E ftuar në një lidhje Skype, në Syri Tv, Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, denoncoi atë që e cilësoi si një tjetër aferë të qeverisë Rama, duke deklaruar se 4.2 milionë euro janë marrë nga fondi i emergjencës për të financuar një koncert privat, në kundërshtim me Kushtetutën dhe në dëm të interesit publik.
Xhixho tha se ministri i Financave kishte garantuar më herët se nuk do të përdorej asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, por sipas saj, akti normativ provoi të kundërtën.
Deputetja e PL-së theksoi se këto miliona duhej të shkonin për spitalet, shkollat, pensionistët dhe familjet në nevojë, ndërsa akuzoi qeverinë se po përdor paratë e taksapaguesve për propagandë dhe "show", duke paralajmëruar se opozita do ta çojë këtë akt normativ në Gjykatën Kushtetuese.
Fjala e saj:
Të jemi të qartë. Unë e kam ngritur këtë çështje muaj më parë edhe në Komisionin e Ekonomisë. Kam pyetur zëvendësministrin e Ekonomisë, sepse kisha të dhëna që do të jepeshin para për këtë koncert nga buxheti i shtetit. Kam pasur një përplasje me ministrin e Financave gjithashtu në seancë, ku i kam kërkuar llogari se sa do të alokoheshin për këtë koncert, sepse, sipas të dhënave që unë disponoja, ishte parashikuar një fond për ndërtimin e stadiumit, si edhe një fond për mbarëvajtjen e të gjithë koncertit.
Dhe më garantua, në mënyrë shumë arrogante, nga ministri i Financave se do të ishin zero para nga buxheti i shtetit për këtë koncert. Kjo u artikulua edhe nga qeveritarë të tjerë, derisa para disa javësh ne u vumë në dijeni të një akti normativ, i cili parashikonte pikërisht dhënien e 4.2 milionë eurove për këtë koncert, për të blerë bileta dhe për t'i dhënë ato falas.
Duhet të kuptojmë një gjë. Së pari, akti normativ, sipas Kushtetutës, nenit 101, parashikon faktin që, në momentin që del një akt normativ nga ana e qeverisë, pra një akt me fuqinë e ligjit, duhet të plotësohen dy kritere: së pari, emergjenca apo nevoja e jashtëzakonshme që duhet të ekzistojë, dhe së dyti, urgjenca. Pra, këto janë dy kushtet që duhet të plotësojë një akt normativ.
Më thoni tani, kush është nevoja dhe urgjenca për një akt normativ që, siç e thatë edhe ju, prek fondin e rezervave të dedikuara për emergjencat? Për zjarret, për tërmetet, për gjendjet e jashtëzakonshme ku mund të ndodhet vendi. Ky fond dedikohet pikërisht për këto raste. Dhe kemi një akt normativ absolutisht antikushtetues. Dhe për çfarë? Për një koncert privat.
Për një koncert, i cili, në fakt, është anuluar nga shumë vende evropiane. Do të duhet ta themi këtë edhe për vetë përfaqësimin e këtij këngëtari. Por, duke i lënë mënjanë këto, është një koncert privat, në fund të ditës.
Atëherë, pse ne, taksapaguesit shqiptarë, duhet të paguajmë 4 milionë euro? Këto 4 milionë euro fare mirë mund të kishin shkuar për shkollën në Astir, ku janë 70 mijë banorë që nuk kanë ende kopsht, shkollë dhe gjithë sistemin arsimor. Pra, ke një gjendje alarmante. Ende në shkollat e Tiranës ke mësim me dy turne. Ke gjithashtu problematika në Sauk dhe vende të tjera.
Këto para mund të kishin shkuar për rregullimin e aparaturave në QSUT apo në spitalet e Shqipërisë. Dhe e dini kush është më ironikja? Sot QSUT-ja, sipas një denoncimi që pashë, ka nxjerrë një kërkesë për donacione nga qytetarët. Domethënë, këtu arrin absurdi i kësaj qeverie.
Pra, pranon që nuk ka aparatura, nuk ka ilaçe, nuk ka akselerator, nuk ka skaner, nuk ka brakiterapi për gratë që vuajnë nga kanceri gjinekologjik, e kështu me radhë. Jemi në një situatë kolapsi të sistemit shëndetësor dhe, në vend që këto para t'i çojmë për sistemin shëndetësor, për pacientët që vuajnë nga kanceri, për ilaçet e tyre, për pajisjet e tjera që u nevojiten për kimioterapi, ne çojmë 4.2 milionë euro. Pse? Për propagandë. Komplet për show.
Edhe ajo fabula që thotë qeveria se do të përfitojmë 100 milionë euro nga ky koncert është komplet mashtrim, siç është konfirmuar edhe nga ekspertët e ekonomisë. Nuk ka asnjë analizë të qartë metodologjike, shkencore apo financiare që të provojë se ne do të përfitonim ato para.
Përkundrazi. Nga ana tjetër, e dimë shumë mirë që kjo qeveri ka mashtruar dhe ka vjedhur në mënyrë spektakolare. Mjafton t'ju kujtoj se 4.2 milionë euro kjo qeveri ka investuar për Kopshtin Eden, vetëm për qejfin e kryeministrit.
Ndërkohë, sipas raportimeve të fundit, jemi ndër vendet në Evropë me më pak shtretër spitalorë. Po flas për shtretër. Pra, duhet të humbasë jetën dikush që të zërë vendin dikush tjetër në spitalet tona. Pas datës 20 nuk bëhen analiza e të tjera me radhë.
Mos flas për tunelin e Llogarasë, ku janë vjedhur rreth 50 milionë euro. Mos flas për inceneratorët. A nuk u tha nga kjo qeveri se do të ndërtonte inceneratorët dhe do ta zgjidhte përfundimisht problemin e mbetjeve në Shqipëri? Ndërkohë u vodhën 430 milionë euro.
Pra, absolutisht që kjo është në vazhdën e filozofisë së kësaj qeverie, e cila nuk jep llogari, që të vetmin synim ka propagandën dhe jo interesin publik. Sepse ato para, në këtë situatë, me pensione të ulëta dhe çmime shumë të larta, duhej të shkonin diku tjetër.
Po ju them edhe statistikën e fundit që doli sot, e cila ishte shumë tronditëse për shpopullimin e vendit. Në 20 vite kemi humbur një të katërtën e popullsisë. Për shkak të uljes së lindjeve. Dhe pse ulen lindjet? Pse çiftet e reja nuk bëjnë fëmijë? Sepse kostoja e jetesës është shumë e lartë.
Për të blerë një apartament në këto kullat pafund që shohim në Tiranë e kudo, edhe goditjet e Prokurorisë së Posaçme vërtetuan atë që opozita e thotë prej vitesh: që Tirana dhe Shqipëria janë kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave. Metri katror ka shkuar nga 2 mijë deri në 5 mijë euro në Tiranë. Dhe normalisht, çiftet e reja, me një pagë 800 euro ose shumë pak nën mesatare, nuk mund ta përballojnë blerjen e një apartamenti. U duhen rreth 60 vite.
Prandaj është ulur edhe lindshmëria dhe mbështetja për çiftet e reja është inekzistente. Ndërkohë, emigracioni është masiv. Dhe kjo ka ndikuar në rënien e popullsisë. Në raportin e fundit ishte dramatike, sepse jemi ndër vendet e para në Evropë për largimin masiv të njerëzve brenda një periudhe kaq të shkurtër, prej 25 vitesh.
Dhe në këtë emergjencë, pa folur pastaj për Albanian Files, një aferë tjetër korruptive, ku tregohet mjaft qartë se si kjo qeveri e trajton si plaçkë gjithë këtë vend. Para se të ndryshohej ligji për zonat e mbrojtura, dy apo tre vite më parë, kishe projekte pafund në Albanian Files që tregonin se si do të zhvillohej Shqipëria.
Pra, si ka mundësi që këta arkitektë ta kenë ditur se do të ndryshonte ligji për zonat e mbrojtura? Ne e kemi kundërshtuar me forcë atë ligj dhe e kemi çuar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Pa dyshim që kanë marrë bekimin e qeverisë dhe të Edi Ramës.
