Lajmi i fundit

LIVE/ 13 ditë protesta para Kryeministrisë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

'90 mijë euro në ditë', Distafa: Inceneratori i Tiranës simbol i korrupsionit, para që 'avullojnë' çdo ditë

'90 mijë euro në ditë', Distafa: Inceneratori i Tiranës simbol i korrupsionit, para që 'avullojnë' çdo ditë

12:03, 25/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një deklaratë për mediat, anëtari i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Tiranës, Dr. Artan Distafa u shpreh se inceneratori i Tiranës përfaqëson, një nga aferat më të rënda të tranzicionit shqiptar, ku qeveria vijon të paguajë rreth 90 mijë euro në ditë për një projekt që nuk ekziston.

Ai theksoi se ndërsa qytetarët përballen me varfëri, mungesë shërbimesh dhe rritje kostosh jetese, këto fonde mund të ishin përdorur për shëndetësinë, arsimin dhe mbështetjen sociale.

Distafa akuzoi se bëhet fjalë për një skemë klienteliste dhe korruptive që rëndon drejtpërdrejt mbi taksapaguesit shqiptarë. Ai u shpreh se

përgjegjësia për këtë situatë bie mbi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.

Deklarata e plotë:

Ndërkohë që mijëra familje shqiptare jetojnë mes pamundësisë, ndërkohë që pensionistët zgjedhin mes ilaçeve dhe bukës së gojës, ndërkohë që të rinjtë largohen çdo ditë nga vendi sepse nuk shohin më asnjë shpresë, qeveria vazhdon të derdhë para pa fund në një nga aferat më të errëta dhe më të turpshme të tranzicionit shqiptar: inceneratorin fantazmë të Tiranës.

Rreth 90 mijë euro në ditë. Çdo ditë. Çdo javë. Çdo muaj. Para që dalin nga xhepat e shqiptarëve për një incenerator që nuk ekziston realisht dhe që nuk i shërben qytetarëve ashtu siç u premtua.

Dhe pyetja që lind natyrshëm është: çfarë mund të ishte bërë me këto para?

Me 90 mijë euro në ditë mund të financoheshin medikamente për spitalet që sot u kërkojnë pacientëve të blejnë gjithçka vetë, nga serumet deri te ilaçet bazë. Mund të rindërtoheshin shkolla në zonat rurale ku fëmijët mësojnë ende në kushte të mjerueshme. Mund të subvencionoheshin fermerët shqiptarë që sot braktisen nga shteti dhe falimentojnë përballë kostove të larta dhe mungesës së mbështetjes. Mund të hapej një fond real për të rinjtë, për strehimin, për familjet në nevojë, për gratë kryefamiljare, për pensionistët që numërojnë qindarkat në fund të muajit.

Por jo. Këto para vazhdojnë të përfundojnë në një aferë që është kthyer në simbolin më brutal të korrupsionit qeveritar.

Në çdo qytet të Shqipërisë sheh spitale pa pajisje, shkolla të amortizuara, rrugë të lëna në harresë, fermerë që hedhin prodhimet në kanal sepse nuk kanë treg dhe qytetarë që jetojnë nën peshën e taksave dhe çmimeve të papërballueshme. Ndërkohë miliona euro vazhdojnë të avullojnë në një projekt fantazmë, të mbrojtur politikisht me arrogancë dhe heshtje.

Sot Shqipëria nuk ka mungesë parash. Shqipëria ka mungesë prioritetesh dhe ndershmërie. Sepse kur një qeveri zgjedh të paguajë 90 mijë euro në ditë për një incenerator që nuk ekziston, ndërsa qytetarët jetojnë në varfëri, kjo nuk është më paaftësi. Kjo është tradhti ndaj interesit publik.

Dhe përgjegjësia politike për këtë skandal bie drejtpërdrejt mbi Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Sepse askush nuk mund t’i bindë shqiptarët se një aferë kaq e madhe, që vazhdon të gëlltisë miliona euro nga buxheti i shtetit, mund të mbijetojë pa mbështetjen dhe bekimin e pushtetit në nivelet më të larta.

Inceneratori i Tiranës është sot monumenti i një modeli qeverisjeje që ndërton propagandë mbi rrënojat e mirëqenies së qytetarëve. Është prova më e qartë se si pushteti mund të përdorë taksat e njerëzve jo për zhvillim, por për klientelizëm, korrupsion dhe pasurim të një grushti njerëzish.

Dhe ndërsa shqiptarët varfërohen çdo ditë, pagesat vazhdojnë. Të qeta. Të garantuara. Të mbrojtura nga heshtja dhe arroganca e një qeverie që nuk jep llogari.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco