'Po thellohet kriza e skemës së pensioneve'/ Guxholli: Pensionistët e kualifikuar po vidhen me paturpësi

09:45, 25/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ekspertja e ekonomisë, Zana Guxholli, e ftuar në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV me moderatorin Flavio Qarri, ngriti shqetësimin për trajtimin e pensionistëve të kualifikuar në Shqipëri, duke e cilësuar si një “rreng tjetër” ndaj kësaj shtrese.

Sipas Guxhollit, specialistë të kualifikuar si inxhinierë, kimistë, mësues apo ish-drejtues institucionesh, të cilët përfitojnë pensione më të larta për shkak të kontributeve të tyre, po penalizohen padrejtësisht nga skema aktuale. Ajo theksoi se një pjesë e tyre kanë paguar ndër vite kontribute shtesë për të përfituar të ashtuquajturin pension suplementar, por në momentin që vazhdojnë të punojnë edhe pas daljes në pension, kjo e drejtë u hiqet.

Ekspertja nënvizoi se aktualisht ka qindra pensionistë të kualifikuar të përfshirë në procese gjyqësore për këtë çështje, ndërsa shtoi se mungon vullneti institucional për të rishikuar ligjin dhe për t’u dhënë atyre të drejtën që u takon. Guxholli argumentoi se specialistët që vazhdojnë të punojnë nuk e bëjnë domosdoshmërisht për mbijetesë ekonomike, por edhe për të qëndruar aktivë dhe për të kontribuar në sektorë ku vendi ka mungesë të theksuar ekspertësh, si akademia, turizmi, inxhinieria dhe shkencat e aplikuara.

Ajo solli në vëmendje edhe problematikën e jetëgjatësisë pas daljes në pension në Shqipëri, duke theksuar se mesatarisht burrat jetojnë rreth 10-11 vite pas shkëputjes nga puna, ndërsa gratë rreth 13-14 vite.

Në përfundim, Guxholli kërkoi një rishikim të thellë të skemës së pensioneve dhe reforma më të gjera strukturore në ekonomi. Sipas saj, ndërhyrjet sporadike apo masat me karakter elektoral nuk mjaftojnë për të zgjidhur problemet e pensionistëve dhe vetëm sa thellojnë krizën e skemës aktuale.

Guxholli:

Shiko, doja të shtoja këtu që, domethënë një rreng tjetër që ju bëhet pensionistëve, këtu flas për atë grup të pensionistëve të cilët janë, siç e përmendi dhe Igli, specialistë të kualifikuar. Siç kanë qenë inxhinierët, kimistët, mësuesit, dhe ata që kanë qenë në pozicione relativisht drejtuese, pra që e kanë pensionin më të madh. Edhe ata vidhen me paturpësi sepse krahas pensionit bazë, grupe të caktuara, si për shembull profesorët në akademi apo në fusha të tjera, kanë dallime, marrin atë që quhet pension suplementar. Dhe për këtë pension suplementar paguhet shtesë. Domethënë, gjatë kohës që punojnë, përveç përqindjes së detyrueshme nga ligji, është një përqindje shtesë për pension suplementar. Dhe në qoftë se këta njerëz, për të cilët ka nevojë sot shoqëria dhe ekonomia, sepse është mungesë e specialistëve që vjen që nga shkolla dhe më tej, këtyre nuk ju njihet, ju hiqet pensioni suplementar.

E drejta e pensionit është një e drejtë kushtetuese dhe në qoftë se po me ligj i ke dhënë të drejtën të marrë dhe një pension suplementar për atë paguaj vazhdimisht që të ketë pak më shumë nga përgatitja, nga backgroundi, edhe këtë ky ligji i sotëm nuk e lejon. Pra, në qoftë se ai vazhdon punon, vazhdon paguan më shumë për qeverinë dhe nuk merr asgjë për vete, atij që ka edhe këtë pension suplementar i hiqet dhe pensioni suplementar. Janë me qindra, janë me qindra pensionistë të kualifikuar sot nëpër procese gjyqësore për këtë qëllim. Dhe askush nuk merr mundimin ta rishikojë dhe ta rregullojë këtë ligj dhe t'ju japë atyre të drejtën e tyre. Pra, të marrin çka ju takon dhe njëkohësisht po të duan edhe le të vazhdojnë punën, se siç shkruat dhe ju, ata që e bëjnë për të qenë aktivë, kanë një arsye tjetër nga ajo që ka masa e gjerë e pensionistëve që e ka për të mbijetuar dhe që e ka se nuk ka çfarë të bëjë. Ai që punon punë të vështirë fizike dhe që ka bërë gjithë jetën e tij, kuptohet që i duhen këto vite dhe për fat të keq nuk janë dhe aq shumë, në Shqipëri më duket, me afërsi, për burrat është 10-11 vjet, për gratë 13-14 vjet jetëgjatësia mesatare mbasi është shkëputur nga puna.

Prandaj skema e pensionit është detyrimisht për t'u riparë, por nuk e zgjidh vetëm riparja e skemës së pensionit. Siç tha dhe Igli, duhet parë në tërësi gjithë struktura e ekonomisë dhe duhen bërë reforma strukturore që të mundësojnë përmirësimin e kësaj skeme, sepse vetëm me ndërhyrje në momente fushata, për të maskuar çfarë është në thelb politika e kësaj qeverie ndaj pensionistëve dhe gjithë punonjësve, nuk mjafton dhe nuk bën gjë tjetër veçse thellon gropën në skemën e pensioneve, pa mundësuar rregullimin e saj dhe pa i dhënë dot dinjitet pensionistëve. Për sa ju përket atyre pra, pensionistëve që përmende Flavio, si në Danimarkë, është një grup shumë i vogël dhe këtu në Shqipëri, por pse të mos konsiderohet për t'u parë në perspektivë në të ardhmen për t'u rritur. Pra, ata që duan të punojnë për të mbajtur veten në aktivitet dhe që në fakt kontributi i tyre është i domosdoshëm dhe i kërkuar në këto kushte kur nuk ka specialistë si në akademi, po ashtu në fushat e tjera, turizëm, inxhinierike, të kimisë, pra të të gjitha shkencave, pse jo, duhet parë. Prandaj unë do t'i thoja Iglit që krahas kësaj ndërhyrjeje kërkoni një ndërhyrje më të gjerë, më të madhe. Kjo është mbase një e menjëhershme, afatshkurtër, propozoni dhe ndryshime dhe ligje të cilat e kanë efektin e tyre afatmesëm dhe afatgjatë, se për fat të keq tërë procesi i pensionimit, si të thuash, është i tillë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco