Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka reaguar për rastin e qytetarit Arben Kalemaj, duke kërkuar rikthimin e menjëhershëm të furnizimit me ujë në banesën e tij.
Në deklaratën për mediat nga selia blu, Vangjeli theksoi se, uji është një e drejtë themelore dhe nuk duhet të përdoret si mjet ndëshkimi ndaj qytetarëve në vështirësi ekonomike.
Vangjeli akuzon institucionet për mungesë ndjeshmërie sociale, duke theksuar se Kalemaj, i cili përballet me probleme të rënda shëndetësore dhe jeton me një asistencë minimale ekonomike, ka mbetur pa ujë edhe pasi ka shlyer detyrimet e prapambetura. Ajo i bën thirrje UKT-së të ndërhyjë menjëherë për zgjidhjen e situatës.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Të rikthehet menjëherë furnizimi me ujë për qytetarin Arben Kalemaj. Uji është e drejtë themelore, jo mjet ndëshkimi për më të pamundurit.
Partia Demokratike denoncon mungesën e ndjeshmërisë sociale të institucioneve publike dhe mënyrën me të cilën trajtohen qytetarët më në nevojë.
Qytetari Arben Kalemaj, i diagnostikuar me sëmundje të rënda, përfshirë STEMI lateral, dhe me probleme të tjera shëndetësore, jeton vetëm me rreth 50 euro asistencë ekonomike në muaj.
Pavarësisht kësaj gjendjeje tepër të rëndë, ai është përballur me ndërprerjen e furnizimit me ujë për shkak të vonesës në pagesën e faturave të dy muajve.
Pasi ka shlyer detyrimet financiare, zoti Kalemaj ka kërkuar zyrtarisht rilidhjen e ujit në banesë.
Edhe pse, sipas tij, drejtuesi i UKT-së i ka konfirmuar se furnizimi do të rikthehej brenda pak ditësh, kjo ende nuk ka ndodhur.
Nëse është kështu, kemi të bëjmë me një rast të papranueshëm të neglizhencës institucionale dhe mungesës së përgjegjësisë ndaj një qytetari që jeton në kushte të rënda shëndetësore dhe ekonomike.
Asnjë shtet që pretendon të mbrojë dinjitetin njerëzor nuk mund të lërë pa ujë një familje që lufton çdo ditë me sëmundjen dhe varfërinë.
Uji nuk është luks. Uji është një e drejtë themelore dhe një domosdoshmëri jetike.
Partia Demokratike u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për rikthimin e furnizimit me ujë në banesën e zotit Kalemaj.
Një qeveri matet nga mënyra se si trajton më të dobëtit, jo më të fortët.
Partia Demokratike mbetet e angazhuar për ndërtimin e politikave që vendosin në qendër njeriun, mbrojnë familjet në nevojë dhe garantojnë që shërbimet jetike të mos përdoren kurrë si instrument ndëshkimi ndaj qytetarëve që jetojnë në varfëri dhe përballen me sëmundje të rënda.
© SYRI.net