I ftuar në emisionin Çim Peka Live në Syri TV, analisti Enton Abilekaj deklaroi se mesazhet e fundit të ambasadorëve amerikanë dhe qëndrimet e Departamentit të Shtetit tregojnë se Shqipëria perceptohet si një vend i kapur nga trafiku i drogës, krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Sipas Abilekajt, ndryshimi i mënyrës se si flasin diplomatët e huaj për Shqipërinë është tregues i një situate alarmante. Ai kujtoi se në fillim të viteve 2000, ambasadorët që vinin në Tiranë fokusoheshin te lufta kundër korrupsionit, pandëshkueshmëria dhe roli stabilizues i Shqipërisë në rajon.
Analisti theksoi se sipas tij, fakti që diplomatët e huaj fokusohen pothuajse ekskluzivisht te narkotrafiku dhe krimi i organizuar tregon se Shqipëria po shihet si një “narkoshtet”. Ai shtoi se Shqipëria nuk shihet më si një faktor rajonal, por si origjinë e grupeve kriminale që shpërndajnë drogë në Europë.
Më tej, Abilekaj bëri krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke thënë se ambasadorët në Serbi, Mal të Zi apo Maqedoninë e Veriut nuk fokusohen te trafiku i drogës, por te çështjet e paqes dhe bashkëjetesës.
Në analizën e tij, Abilekaj lidhte gjithashtu korrupsionin dhe krimin e organizuar me pushtetin politik, duke nënkuptuar se akuzat ndërkombëtare nuk kanë në fokus opozitën, por qeverinë dhe mazhorancën.
Më tej, analisti tha se diplomatët e huaj nuk mund të sulmojnë drejtpërdrejt një qeveri, por sipas tij, mesazhet e tyre lënë të kuptohet qartë shqetësimi për lidhjet mes pushtetit, korrupsionit dhe trafikut të drogës në Shqipëri.
Abilekaj:
Kthehemi te ambasadori, meqë ishte te pyetja. Ambasadori... unë dua të them këtë që imagjinoni tani se çfarë ndodhte në vitet, fillimet e viteve 2000, para, shumë para 2013-ës, kur vinte një ambasador në Shqipëri dhe thirrej në Senat për të marrë miratimin. Ai duhet të njihte Shqipërinë dhe fliste për luftë kundër korrupsionit dhe për rolin e Shqipërisë në rajon. Këto ishin dy çështjet kryesore të çdo ambasadori. Pandëshkueshmëria, lufta kundër korrupsionit dhe roli i Shqipërisë në rajon. Pra duhet të jetë një rol paqësor, çfarë marrëdhënie duhet të ketë, pra stabilizuese e të tjera. Sot kur vjen ambasadori, të dëgjosh se çfarë thotë ambasadori sot, ai djali që foli dje, ambasadori... ti nuk e kupton dot, nuk e mendon dot që ky mund të vijë në Shqipëri. Në një vend europian. Nuk bëri asnjë fjalë për fqinjësinë, për stabilitetin në rajon, për rolin e shqiptarëve në rajon. Asnjë fjalë. Zero. Luftë karteleve, luftë krimit të organizuar, luftë korrupsionit.
Por imagjino që nuk na shkonte kurrë në mendje që do vinte kjo ditë, që do flisnim me një ambasador e nuk do fliste për rajonin, për zhvillimet e rajonit, se janë akoma vatra të hapura dhe siç po e shikojmë shqiptarët janë përsëri faktor në çdo vatër. Flasim për trafikun e drogës, flasim për krimin e organizuar, flasim për rrezikun që trafikantët e drogës dhe krimi i organizuar kanë për Europën, madje dhe për Amerikën. Domethënë fliste për trafik ndërkontinental. Nga Paraguaji e të tjerë. Pra kjo është një situatë alarmante...
Të arrish në këtë pikë, është fundi i fundit. Ti je narkoshtet, pa dyshim, kjo s'diskutohet. Nuk ka ndonjë vend tjetër që të diskutohet çështja e drogës, përveç narkoshteteve, pra atyre vendeve që prodhojnë drogë. Nuk jemi prodhues, por jemi shpërndarësit, pika e shpërndarjes ose origjina e gjithë bandave kriminale që shpërndajnë drogën dhe pasojat pastaj i shohim këtu. Kjo është arsyeja. Jemi eksportuesit e vetëm të narkokrimit në Europë. Se nuk shpjegohet ndryshe. Ai që shkon në Serbi nuk flet ndonjëherë për trafikun e drogës. Ambasadori që shkon në Mal të Zi s'flet për trafikun e drogës. Ambasadori i Maqedonisë së Veriut e njëjta gjë. Mund të flasë për problemet e paqes, të bashkëjetesës e të tjera. Po kurrë nuk flitet për këto gjëra. Dhe na vjen një gjeneral dhe flet vetëm për to. Domethënë sikur jemi një komb në luftë, ose sikur jemi një komb i pushtuar nga trafikantët e drogës.
Dhe shtuar pastaj këto mesazhet, Departamenti i Shtetit e këto tregojnë që kjo është një linjë kundër trafiqeve të drogës, kundër kërcënimit që trafiqet e drogës i bëjnë botës perëndimore. Jo vetëm Europës, sepse përderisa vjen nga Amerika, domethënë që është e gjithë bota perëndimore. Se është edhe rajoni i NATO-s. Prandaj kjo është pika e fundit. Dhe kur flasim për korrupsion pastaj, sigurisht dhe për krimin e organizuar, nuk flasim për opozitën, flasim për mazhorancën, apo jo? Se nuk akuzohet opozita për korrupsion në Shqipëri. Kur flasim për krimin e organizuar të lidhur me pushtetin, me politikën, nuk flasim për opozitën. Flasim për krimin e organizuar që manipulon zgjedhjet, që nxjerr rezultatet e zgjedhjeve, që favorizon vetëm mazhorancën. Kështu që ajo që tha ambasadori nuk kishte nevojë të komentohej në favor të kujt apo në disfavor të kujt, ishte në disfavor të Shqipërisë në radhë të parë, dhe sigurisht tregonte fajtorin pa e thënë me emër. Sepse kur vjen një ambasador nuk flet dot kundër qeverisë. Asnjë nuk flet kundër qeverisë sepse bashkëpunojnë me qeveritë e vendeve. Por ama, kur ata në gjuhën e tyre e lënë të kuptohet që po vijnë sepse ka një qeveri të lidhur me trafiqet e drogës, me krimin e organizuar dhe të korruptuar në të gjitha nivelet, atëherë kuptohet shumë mirë se për çfarë e ka.
© SYRI.net