Syri TV siguron draftin e ri të COELA-IBAR, ndryshime thelbësore

21:02, 21/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Grupi i ekspertëve të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian, të njohur si Coela, janë dakortësuar për draftin e ri të raportit IBAR për Shqipërinë i cili ka ndryshime rrënjësore krahasuar me dokumentin e mëparshëm. Në këtë draft i cili është siguruar nga Syri TV, shprehet keqardhje për vendimin e mazhoranacës socialiste në Parlament e cila refuzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut. Në dokument shtohen kritika direkte për: presionin politik ndaj SPAK, ndërhyrjet në drejtësi, korrupsionin, patronazhistët, problemet me pronat, minoritetet dhe një sërë cështjesh të tjera.

SYRI TV

Syri Televizion ka siguruar draftin e ri të grupit të ekspertëve të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian, të njohur si Coela, lidhur me raportin e IBAR për Shqipërinë. Ajo që bie në sy është se ky tekst është dukshëm më i ashpër dhe më kritik dhe ka një ndryshim rrënjësor krahasuar me draftin fillestar të Komisionit Europian të shkurtit, i cili u bllokua për muaj me rradhë nga disa prej vendeve më të rëndëisshme të Bashkimit Europian në një përpjekje për të refektuar kërkesat e këtyre vendeve të cilat janë skeptike sa i përket integrimit të Shqipërisë. Në dokumentin e siguruar nga Syri Televizion shtohen kritika direkte për: presionin politik ndaj SPAK, ndërhyrjet në drejtësi, korrupsionin, patronazhistët, problemet me pronat, minoritetet, policinë, ndërtimin dhe ekonominë informale si dhe një sërë çështjesh të tjera.

Ndryshimi më thelbësor lidhet me përforcimin e gjuhës së raportit sa u përket sulmeve nga nivelet më të larta të politikës ndaj sistemit të drejtësisë. Teksti i ri reflekton alarmin që përfshiu vendet anëtare të BE nga votimi më 12 Mars në parlament, ku Edi Rama dhe Partia Socialiste refuzuan kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku duke shtuar një kapitull të veçantë për këtë çështje.

BE-ja shpreh keqardhje për disa vendime të kaluara të Parlamentit të Shqipërisë, si dhe për komentet e zyrtarëve publikë në lidhje me hetimet kundër ish-zyrtarëve publikë dhe anëtarëve të Parlamentit. BE-ja thekson rëndësinë që Shqipëria të intensifikojë përpjekjet për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe për të mbështetur parimin e barazisë para ligjit, si dhe që gjyqësori, përfshirë SPAK-un, të vazhdojë të kryejë punën e tij në mënyrë të pavarur, paanësi, llogaridhënie, profesionalizëm respekt për të drejtat e mbrojtjes dhe pa ndërhyrje.

Drafti i shkurtit i kërkonte Shqipërisë të adresojë në mënyrë efektive përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar ndikim të tepruar në institucionet e drejtësisë dhe sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve' por teksti i ri është shumë më i ashpër dhe me një gjuhë të përshkallëzuar.

BE-ja shpreh keqardhje dhe i kërkon Shqipërisë që të adresojë në mënyrë efektive përpjekjet në rritje dhe shqetësuese nga zyrtarët publikë ose politikanët, përfshirë ata në nivele të larta, për të ushtruar ndikim të tepruar mbi institucionet e drejtësisë, përfshirë Strukturën e Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të forcojë më tej qëndrueshmërinë e institucioneve të drejtësisë ndaj rasteve të ndërhyrjes së brendshme dhe të jashtme, duke përfshirë sigurimin që KLGJ-ja dhe KLP-ja të vazhdojnë të reagojnë me vendosmëri ndaj sulmeve ndaj gjyqësorit nga përfaqësuesit e degës ekzekutive ose legjislative. BE-ja nënvizon fuqimisht nevojën, që si ekzekutivi ashtu edhe legjislativi i Shqipërisë, të respektojnë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit dhe të zbatojnë plotësisht si çështje prioritare, vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese, duke vënë në dukje rastet e kaluara të zbatimit të paplotë dhe të vonuar të vendimeve nga ekzekutivi dhe legjislativi. Për më tepër, BE-ja nënvizon se legjislacioni dhe praktikat në lidhje me heqjen e imunitetit, duhet të udhëhiqen nga standardet evropiane, veçanërisht ato të përcaktuara nga opinionet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Një tjetër ndryshim thelbësor në draftin e ri, lidhet me cështjen e korrupsionit. Ndryshe nga drafti i mëparshëm korrupsioni nuk konsiderohet më “shqetësim serioz”, por “shqetësim vendimtar”.

BE-ja nënvizon se korrupsioni mbetet i përhapur në shumicën e fushave të jetës publike dhe biznesit, duke përfshirë të gjitha degët e qeverisjes qendrore dhe lokale dhe institucionet dhe mbetet një shqetësim vendimtar. BE nënvizon se Shqipëria duhet të bëjë përparim të konsiderueshëm të mëtejshëm drejt parandalimit dhe trajtimit të natyrës së përgjithësuar dhe të përhapur të korrupsionit. BE-ja nënvizon se këto masa tani duhet të zbatohen me vendosmëri dhe të kenë ndikim veçanërisht në sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni, mbi të gjitha infrastruktura publike, kadastra dhe të drejtat e pronës, doganat, administrata tatimore, arsimi, shëndetësia, prokurimi publik dhe kontratat e Partneritetit Publik Privat.

Një ndryshim thelbësor në draftin e ri ka edhe sa I përket ndërhyrjeve të mazhorancës socialiste në deformimin e rezultatit të zgjedhjeve. Bie në sy fakti se për herë të parë BE përmend rrjetet e patronazhimit dhe kërkon marrjen e masave ndaj tyre.

Shqipëria duhet të sigurojë kushte të barabarta loje... të parandalojë keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe të ndikimit institucional, si dhe duke zvogëluar ndikimin e rrjeteve të patronazhit.'

Lidhur me rekomandimet e osbe’odihr per zgjedhjet, ndryshe nga drafti I muajit shkurt ku përdoret një gjuhë e përgjithshme, në draftin e ri kërkohet që  Zbatimi i tyre të bëhet “në kohë dhe në mënyrë efektive duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme lokale'.

Për herë të parë BE sinjalizon ndërgjegjësim për debatin për reformën territoriale në Shqipëri; Po kështu drafti i ri pasqyron shqetësimet në lidhje me tendencat e centralizimit; në dokument kërkohet qartë që 

'Të ruhet ndarja e përgjegjësive midis niveleve të qeverisjes qendrore dhe lokale, duke përfshirë autonominë e qeverisjes lokale.'

Lidhur me sigurinë e gazetarëve, gjuha e dokumentit është ashpërsuar dhe kërkohen në mënyrë specifike "pika kontakti të caktuara brenda Policisë së Shtetit dhe brenda shërbimeve të prokurorisë" për të zbatuar masat e sigurisë së gazetarëve. Drafti i ri ka edhe ndryshime të tjera thelbësore për një sërë cështjesh që nga pronat, minoritetet etj. COELA pritet të mblidhet sërish të premten   dhe në rast marrëveshje për draft-raportin e ri të ndryshuar, dosja përcillet te ambasadorët…”, grupi më i lartë i njohur si Komiteti I përfaqësuesve të Përhershëm.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco