Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij në ‘Foltoren’ para kryeministrisë është shprehur se, opozita është e pamposhtur dhe se ajo qëndron e tillë për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve.
‘Opozita në Shqipëri është opozita më e pamposhtur. Qëndron për të vërtetat e mëdha të kombit, të vërtetat e mëdha të shoqërisë. Qëndron për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve’, tha Berisha.
Ndërkaq ai nuk la pa përmendur dhe dekoratën që Universiteti i Arteve i dha Kristaq Ramës, babait të Edi Ramës.
‘Nuk kishte fyerje dhe poshtërim më të madh për ata studentë, për ata pedagogë artistë të vërtetë se sa dekorimi i skulptorit xhelat, që firmosi në vitin 1988, në prag të rënies së Murit të Berlinit, varjen e një poeti që i thurte vargje lirive dhe të drejtave të shqiptarëve’, theksoi Berisha.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Është gjithnjë nder për mua dhe privilegj t’i adresohem parlamentit të qytetarëve, të flas para jush qytetarë dhe qytetare, demokrate dhe demokratë të nderuar, njerëz me dinjitet, qytetarë që sakrifikoni për të çmuarën që ka njeriun i qytetëruar, për dinjitetin njerëzor.
Avoketër të pamposhtur të të vërtetave.
Asgjë nuk ka më të çmuar njeriun se dinjitetin e tij.
Asgjë nuk përcakton më shumë dinjitetin e tij se sa raporti dhe qëndrimi që ai ka ndaj të vërtetës.
Sot ju, mbarë opozita shqiptare, jeton në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë.
Jeton në një narkodiktaturë apo diktaturë autokratike.
Por në dallim nga një seri diktaturash autokratike tjera, diktatura e Edi Ramës bazohet në miliarderët e drogës, bazohet në kartelet e drogës, bazohet në vjedhjen e miliardave të qytetarëve shqiptarë, bazohet në spastrimin etnik të shqiptarëve, bazohet në dhunën, terrorin, kontrollin policesk të shqiptarëve.
Të gjitha këto nuk kanë mjaftuar të mposhtin opozitën.
Ndaj dhe ju vini sot këtu, ndaj dhe opozita në Shqipëri është opozita më e pamposhtur.
Qëndron për të vërtetat e mëdha të kombit, të vërtetat e mëdha të shoqërisë.
Qëndron për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Qëndron jo vetëm ndaj akteve të terrorit psikologjik dhe politik, arrestimeve të liderëve politikë të opozitës nga bastardi i xhelatëve, i atij që firmosi varjen në litar të Havzi Nelës dhe që e dekoroi para tre ditësh.
Mirënjohje për xhelatin që firmosi të varet poeti.
Nuk kishte fyerje dhe poshtërim më të madh për ata studentë, për ata pedagogë artistë të vërtetë se sa dekorimi i skulptorit xhelat, që firmosi në vitin 1988, në prag të rënies së Murit të Berlinit, varjen e një poeti që i thurte vargje lirive dhe të drejtave të shqiptarëve.
I thurte vargje Kosovës dhe popullit të saj të pushtuar.
© SYRI.net