Lajmi i fundit

LIVE/ 13 ditë protesta para Kryeministrisë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

'Skemë politike', Shkreli: Rama dhe Beci po grabisin pronat me 'Paketën e Maleve'

09:44, 25/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, Eliona Shkreli, anëtare e Këshillit Bashkiak Shkodër, foli mbi atë që ajo e cilësoi si “skemën e grabitjes së pronave” përmes projektit të njohur si “Paketa e Maleve”, ku u shpreh se pas kësaj nisme fshihen interesa direkte të Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Benet Beci.

Shkreli shprehet se, kjo paketë nuk ka për qëllim zhvillimin e zonave malore apo njohjen e pronës së trashëguar prej shekujsh nga banorët autoktonë, por synon t’ua marrë tokat pronarëve të ligjshëm për t’ua kaluar njerëzve të lidhur me pushtetin dhe oligarkëve pranë qeverisë.

Ajo denoncoi mungesën e transparencës në përzgjedhjen e përfituesve, presionet ndaj banorëve të Thethit për t’u tërhequr nga pronat e tyre, si dhe favorizimin e një grupi të vogël individësh me përjashtime nga taksat për 10 vite.

Shkreli akuzoi hapur Ramën dhe Becin se po përdorin shumicën në Këshillin Bashkiak për të legalizuar, sipas saj, një projekt politik dhe ekonomik në dëm të malësorëve dhe bëri thirrje për reagim qytetar kundër asaj që e quajti “tjetërsim dhe grabitje të pronave të trashëguara prej qindra vitesh”.

Pjesë nga deklarata:

Kjo për të gjithë banorët e zonës, por edhe për të gjithë ne, por edhe për të gjithë qytetarët. Dihet që paketa e maleve nuk është një paketë për njohjen e pronës së banorëve autoktonë, që e kanë trashëguar atë pronë prej mbi 500 vitesh. Nuk është as në interes apo në shërbim të zhvillimit të zonës; është vetëm në interes dhe shërbim të Kryeministrit Rama dhe të kryebashkiakut Benet Beci. Nëse të dy këto personazhe do të ishin aq dashamirës ndaj banorëve të kësaj zone për t’iu kthyer pronën, ashtu siç u pretendua në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duhet t’u njihej ose t’u jepej çertifikata e pronësisë, duke patur parasysh se dihet që këta banorë kanë vite që enden rrugëve për të njohur të drejtën trashëgimore të pronësisë. Dhe, në fakt, ky ka qenë një premtim i vetë Kryeministrit Rama në fushatën e fundit elektorale, ku u premtoi banorëve të Thethit; një premtim që e ka bërë edhe kryebashkiaku Beci në fushatën e tij elektorale për kryebashkiak. Pra, ata nuk e kanë mbajtur fillimisht premtimin e tyre.

Pastaj kaluam tek ajo që pamë vjet, në shembjen e një aksioni të tmerrshëm dhe shumë të dëmshëm për Parkun Kombëtar të Thethit, për bizneset, pa folur për pronarët që kanë hedhur qindra mijëra euro aty dhe që i kemi diskutuar. Tashmë, me një vendim të Këshillit Bashkiak, këta fshihen pas vendimeve, duke patur mazhorancën e votave dhe duke e ditur se çdo gjë mund ta kalojnë, vijnë dhe prezantojnë se gjashtë pronarëve ose gjashtë familjeve u njihet e drejta e pronës, u jepet leja për të zhvilluar pronën me gjoja zhvillimin përmes bizneseve të agroturizmit. Por, në fakt, si verifikohet? Sepse, për të marrë këtë të drejtë që këta kanë gjetur termin “posedues jo pronar” të tokave që janë në pronësi të bashkisë, le të themi, si janë përzgjedhur? Nuk ka transparencë. Si janë përzgjedhur në mbi 200 aplikantë që kanë aplikuar? Si janë përzgjedhur këta? Si njihet se ata janë pronarë të ligjshëm? Jo po kanë qenë dy-tre dëshmitarë, është kryetari i fshatit, është administratori. Po që, në fakt, si kryetari i fshatit, si administratori, janë personazhe të zgjedhura ose të emëruara nga kryebashkiaku. Dhe patjetër që ata do t’i shkojnë linjës së abuzimeve të kryebashkiakut Beci dhe do të vendosin firmat aty ku thotë Beci.

