të Partisë Socialiste, nuk u miratua propozimi i opozitës për perfshirjen me prioritet të nismave ligjore që synojnë: shfuqizimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura, shfuqizimin e ligjit për “Paketën e Maleve”, shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, shfuqizimin e ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.

Përfaqësuesit e opozitës në Komisionin për Politikën e Jashtme argumentuan se këto iniciativa lidhen drejtpërdrejt me përmbushjen e standardeve të kërkuara në kuadër të procesit të integrimit europian dhe se shqyrtimi i tyre duhet të jetë prioritet.

Megjithatë, shumica socialiste votoi kundër përfshirjes së tyre me perparësi, duke bërë që kërkesa e opozitës të mos kalojë në komision.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco