Këlliçi: Raporti i BE fakton shqetësimet e opozitës, qeveria teknike domosdoshmëri për zgjedhje të lira

18:36, 21/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin “TASK FORCE” në SYRI TV me gazetaren Sonila Meço, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se raporti më i fundit i Parlamentit Europian për Shqipërinë reflekton shumicën e shqetësimeve të ngritura prej vitesh nga opozita shqiptare.

Sipas Këlliçit, ndryshimet mes draftit të muajit shkurt dhe raportit final të muajit maj tregojnë një ashpërsim të toneve ndaj qeverisë shqiptare dhe një reflektim të drejtpërdrejtë të problematikave të denoncuara nga PD.

Deputeti demokrat ndaloi veçanërisht tek çështja e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se referencat në raport mbi trajtimin e zyrtarëve të lartë dhe heqjen e imunitetit lidhen drejtpërdrejt me atë që ai e quajti “testi kritik Balluku”, i artikuluar më herët nga eurodeputeti David McAllister.

Këlliçi tha se raporti i ri është “dukshëm më i fortë” se ai i shkurtit dhe se përfituesit realë nuk janë partitë politike, por qytetarët shqiptarë.

 Sipas deputetit të PD-së, raporti trajton gjithashtu çështje si pastrimi i parave, mungesa e transparencës, problemet me pronat në bregdet, sektori i ndërtimit dhe integriteti i Policia e Shtetit.

Këlliçi argumentoi se misionet faktmbledhëse të institucioneve europiane në Tiranë kanë ndikuar në reflektimin e realitetit shqiptar në raport.

“Ne duhet të arrijmë fitoren tonë kapitale për qytetarët shqiptarë: qeverinë teknike”, vijoi Belind Këlliçi.

Këlliçi:

Dhe, në radhë të parë, jo vetëm do japë llogari, po ju duhet të shihni që të gjitha këto ndryshime në raport, bazuar me raportin... me një draft që ka qenë publik në muajin e shkurt, janë të gjitha shqetësimet e ngritura nga Partia Demokratike dhe nga opozita. Pra, këta të gjithë që kanë këtë retorikën edhe me mediat e paguara e të gjitha që PD-ja apo opozita shan në gjuhë të huaj vendin e vet e të tjera, që në fakt opozita dhe Partia Demokratike në krye të saj ka kërkuar me përpikmëri të gjitha këto rekomandime që janë vendosur sot apo fjalë që janë shkruar në raportin që ne jemi njohur para pak.

Kanë qenë kërkesa të drejtuara dhe të thëna shqip nga Partia Demokratike që kanë të bëjnë me demokracinë funksionale në vend, me institucionet e forta në vend, me llogaridhënien e qeverisë në parlament, me faktin që kërkohet transparencë për fondet publike, me goditjen e vjedhjes së zgjedhjeve, dhe me çështjen e drejtësisë së kapur që këtu shkëlqen rasti Balluku. Është përmendur këtë radhë, pa përmendur emrin e Ballukut, por sigurisht kur flasim për keqardhje për vendimmarrje të mëparshme të Kuvendit të Republikës, për heqjen e imunitetit, apo për trajtimin e zyrtarëve të lartë, sigurisht e kanë fjalën për atë që tha kreu i komisionit të jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister në mes të Tiranës 3 muaj më parë, testin kritik Balluku.

Dhe thënë këtë, është një lajm i mirë për qytetarët shqiptarë në radhë të parë, por e dyta është lajm i mirë edhe për të faktuar orientimin pro perëndimor, euroatlantik, pro integrimit europian, të Partisë Demokratike, që e vënë në kushte të tmerrshme trysnie, presioni, goditjeje, linçimi, shpifjeje, baltosjeje, ja ka dalë që me punën e saj permanente, të bëjë të mundur që në këtë ndryshim të këtij raporti që dukshëm është shumë më i fortë (ky raport i muajit maj, ky raport i sotëm, në raport me shkurtin), të përfitojë jo politikisht, jo kapital politik Partia Demokratike, por të përfitojnë qytetarët shqiptarë.