Pa llogaritur këtu që ka... Unë kam qenë vetë në Theth, kam folur me pronarë. Ata deklarojnë që u është kërkuar të tërhiqen, domethënë që janë pronarë të tokave dhe i kanë detyruar të tërhiqen, sepse synimi i Ramës dhe synimi i Becit është grabitja e pronës së pronarëve autoktonë dhe dhënia e atyre pronave për zhvillim, gjoja oligarkëve të qeverisë dhe interesave vetjake, pra personazheve, njerëzve që do të punojnë në interes të Kryeministrit Rama dhe të kryebashkiakut Beci.

Aty nuk ka asgjë të sigurt. Domethënë, ti je pronar, si të kesh një biznes që e ke ngritur, apo që nuk e ke ngritur, por e ke rrethuar tokën, se kështu funksionon në zonat malore, aty nuk ke asgjë të sigurt për aq kohë sa nuk ke çertifikatën e pronësisë. Domethënë, përmes këtyre mekanizmave që këta kanë gjetur dhe këtij projekti, “paketa e maleve”, ata i japin të drejtë vetes, pra Kryeministri i qeverisë dhe kryebashkiaku Beci, t’i grabitet prona pronarit të ligjshëm dhe t’i jepet dikujt tjetër përmes këtyre vendimeve absurde të Këshillit Bashkiak. Sepse edhe deri më sot ne akoma nuk kemi parë procesverbalet me firma që e vërtetojnë se prona u njihet këtyre gjashtë familjeve, domethënë që do ta marrin.

Pastaj absurdi tjetër është që të gjithë këta që do të marrin pronën dhe do ta zhvillojnë, janë të përjashtuar nga taksat për 10 vjet. Dhe ky është një diskriminim i pastër, sepse nëse ti i përjashton nga taksat këta për 10 vjet, po ata që i kanë të ngritura bizneset, do t’i lësh ata të paguajnë taksa?

Të them të drejtën, unë mendoj se mund të jenë vetëm persona të lidhur me Partinë Socialiste, sepse unë jam e bindur se demokratët nuk do të përfitojnë, por gjithmonë edhe socialistët e përzgjedhur do të jenë ata që do të ndikojnë dhe do të punojnë vetëm në interes të Kryeministrit dhe të zotit Beci. Absolutisht që këtu nuk ka meritokraci dhe nuk do të ketë meritokraci. Unë për këtë jam e bindur. Nuk do t’i njihet prona pronarit të ligjshëm pa u plotësuar interesat për qëllime elektorale, për qëllime të tjetërsimit të pronave, qoftë edhe të qeveritarëve, apo edhe të Becit, apo edhe të Ramës, apo individëve të tjerë që janë të lidhur në politikë me Ramën.

Gjithçka është qartësisht dhe pastërtisht e ditur dhe e parë se projekti i “paketës së maleve” është në dëm të banorëve autoktonë, jo vetëm në Theth, por do të vijnë projektvendime në Këshillin Bashkiak edhe për Rragamin, në Guri i Zi, pra për shumë zona turistike dhe të virgjëra, le të themi edhe për Dukagjinin, por që këto do të jenë vetëm në shërbim të politikës së majtë, politikës së Ramës dhe politikës së Becit. Dhe për këtë ndjej keqardhje të madhe. Patjetër që vota ime ka qenë, është dhe do të jetë kundër dhe, për aq sa të kem mundësi dhe zë, patjetër që do ta kundërshtoj në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.

Por, Flavio, unë do të kisha edhe një thirrje për banorët, në fakt: të mos lejojnë të tjetërsohet prona, të mos lejojnë të grabitet prona. Kërkohet reagim. Është momenti kur banorët e Thethit, të Gurit të Zi, të Velipojës, po qoftë edhe të Shkodrës, të Shirokës, të Zogajve, kudo që këta duan të grabisin pronat, të çohen, të ngrihen dhe të protestojnë dhe të mos lejojnë të grabitet prona. Një pronë që e kanë të trashëguar prej qindra vitesh dhe është e padrejtë që të dalë një rreth individësh të grabisë pronën e tyre dhe të lërë banorët pa asgjë. Është e padrejtë, e padëgjuar. Ky është pastër një sistem diktatorial, i cili është shembur, dhe banorët...

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco