SYRI TV/ Rama e Peleshi seancë në 'shtet-rrethim', Kuvendi blindohen me gardh metalik e polici

14:38, 13/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas protestës së javës që shkoi, ku policia ushtroi dhunë të ashpër ndaj protestuesve, këtë të hënë kryeparlamentari Niko Peleshi dhe deputetët socialistë, të drejtuar nga Edi Rama, janë futur në godinën e Kuvendit në shtet-rrethim, me gardh metalik në të gjithë perimetrin dhe forca të shtuara sigurie. Edhe pse nuk kishte asnjë protestë të paralajmëruar, mazhoranca është vetizoluar, pasi edhe opozita ka bojkotuar seancën pas refuzimit të zhvillimit të mocionit me debat dhe interpelancave për të shqyrtuar kërkesat e protestuesve.

Kreu i mazhorancës, Edi Rama, dhe kryeparlamentari Niko Peleshi kanë urdhëruar që seanca parlamentare e kësaj të hëne të mbahet nën masa të rrepta sigurie. Pas protestës së javës së kaluar, policia dhe Garda kanë marrë masa për futjen e godinës së Parlamentit në shtet-rrethim.

I gjithë perimetri ishte i rrethuar me gardh metalik dhe me efektivë policie që qëndronin në gatishmëri në të gjithë hapësirën e oborrit të Kuvendit. Nuk ka ndonjë shpjegim për këto masa të rrepta sigurie, në një kohë që nuk ka pasur as protestë të njoftuar për t'u mbajtur para godinës së Parlamentit.

Edhe opozita ka bojkotuar seancën në shenjë proteste, pasi mazhoranca socialiste refuzon prej kohësh që të dëgjojë kërkesat e qytetarëve protestues. Prej një muaji, deputetët e opozitës kanë kërkuar që në rendin e ditës të futen kërkesat e protestuesve, por mazhoranca ka refuzuar çdo kërkesë, duke sjellë si reagim edhe bojkotin nga ana e opozitës. Pas këtij bojkoti, Partia Socialiste ka vijuar punimet në një seancë në shtet-rrethim e pa opozitën.

Por qeveria jo vetëm që ka frikë nga qytetarët, duke izoluar Kuvendin, por prej disa javësh kryeministri Rama dhe bashkëpunëtorët e tij janë izoluar nga qytetarët edhe në rrjetet sociale. Ata, së fundmi, kanë marrë masa për bllokimin e komenteve të qytetarëve në rrjetet e tyre sociale, duke mos lejuar asnjë koment kundër qeverisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco