Kalon IBAR, por BE shton kushtet për Shqipërinë

Kalon IBAR, por BE shton kushtet për Shqipërinë

21:22, 21/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Megjithëse Shqipëria pritet që nesër të kalojë fazën e IBAR-it, vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë vendosur të ashpërsojnë ndjeshëm kushtet për vijimin e procesit të integrimit.

Përveç 24 kritereve ekzistuese, dokumenti final pritet të përfshijë kërkesa të reja, duke treguar qartë mosbesimin e disa shteteve europiane ndaj progresit të raportuar nga Tirana.

Gjermania, Holanda, Rumania dhe disa shtete të tjera mësohet se kanë kërkuar masa më të forta në luftën kundër korrupsionit, sidomos në administratën publike, ku dyshimet për abuzim dhe pandëshkueshmëri mbeten të larta. Po ashtu, këto vende kanë ngritur shqetësime serioze për lirinë e medias dhe presionin ndaj gazetarëve.

Ndërkohë, Rumania, Greqia dhe Bullgaria kanë insistuar për standarde më të rrepta në trajtimin e pakicave kombëtare, duke lënë të kuptohet se Shqipëria ende nuk ka bindur plotësisht partnerët europianë për respektimin e të drejtave të tyre.

Edhe në aspektin ekonomik ka pasur përplasje: Austria ka kërkuar kritere më të forta financiare dhe ekonomike për Shqipërinë, pavarësisht hezitimit nga Komisioni Europian.

Mesazhi i vendeve anëtare duket i qartë: kalimi i IBAR-it nuk përkthehet automatikisht në besim të plotë ndaj institucioneve shqiptare apo në rrugë të lehtësuar drejt BE-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco