Më 26 maj do të zhvillohet konferenca e shtatë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, një ngjarje që u prezantua si një hap historik, por që mbart një realitet të ashpër për qeverinë.
Ilda Zhulali, drejtuesja e Departamentit të marrëdhënieve me jashtë në PD, e ftuar në studion e ‘Task Forcë’, u shpreh se raporti i BE-së mbi integrimin e Shqipërisë është shumë i qartë dhe nuk toleron devijime nga kushtet e vendosura.
Ajo theksoi se nëse mazhoranca i vijon imunitetin deputetit Balluku, Bashkimi Europian do të marrë një qëndrim tjetër dhe mund të penalizojë vendin. Zhulali nënvizoi se korrupsioni, pastrimi i parave dhe ndërhyrjet në proceset zgjedhore mbeten pika kryesore të monitorimit nga Brukseli.
Ajo paralajmëroi se çdo moszbatim i reformave të kërkuara rrezikon bllokimin e hapjes së kapitujve dhe rrugës së integrimit. Mesazhi i PD-së është i prerë: Shqipëria duhet të zbatojë kushtet e BE-së, përndryshe rruga drejt anëtarësimit mbetet e mbyllur.
Pjesë nga deklarata:
Po e nis nga fundi. Më 26 maj do të mbahet konferenca e shtatë ndërqeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ku Shqipëria do të bëjë raportin e vet se çfarë reformash ka përmbushur, dhe Bashkimi Europian do të japë qëndrimin e vet, si i ka vlerësuar ato reforma që ka raportuar Shqipëria deri tani dhe cilat janë kushtet që ka Shqipëria përpara, pa të cilat nuk do të vijojë hapja e mbyllja e kapitullit, në këtë grup-kapitulli, pra, për çështjet themelore. Ajo që është e rëndësishme është që të gjitha ato që ne kemi thënë prej kaq muajsh, se çështja e zgjedhjeve, çështja e Ballukut, çështja e korrupsionit dhe çështja e pastrimit të parave ishin pjesë të këtij raporti dhe të shqetësimeve të Bashkimit Europian, tashmë është e vërtetuar. Këto janë pjesët me gjuhën më kritike të këtij qëndrimi të BE-së dhe po ashtu janë kushtet kryesore për Shqipërinë.
Janë kushte për mbylljen e kapitujve. Pra, pa u plotësuar këto kushte nuk do të ketë mbyllje kapitujsh. Madje, në fund të këtij teksti thuhet që për të parë ecurinë se si po zbatohen këto kushte, BE-ja mund të kërkojë një seancë në kohën më të përshtatshme që ta gjykojë ajo. Pra, nuk është se këto do të shikohen pas një viti ose më shumë, por në çdo kohë që BE-ja do të shikojë që ka probleme me moszbatimin, do të thërrasë një seancë të posaçme, pastaj në varësi se si zhvillohet situata këtu. Pra, nëse, për shembull, maxhoranca vijon me këmbënguljen për t'i dhënë imunitet Ballukut, pastaj BE-ja merr tjetër qëndrim.
Për t'jua shpjeguar, për shembull, çështja e imunitetit nuk ka qenë më herët kusht përpara dy vitesh, sepse ne nuk kishim patur një problem lidhur me imunitetin e deputetëve. Por tashmë kjo gjë ka lindur që nga vendimi që mori Parlamenti për çështjen Balluku. Pavarësisht paralajmërimeve të BE-së që Rama mos ta bënte këtë, se përndryshe do të penalizohej, ai e bëri, dhe BE-ja e ka vendosur si kusht që është në monitorim. Pra, ka përsëri një paralajmërim tani me shkrim zyrtarisht nga të 27 vendet anëtare të BE-së, se ky dokument do të marrë vulën e të 27 vendeve. Dhe nëse Rama vazhdon pastaj të ketë të njëjtën sjellje, BE-ja do të marrë vendime të tjera që do të jenë penalizuese për Shqipërinë. Këtë kuptim kanë kushtet për Shqipërinë që janë këtu.
Por mua më bën përshtypje që aty janë gjithashtu të përmendura zgjedhjet, por kanë një gjuhë më të drejtpërdrejtë; përmendet ajo fusha e lojës e pabarabartë ndaj garuesve në zgjedhje që e thoshte edhe OSBE-ODIHR-i. Pra, nuk përmenden ato fjalët e bukura se sa mirë u bënë zgjedhjet këtu, por përmenden problemet; përmendet rrjeti i patronazhimit, përmendet ndikimi që kanë pasur burimet shtetërore dhe strukturat shtetërore në zgjedhje si elementë që bëjnë që zgjedhjet të mos jenë të lira dhe të barabarta. Dhe BE-ja thotë: “Unë po shikoj që ju keni rënë dakord për një komision të përbashkët parlamentar për këtë, po dua të shikoj rezultate konkrete që adresojnë këto probleme.”
Pra, janë specifike këto probleme të përmendura aty dhe këto duhet të adresohen përpara zgjedhjeve të ardhshme vendore, që ne të mos bëjmë përsëri një raund zgjedhjesh. Po, ka kushte edhe për zgjedhjet. Dhe është i përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Po ashtu, ka kusht të përmendur; një nga çështjet më problematike është korrupsioni, për të cilin gjuha është ashpërsuar dhe shikohet si një problem kyç, thelbësor për Shqipërinë, dhe janë të përmendura edhe fushat veçanërisht ku është më i shprehur ky, ato fusha që ne i kemi denoncuar kaq shumë herë bashkë. Dhe bashkë me të, pjesa tjetër që është më kritike lidhet me pastrimin e parave, që përmendet në pjesën dërrmuese të kapitullit që lidhet me drejtësinë dhe sigurinë në Shqipëri.
Kështu që këto janë fushat kryesore të monitorimit të BE-së për Shqipërinë, që përputhen edhe me ato që ka ngritur si shqetësime opozita. Përfshihet edhe jeta parlamentare, mënyra se si zhvillohet jeta parlamentare, mbikëqyrja e ekzekutivit, apo fakti që maxhoranca ka refuzuar të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që për ata sigurisht konsiderohen skandaloze, por BE-ja pret që të mos ketë asnjë mëdyshje nga qeveria shqiptare apo çdo palë politike apo jopolitike në Shqipëri, çfarë ajo konsideron të pranueshme dhe të papranueshme.
Të gjitha ato që kemi dëgjuar gjatë gjithë kësaj kohe, pra që as çështja Balluku nuk përbën problem, as korrupsioni nuk përbën problem, as pastrimi i parave, se këto janë shpikje të opozitës, apo zgjedhjet janë shpikje e opozitës, të gjitha këto tashmë do të jenë në një dokument zyrtar me një gjuhë shumë të ashpër, të drejtpërdrejtë dhe kritike të BE-së, për të cilat ne do të monitorohemi, dhe nëse nuk ndryshojmë sjellje, do të penalizohemi.
Ndryshe nuk ulesh në tryezë të barabartë. Ky është mesazhi.
© SYRI.net