Dhe kjo është filozofia: t'i bësh karshillëk vendit më të varfër në Evropë, njerëzve që mezi mbyllin muajin, që 90% të të ardhurave i çojnë për të përballuar jetesën, pensionistëve që nuk mbulojnë dot as ilaçet, as jetesën, me ato pensione qesharake të kësaj qeverie.
Të flasësh për investime dhe ta thuash këtë me arrogancë, se po bën investim për imazhin e Shqipërisë dhe se turp është për opozitën dhe për të gjithë ata që janë kundër... Po patjetër, turp është kur vjedh popullin më të varfër në Evropë me inceneratorët, me aferat korruptive në check-up, me sterilizimet në mjekësi e kudo tjetër. Nuk është turp të kërkosh llogari dhe, sidomos, të kundërshtosh prekjen e fondit të emergjencës.
Ndërkohë që ai fond fare mirë mund të përdorej për zjarret, për situatat e emergjencës ku mund të ndodhemi në këtë stinë vere apo për familjet e dëmtuara nga tërmeti, të cilat ende nuk janë sistemuar.
Pra, ç'është ky karshillëk i kësaj qeverie, vetëm e vetëm për të vërtetuar edhe një herë se jo vetëm që nuk njeh forcën e sovranit dhe llogaridhënien, por e trajton gjithë Shqipërinë si një plaçkë?
Prandaj, nëse sheh mediat ndërkombëtare, ato nuk janë marrë me koncertin. Janë marrë me absurdin më të madh: se si një koncert privat mund të subvencionohet nga shteti. Ky është lajmi botëror që kemi bërë me këtë koncert.
Dhe e gjithë kjo, edhe nga denoncimet e qytetarëve, por jo vetëm, sipas informacioneve që unë kam, është financuar edhe nga buxheti i shtetit, përfshirë edhe stadiumin, i cili u bë posaçërisht për këtë rast.
Kjo është një indinjatë shumë e madhe. Unë mendoj që opozita do ta kundërshtojë në Gjykatën Kushtetuese dhe ky akt normativ duhet të shfuqizohet, ndërsa ato para t'u kthehen mbrapsht qytetarëve.
Është e paimagjinueshme kjo sjellje dhe kjo vendimmarrje me akte të tilla, të cilat janë antikushtetuese. Si gjithmonë, kjo qeveri ka përdorur akte normative. Ju e dini, ka ndryshuar buxhetin herë pas here duke ardhur me akte normative. Zvogëlon buxhetin e shëndetësisë, rrit buxhetin e rrugëve. E dimë shumë mirë pse: sepse aty ka tendera, aty ka vjedhje e të tjera me radhë.
Ne kemi kërkuar që të gjitha kërkesat e protestës... Pa dyshim që ne e mbështesim protestën. E kemi mbështetur që ditën e parë. Unë jam krenare që vij nga një forcë politike që kauzat që sot u shtruan në protestë i ka ngritur prej kohësh.
Duke filluar nga ndryshimet famëkeqe të vitit 2008 në Kushtetutë, kur presidenti Meta bëri edhe grevë urie pikërisht për ato ndryshime, pasojat e të cilave i vuajmë edhe sot. Mos harrojmë se në atë kohë u ndërtua një Komitet për Mbrojtjen e Kushtetutës.
Sepse goditja që iu bë Kushtetutës me atë vendimmarrje solli atë që kemi sot: nuk kemi kontroll dhe balancë pushtetesh, kemi një forcim të kryetarëve në vendosjen e parlamentarëve dhe një dobësim të rolit të presidentit, si edhe ndryshim të të gjithë shtyllave të shtetit.
Nga ana tjetër, të gjitha kërkesat e protestuesve, duke filluar nga shfuqizimi i ndryshimeve të ligjit për zonat e mbrojtura, i cili u miratua në vitin 2024 dhe që ne e kemi kundërshtuar me forcë, duke e bërë të qartë se ky ligj do t'i hapte rrugë betonizimit të zonave të mbrojtura, siç edhe ndodhi; shfuqizimi i Paketës së Maleve; si edhe ligji për investimet strategjike, për të cilin tashmë kërkesa vjen edhe nga Brukseli, siç u theksua edhe në raportin e fundit të miratuar.
© SYRI.net