Gjatë fjalës së saj, Senada Mehmeti, anëtare e Departamentit të Infrastrukturës, u shpreh se Partia Demokratike nuk është më spektatore e revolucionit teknologjik, por udhëheqëse e tij.
Në takimin e zhvilluar me kryetarin e PD-së Sali Berisha, ku u prezantua Departamenti i Inovacionit dhe Inteligjencës Artificiale, Mehmeti theksoi se hapja e këtij departamenti synon të sjellë transparencë, efikasitet dhe mbrojtje të të dhënave personale të qytetarëve, duke përdorur teknologjitë më të avancuara si blockchain dhe inteligjenca artificiale.
Sipas saj, ky iniciativë ka për qëllim të transformojë jo vetëm funksionimin e brendshëm të partisë, por edhe qasjen e saj ndaj politikës dhe qeverisjes, duke treguar se kush kontrollon dijen dhe teknologjinë, kontrollon të ardhmen.
Fjala e saj:
Përshëndetje doktor Sali Berisha, të nderuar të ftuar. Ne sot nuk hapim thjesht një departament të ri, ne hapim një derë drejt së ardhmes. Në epokën që po jetojmë, inteligjenca artificiale dhe teknologjia nuk është më një luks, por është një betejë dhe një sfidë që po na çon drejt zhvillimit teknologjik, ekonomik, infrastrukturor, arsimor, dhe Partia Demokratike ka vendosur që të mos qëndrojë spektatore e këtij revolucioni teknologjik që po ndodh në mbarë botën, por me vendimin e sotëm ka vendosur ta udhëheqë këtë revolucion.
E dëgjova parafolësen, drejtoren, shumë urime për departamentin. Jam shumë e gëzuar duke e njohur pak edhe sistemin blockchain, se kemi dëgjuar për teknologjitë që janë aplikuar deri tash. Për mënyrën se si thohen teknologji ose thohen databaza, por në të vërtetë kontrollohen pas njerëzve. Kontrollohen, manipulohen, dhe është e frikshme se si vetëm një person i caktuar e di se si e ke emrin, sa fëmijë ke, ku i ke fëmijët, ku e ke shtëpinë, ku e ke shtëpinë e regjistruar, ku e ke hipotekën, a e ke koleduar makinën, s’e ke koleduar makinën.
Pra praktikisht, sa herë ke hyrë jashtë në Shqipëri, sa herë ke dalë nga Shqipëria, kontrollohen çdo etapë të jetës tënde, që nga momenti që ti zgjohesh e deri në momentin që ti fle. Me aplikimin e sistemit të blockchain, të paktën te kjo pjesa e sigurisë dhe të dhënave personale do ta kemi në një farë mënyre mendjen e qetë.
Gjithashtu, është një aplikim shumë i mirë i teknologjisë, pasi ana njerëzore, ana e ekipit njerëzor, e ka të pamundur që një kohë të shkurtër, siç mund të na duhet ne – tashmë kemi hyrë edhe në vitin elektoral – të bëjë shumë procesime. Domethënë, nga ana njerëzore do të kërkonte një volum shumë të madh, ndërkohë që me aplikimin tashmë të inteligjencës artificiale, këto procesime do të shkurtojnë shumë kohë dhe ne do të dalim në disa alternativa, ku në fund sigurisht që ne do ta marrim vendimin, pasi Partia Demokratike ka njerëz me ekip të mrekullueshëm edhe me inteligjencë natyrale.
Kështu që me hapjen e këtij departamenti, jam shumë e lumtur që ekipit të inteligjencës natyrale i është bashkuar edhe puna që do ta kryejë inteligjenca artificiale. Kush kontrollon inteligjencën artificiale, dijen dhe teknologjinë, ka kontrolluar të ardhmen. Urime edhe njëherë dhe faleminderit.
© SYRI.net