10 mijë qytetarë nën hetim për review-t online, Goxhaj depoziton kallëzimin në SPAK për Skënder Hitajn

13:46, 13/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Aktivisti Altin Goxhaj ka depozituar në SPAK një kallëzim penal ndaj drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, duke e akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me hetimin e pretenduar ndaj 10 mijë qytetarëve që kanë bërë komente dhe vlerësime (review) në rrjetet sociale për biznese dhe hotele.

Goxhaj gjatë një deklarate për mediat tha se Policia e Shtetit ka përdorur në mënyrë të paligjshme nenin 143/b të Kodit Penal për “mashtrimet kompjuterike”, ndërsa kërkon hetim për mënyrën se si janë mbledhur të dhënat e këtyre qytetarëve.

Në kallëzimin drejtuar SPAK-ut, Goxhaj kërkon verifikimin e urdhrit të nisjes së procedimit, të dhënave të mbledhura nga Policia e Shtetit dhe çdo komunikimi me platforma si Google apo rrjetet sociale për identifikimin e 10 mijë përdoruesve. Sipas tij, publikimi i review-ve negative, thirrjet për bojkot ekonomik apo shprehja e opinioneve online nuk përbëjnë vepër penale.

Goxhaj akuzon Skënder Hitajn për tejkalim të kompetencave dhe kërkon që SPAK të hetojë nëse veprimet e Policisë kanë cenuar lirinë e shprehjes dhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve.

Pjesë nga deklarta e tij:

Këta, të cilët deshën të na frikësojnë, ranë përsëri në gropën që deshën të na hapnin ne. Këtu do t’ju lexoj një nen që është shumë i rëndësishëm. Është neni 4 i Kodit Penal:

“Askush nuk mund të dënohet penalisht për një vepër që më parë nuk është parashikuar shprehimisht me ligj si krim ose kundërvajtje penale. Askush nuk mund të dënohet me një lloj ose masë dënimi të paparashikuar me ligj.”

Ky është themeli i Kushtetutës dhe i Kodit Penal.

Ne jemi sot përballë një Skënder Hitaj, një drejtor policie, një zyrtar të sistemit, i cili është vendosur aty si shantazhues i Belinda Ballukut ndaj Edi Ramës, siç e kemi deklaruar një muaj para se të bëhej drejtor. Ai guxoi dhe tha se do të ndjekë 10 mijë qytetarë, sepse kanë bërë review në rrjetet sociale, në reklamat apo në njoftimet e hoteleve.

Pikërisht sot jemi këtu për t’u kujtuar të gjithëve se nuk ekziston asnjë nen në Kodin Penal që parashikon hetimin e 10 mijë qytetarëve për këtë arsye.

Kjo është një nga shkeljet më klasike, që të kujton vetëm fjalët e Enver Hoxhës: “Pse, ligjet tona do të na pengojnë neve?”

Në këtë kuptim, unë kam sjellë këtu një fakt, një provë zyrtare, që është dokumenti i Agjencisë së Inteligjencës Financiare të shtetit shqiptar, e cila jep një shpjegim udhëzues zyrtar ligjor se çfarë përbën mbrojtja nga mashtrimet kompjuterike.

Bëhet fjalë për nenin 143/b, të cilin Hitaj pretendon se e kanë shkelur 10 mijë qytetarët.

Në dokumentin zyrtar të publikuar në faqen e qeverisë thuhet se format kryesore të mashtrimit kompjuterik që përfshihen në këtë dispozitë penale janë: mashtrimi phishing, skemat Ponzi, skemat e investimeve me kthime të larta, “pump and dump”, komprometimi i email-it të biznesit, mashtrimet përmes imitimit në rrjetet sociale dhe telekomunikacion, mashtrimet romantike dhe mashtrimet e punësimit.

Në asnjë pjesë të këtij materiali zyrtar nuk përmendet publikimi i review-ve negative, thirrjet për bojkot ekonomik, vlerësimet e koordinuara të bizneseve, reputacioni online i subjekteve private apo çdo formë tjetër e ushtrimit të lirisë së shprehjes përmes publikimit të opinioneve.

Pra, ne jemi këtu përballë një fakti të dokumentuar: nuk ekziston një nen në Kodin Penal që lejon nisjen e një procedimi dhe hetimin e 10 mijë qytetarëve për këtë arsye.

Në një shtet të së drejtës, qytetarët kanë të drejtë të mbështeten në interpretimin zyrtar që vetë administrata publike u jep dispozitave ligjore.

Kur një institucion shtetëror i specializuar shpjegon publikisht se neni 143/b i Kodit Penal lidhet me mashtrimet kompjuterike të natyrës financiare dhe ndërhyrjet në sistemet informatike, ndërsa një autoritet tjetër shtetëror paralajmëron përgjegjësi penale për veprime që nuk përfshihen në këtë interpretim, atëherë lind nevoja për të verifikuar nëse është cenuar parimi i ligjshmërisë dhe sigurisë juridike të qytetarëve.

Dua t’ju kujtoj edhe një çështje tjetër të rëndësishme, që lidhet me shpërdorimin e detyrës, për të cilin kemi ardhur sot këtu për Skënder Hitajn.

Ai pretendon se prokuroria ka nisur hetim edhe për shpifje. Por çfarë thotë ligji shqiptar për shpifjen?

Sipas legjislacionit tonë, prokuroria nuk mund të veprojë në këtë mënyrë. Personi që pretendon se është shpifur ndaj tij duhet të drejtohet në gjykatë, jo në prokurori.

Në gjykatën penale, jo në prokurori. Çështja fillon me palë. Pra, subjekti që pretendon se është dëmtuar nga shpifja duhet të paraqitet në gjykatë, të sjellë provat dhe të nisë procesin gjyqësor.

Kështu e parashikon ligji shqiptar.

Tani kthehemi te fjalia e Enver Hoxhës: “Pse, ligjet tona do të na pengojnë neve?”

Edhe ne, duke u bazuar në ligjet që kemi, kemi paraqitur këto kërkesa për SPAK-un:

Së pari, regjistrimin e këtij kallëzimi penal për shpërdorim detyre ndaj Skënder Hitajt.

Së dyti, fillimin e hetimeve për të verifikuar nëse janë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe çdo vepër tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit.

Kërkojmë gjithashtu:

Sekuestrimin dhe administrimin e procedimit penal, nëse ekziston, të nisur nga Skënder Hitaj ndaj 10 mijë qytetarëve.
Verifikimin e procedurës për identifikimin e këtyre qytetarëve.
Marrjen e çdo kallëzimi të paraqitur nga subjektet private, për të verifikuar bazën ligjore mbi të cilën është nisur procedimi penal.
Administrimin e çdo akti të Policisë së Shtetit mbi bazën e të cilit janë identifikuar mbi 10 mijë llogari.
Verifikimin e çdo kërkese drejtuar platformave digjitale apo subjekteve të tjera për marrjen e të dhënave të përdoruesve.

Kemi të dhëna se mund të jenë kërkuar të dhëna nga rrjetet sociale, Google dhe kompani të tjera teknologjike për qytetarët.

Kërkojmë gjithashtu verifikimin nëse identifikimi dhe analiza e 10 mijë qytetarëve është kryer mbi bazën e një procedure penale të regjistruar dhe në përputhje me garancitë kushtetuese.

Sepse kur ti fillon të mbledhësh të dhënat e njerëzve, ekziston një procedurë ligjore për secilin person.

A kanë këta 10 mijë dokumente për këtë gjë?

Së fundi, kërkojmë verifikimin nëse veprimet e policisë kanë qenë proporcionale, të nevojshme dhe të mbështetura në një bazë të qartë ligjore, apo nëse kanë prodhuar një ndërhyrje të pajustifikuar në lirinë e shprehjes dhe të drejtën e protestës.

Kjo do të thotë se do të hetohen edhe efektivët e policisë dhe oficerët e Policisë Gjyqësore që janë marrë me këtë çështje.

Më pas mund të shtrohet edhe pyetja nga SPAK: A kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal? Ne kemi qëndrimin tonë, por varet nga SPAK-u.

Dhe në fund kërkojmë administrimin, si provë, të deklaratës publike të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe të materialit shpjegues të Agjencisë së Inteligjencës Financiare mbi nenin 143/b të Kodit Penal.

Kjo është përgjigjja jonë. Ai kujtoi se po na frikësonte, por ne sot i sollëm një lopatë që të hapë gropën e vet.

Faleminderit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco