Me moton ‘Bashkohuni me studentët, të gjithë një zëri’, mijëra student dhe qytetarë shqiptarë nga të gjitha trevat kanë protestuar në Shkup për të drejtat e tyre gjuhësore për të patur mundësi për të dhënë provimet në gjuhën shqipe. Gjatë fjalimeve studentët kanë kërkuar të drejtat e tyre dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, ndërsa i kanë bërë thirrje ministrit të drejtësisë Igor Filkov të japë dorëheqjen. Ata kanë deklaruar se nuk do të ndaliojnë protestat deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të tyre plotësisht legjitime.
SYRI TV
Mijëra studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, kanë protestuar këtë të hënë në Shkup duke kërkuar të drejtat e tyre gjuhësore për të patur mundësi për të dhënë provimet në gjuhën shqipe. Protesta e organizuar me moton ‘Bashkohuni me studentët, të gjithë një zëri’ ka nisur rreth orës 16:30 para Urës së Gurit, ndërsa studentët me thirrjet “O sa mirë me qenë Shqiptar” më pas kanë marshuar drejt Ministrisë së Drejtësisë.
Gjatë fjalimeve të tyre studentët kanë kërkuar të drejtat e tyre dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, ndërsa I kanë bërë thirrje ministrit të drejtësisë Igor Filkov të japë dorëheqjen.
Me pankarta “Ligj në letër, diskriminim në praktikë”, “Gjykata politike e Maqedonisë së Veriut”, “Respekto Ligjin për Gjuhët” dhe “Ligji për gjuhët është i qartë”, studentët kërkojnë që institucionet të respektojnë ligjin e gjuhëve dhe që ligji të mos mbetet thjeshtë në letër, por i njëjti të zbatohet. Gjatë marshimit sipas organizatorëve, 3 studentë janë arrestuar nga policia maqedonase ende në rrethana të paqarta.
Një nga organizatorët e kësaj proteste, Mevlan Ademi, ka raportuar edhe për raste të ndalimeve në pika kufitare dhe ka paralajmëruar reagim nëse nuk ka zgjidhje institucionale, duke paralajmëruar edhe marshim drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në Kumanovë Policia ka ndaluar disa autobusë me protestues nga Tirana, përkatësisht rreth 5 autobusë, ndërkohë nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet.
Kjo është protesta e dytë e organizuar për të njëjtën çështje, pas marshimit të 6 prillit në Shkup ku mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë kërkuan që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
© SYRI.net