Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj kërcënimeve dhe intimidimit të ushtruar nga ish-zyrtari i lartë Agron Tare ndaj gazetarit të Syri TV, Fatjon Gjinaj, duke e cilësuar ngjarjen një sulm të papranueshëm ndaj lirisë së medias dhe raportimit të pavarur.
Në reagimin e saj, AGSH dënon gjuhën fyese dhe kërcënuese të përdorur ndaj gazetarit teksa ai ishte në krye të detyrës, duke theksuar se presioni ndaj mediave përbën një cenim të rëndë të informimit publik.
Ngjarja ndodhi pas daljes së Agron Tares nga ambientet e SPAK, ku ish-Drejtori i Portit të Durrësit dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Belinda Ballukut ishte paraqitur për disa minuta në Prokurorinë e Posaçme.
Në vend që të jepte shpjegime mbi arsyen e paraqitjes së tij në SPAK dhe dyshimet që lidhen me dosjen e Belinda Ballukut, Tare u përplas me gazetarin e Syri TV, duke e ofenduar dhe kërcënuar pse po e filmonte. Një pjesë e intimidimit është filmuar nga vetë gazetari Fatjon Gjinaj, ndërsa sipas raportimeve, incidenti ka qenë edhe më i rëndë.
Emri i Agron Tares dhe i familjarëve të tij është përmendur prej kohësh në hetimet e SPAK që lidhen me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, ku po hetohen vila dhe pasuri që dyshohet se janë përfituar përmes lidhjeve me pushtetin.
Reagimi i plotë:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon gjuhën kërcënuese dhe intimidimin ndaj gazetarit të SYRI TV, Fatjon Gjinaj, nga ish-funksionari i lartë publik Agron Tare, pas daljes së këtij të fundit nga ambientet e SPAK.
Fyerjet dhe kërcënimet e artikuluara ndaj gazetarit, ndërsa ai ishte duke kryer detyrën e tij profesionale, janë të papranueshme dhe përbëjnë një përpjekje për të ushtruar presion ndaj medias dhe raportimit të lirë.
Gazetarët kanë të drejtë dhe detyrim të raportojnë mbi zhvillime me interes publik, pa u përballur me gjuhë fyese, intimidim apo kërcënime.
© SYRI.net