Jo, nuk është ashtu, shikoni se e përmendi pak zonja Zhulali me shumë të drejtë. Kjo ka të bëjë me mbylljen, nuk është puna e hapjes së kapitujve, se kapitujt i kanë hapur edhe vende të tjera prej dekadash. Puna është kur i mbyll kapitujt dhe kushtet që janë vënë përsa i përket mbylljes së kapitujve, kanë të bëjnë pikërisht me shqetësimet themelore që ka opozita sot dhe që ka demokracia në vend. Tani, po ta nisim që nga rasti i Ballukut, hyn tashmë te pikat kyçe për të mbyllur kapitujt, trajtimi i imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Balluku. Po ta shohim te raporti përsa i përket zgjedhjeve, te çështja e zgjedhjeve, për herë të parë përmendet e zeza në të bardhë, përmenden rrjetet e patronazhimit...

Keqpërdorimi i administratës shtetërore dhe i burimeve dhe aseteve publike nga mazhoranca dhe krijimi, përmendet dhe krijimi i terrenit të barabartë për të garuar forcat politike. Tani këtu nuk përfiton kapital politik vetëm PD-ja. Këtu përfiton e gjithë shoqëria shqiptare për atë që në fakt është shndërruar në gangrenën më të madhe në Shqipëri që është mosmbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për herë të parë kërkohet, kusht për të mbyllur grup-kapitujt, është vendosja e një terreni të barabartë mes forcave politike në garë elektorale, pra të bëhen zgjedhje.

Patjetër, duke filluar nga zgjedhjet lokale, duke filluar nga zgjedhjet e vitit 2027, përmendet mungesa e transparencës, përmendet pastrimi i parave, përmendet sektori i ndërtimit, përmenden të gjitha shqetësimet që i ka përmendur opozita për vite e vite me radhë, që në fakt tashmë janë kthyer në instrumenta edhe mekanizma të kontrollit të institucioneve të Bashkimit Europian mbi qeverinë shqiptare, në mënyrë që ne të mos kemi reforma në letër, në mënyrë që të mos kemi një raport siç ka qenë në shkurt që flitej për progres. Pra raporti i shkurtit ka qenë shumë herë më me ngjyra pozitive apo me tone pozitive për qeverinë, për pseudo-reformat, për arritjet e qeverisë në raport me realitetin që është këtu. Sepse duhet të kuptoni, pjesa më e madhe e raporteve bazohen në informacionet zyrtare që çojnë institucionet e shtetit shqiptar. Domethënë duhet të kuptoni paradoksin që ndodh. Prandaj dhe kanë patur misione faktmbledhëse. Prandaj kanë ardhur në Tiranë dhe kur kanë parë realitetin, kur kanë parë dhe shqetësimet e opozitës, sigurisht që kanë reflektuar pjesën dërrmuese të gjithë shqetësimeve tona në këtë raport. Flitet për pronat në bregdet, flitet pra për të gjitha problematikat që ne i kemi ngritur prej vitesh të tëra me radhë.

Harrova dhe një pikë kryesore, se shumë shumë vite me radhë kemi folur dhe vijon të degradojë situata, flitet për integritetin e strukturës së Policisë së Shtetit.

Pra janë të gjitha problematika që ndihmojnë forcimin e kapaciteteve institucionale të vendit, forcimin e institucioneve të vendit, por që këto probleme i ka ngritur vetëm PD-ja, i ka ngritur vetëm opozita. Tani këtu është sprova e zjarrit për Partinë Demokratike. Pra ne në asnjë mënyrë nuk mundet që ta kalojmë këtë situatë sikur është një periudhë muaji mjalti midis një mazhorance që çdo ditë e më shumë ka shtypur opozitën, ka shtypur qytetarët dhe i ka ngushtuar hapësirat qoftë parlamentare apo qoftë në jetën publike opozitës dhe kujtdo force opozitare, dhe nuk duhet që konçesione për hir të një interesi kombëtar siç është integrimi i Shqipërisë në BE t'i bëjë vetëm opozita në këtë vend. Jo, jo, këtu është një moment vendimtar në gjykimin tim, që opozita e Shqipërisë, Partia Demokratike, në momentin që janë faktuar të gjitha shqetësimet e saj, të gjitha pretendimet e saj të ngritura siç është rasti në fjalë, këtu ne do duhet me se s'bën të arrijmë fitoren tonë, që besoj unë do të ishte fitore kapitale për gjithë qytetarët shqiptarë: qeverinë teknike.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco