Kandidati për postin e Ambasadorit amerikan në Shqipëri, Eric Wendt raporton sot para Senatit

Kandidati për postin e Ambasadorit amerikan në Shqipëri, Eric Wendt raporton sot para Senatit

09:54, 20/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sot, në orën 16:00, i nominuari nga presidenti Donald Trump për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, do të paraqitet përpara Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan, siç e do procedura për konfirmimin e tij.

Gjatë seancës dëgjimore pritet të diskutohen prioritetet dhe objektivat e marrëdhënieve SHBA dhe Shqipërisë, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, si dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Eric Wendt është ish-gjeneral me tre yje i ushtrisë amerikane dhe ish-komandant i forcave speciale të NATO-s, me një karrierë mbi 34-vjeçare në strukturat ushtarake amerikane.

Ai ka mbajtur poste të rëndësishme në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azi, duke u konsideruar një figurë me përvojë të gjerë në çështjet e sigurisë dhe operacioneve ndërkombëtare.

Aktualisht ai është profesor në Naval Postgraduate School, ku ligjëron mbi komandën dhe lidershipin.

Gjatë shërbimit aktiv si gjeneral me tre yje, Wendt ka mbajtur poste të rëndësishme në strukturat e NATO-s në Evropë, përfshirë drejtimin e operacioneve speciale të aleancës. Në këtë rol ai ka bashkëpunuar edhe me forcat speciale shqiptare dhe me drejtues të institucioneve të mbrojtjes në Shqipëri.

Më herët, ai ka shërbyer edhe në Afganistan si zëvendëskomandant rajonal, duke mbikëqyrur operacionet ku ishin të përfshira edhe trupa shqiptare. Një tjetër eksperiencë e rëndësishme në karrierën e tij ishte angazhimi në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku në kuadër të Ambasadës amerikane në Jerusalem drejtoi një koalicion ndërkombëtar për çështje sigurie në Lindjen e Mesme.

Sipas profilit zyrtar të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përvoja shumëvjeçare në drejtimin e strukturave ushtarake dhe ndërinstitucionale, si dhe njohja e çështjeve të sigurisë në Evropë, e bëjnë Wendt një kandidat të kualifikuar për postin e ambasadorit në Shqipëri.

Ai është diplomuar në University of California, Santa Barbara dhe më pas ka përfunduar studimet master në Naval Postgraduate School. Përveç anglishtes, Wendt flet edhe arabisht dhe koreanisht, ndërsa gjatë karrierës është vlerësuar me disa dekorata të larta ushtarake dhe civile amerikane.

Nëse konfirmohet nga Senati, Eric Wendt do të marrë drejtimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë në një periudhë të rëndësishme për partneritetin strategjik mes dy vendeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco