Nga Grigel Muçollari
Ta shfrytëzosh Shqipërinë për një skenë e një biletë.
Çdo kryeministër kudo në bote duhet të ketë një raport me vendin e tij, jo gjithmonë të drejtë e të ndershëm. Në shumë raste, i mandatuari për të qeverisur merr shumë nga vendi, por në jo pak raste, ai jep dhe kontribuon për vendin e tij.
Tek Edi Rama kemi shembullin se si një Kryeministër merr gjithçka nga vendi për interesat dhe kredon e tij, dhe asgjë anasjelltas.
Mandatin që ka marrë këtu, prej vitesh tanimë ai e ka shndërruar në një mundësi, në një biletë pêr të fituar një skenë për veten e tij. Shpesh duke e paguar këtë me copa nga atdheu.
Për të fituar skenën me Melonin ai lejoi ndërtimin e qendrave për emigrantët në Lezhë, të kontestuara, të dyshuara për shkelje të të drejtave të njeriut.
Fali portin e Durrësit për të pasur një skenë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Heren e fundit që ishte atje, dha 120 mln euro për projektin Smart-City.
E shfrytëzon Shqipërinë për një biletë në Bordin e Paqes, për të krijuar raporte personale me njerëz pranë Trump.
Eshte nëpër forume e ekspozita, tryeza e bankete, si Kryeministër i vendit. Me kosto të mëdha udhëtimi e qëndrimi.
Ne ende nuk e dimë a ka marrë Shqipëria diçka mbrapsht nga udhëtari i shtrenjtë nëpër botë? Por dimë se ai i merr gjithçka këtij vendi, nën tokë e mbi tokë, në bregdet e në male, vetëm për të siguruar një biletë e një skenë për veten e tij.
Zor se do gjesh në botë një raport të tillë të zhdrejtë e të abuzuar mes një vendi e një Kryeministri. Ah po. Qenka nisur për në Seul.
Me shpenzime të larta që i paguajmë ne, populli. Do flasë atje në një forum. Çfarë merr Shqipëria nga kjo? Asgjë. Merr vetëm Edi Rama lavdinë e një skene në anën tjetër të botës.
© SYRI.net