SYRI TV/ Berisha: Rama e përdori teknologjinë për të vjedhur, me AKSHI-n i dha tendera baxhanakut

21:50, 20/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ishte i pranishëm në prezantimin e Departamentit të Inteligjencës Artificiale në Partinë Demokratike. Në fjalën e tij, lideri i opozitës u shpreh se ky departament do të shërbejë për zhvillimin e inteligjencës artificiale kur PD të rikthehet në pushtet, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përdorur teknologjinë për të vjedhur të dhënat personale të qytetarëve dhe paratë e tyre.

Partia Demokratike krijoi departamentin e ri të inteligjencës artificiale, i cili do të shërbejë për ripërtëritjen e strukturave, organizimin dhe komunikimin. Në fjalën e tij, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se me hapjen e këtij departamenti PD do të shfrytëzojë avantazhet e teknologjisë, duke u përgatitur për zbatimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale edhe për kohën kur PD do të qeverisë vendin.

Kreu i opozitës akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj se mashtruan me emërimin e ministres Diella, e cila, siç u provua edhe nga investigimet e ekspertëve të huaj, nuk ka asnjë qelizë të inteligjencës artificiale.

Ndërsa u ndal te potenciali i jashtëzakonshëm që ofron inteligjenca artificiale, lideri i opozitës theksoi nevojën për përgjegjshmërinë e njeriut, e cila është e pazëvendësueshme. Ai akuzoi përsëri kryeministrin Edi Rama se përdori teknologjinë për të vjedhur paratë e qytetarëve shqiptarë dhe të dhënat e tyre personale.

Berisha riktheu në vëmendje arritjet e qeverisë së Partisë Demokratike me projektin për Shqipërinë Dixhitale, ku Shqipëria u bë vendi i parë në botë që përdori platformën digjitale për prokurimet publike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco