Lajmi i fundit

LIVE/ Kreu i PD, Sali Berisha paraqitet në SPAK

Smart City/ Balliu paralajmëron: Shqipëria nën mbikëqyrje masive, dyfishim kostosh dhe rrezik lidhjesh me Kinën

10:34, 14/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Opozita ka lëshuar akuza të rënda ndaj qeverisë për projektin “Smart City”, duke e cilësuar atë si një arkitekturë të mbikëqyrjes masive me kosto marramendëse dhe lidhje ndërkombëtare thellësisht shqetësuese.

Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, deputeti i PD, Klevis Balliu, u shpreh se opozita akuzon qeverinë për projektin “Smart City” si një arkitekturë të mbikëqyrjes masive me kosto marramendëse dhe lidhje ndërkombëtare thellësisht shqetësuese. Ai bëri me dije se projekti, i financuar me 118.5 milionë dollarë borxh publik, përfshin mbi 2,200 kamera për njohjen automatike të targave, më shumë se 2,600 kamera inteligjente PTZ dhe rreth 3,800 kamera trupore për Policinë e Shtetit, duke krijuar një sistem survejimi në 20 qytetet kryesore të vendit.

Ai kritikoi mungesën e transparencës: kontrata e lidhur pa tender ndërkombëtar, marrëveshja me Presight AI e klasifikuar si “sekrete” dhe dyfishimi i kostos nga 60 në 118.5 milionë dollarë brenda pak muajsh pa argument teknik.

Deputeti paralajmëroi gjithashtu rrezikun ndërkombëtar, duke përmendur shqetësimet e Komisionit të Kongresit Amerikan për lidhjet e G42 me entitete kineze të aparatit ushtarak dhe teknologjik të Pekinit. Balliu theksoi se mungesa e kryeministrit dhe fshehtësia totale e qeverisë rrezikojnë liritë civile, sovranitetin digjital dhe sigurinë kombëtare, duke lënë qytetarët pa përgjigje për administrimin dhe përdorimin e këtyre të dhënave.

Pjesë nga deklarata:

Është bërë disa herë interpelancë që Edi Rama vazhdon të mos jetë në këtë seancë, në këtë sallë, pavarësisht kërkesave për interpelanca. Besoj që duhet t’i kujtoni kryeministrit se çështja e interpelancave nuk është çështje qejfi, por ai ka detyrimin të paraqitet këtu. Gjithsesi, të nderuar kolegë deputetë, po patët mundësi të na dëgjoni, mos bëni zhurmë.

Çështja për të cilën e kemi thirrur kryeministrin ka të bëjë me Smart City-n, i cili nuk është një projekt i zakonshëm infrastrukturor e teknologjik. Nuk po diskutojmë thjesht instalimin e disa kamerave apo modernizimin e instrumentave të sigurisë publike. Sot po trajtojmë një projekt që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë arkitekturën e lirive civile, sigurinë kombëtare, sovranitetin digjital të Republikës së Shqipërisë dhe integritetin e përdorimit të financave publike. Pikërisht për këtë arsye, mungesa e kryeministrit në këtë sallë është politikisht e pajustifikueshme dhe institucionalisht alarmante.

Sepse, kur një qeveri ndërmerr ndërtimin e sistemit më të madh të mbikëqyrjes teknologjike në historinë e vendit; kur ky projekt financohet me 118.5 milionë dollarë borxh publik; kur kontrata lidhet pa garë dhe pa tender ndërkombëtar; kur kostoja dyfishohet brenda pak muajsh pa asnjë argument teknik bindës dhe mbi të rëndojnë dyshime serioze për ndikim të personave nën hetim penal, atëherë kryeministri ka detyrimin kushtetues, moral dhe politik të vijë përpara Kuvendit dhe të japë llogari.

Të nderuar kolegë, është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë ta kuptojnë natyrën reale të këtij projekti. Sipas dokumentacionit zyrtar të paraqitur nga qeveria, projekti Smart City parashikon instalimin e mbi 2,200 kamerave ANPR për identifikimin automatik të targave, mbi 2,600 kamerave PTZ me kapacitete të avancuara të inteligjencës artificiale dhe ndjekje dinamike, rreth 3,800 kamerave trupore për policinë e shtetit, radarëve inteligjentë, sensorëve akustikë dhe krijimin e një infrastrukture të centralizuar monitorimi në 20 qytetet kryesore të Republikës.

Pra, kemi të bëjmë me krijimin e një ekosistemi të integruar survejimi, i cili mbledh, përpunon dhe analizon në kohë reale të dhëna mbi lëvizjet, sjelljen dhe aktivitetin e qytetarëve shqiptarë. Kjo nuk është thjesht teknologji sigurie. Kjo është arkitekturë e mbikëqyrjes masive.

Kamerat ANPR regjistrojnë itinerarin dhe lëvizjet e automjeteve në kohë reale. Kamerat PTZ të pajisura me sisteme inteligjente artificiale kanë kapacitete për ndjekje automatike, analizë sjelljeje dhe profilizim vizual. Kamerat trupore krijojnë databaza të vazhdueshme audiovizive mbi ndërveprimin mes qytetarëve dhe organeve të rendit. Sipas raportimeve publike, objektivi fillestar i instalimit janë shkollat.

Pra, për herë të parë në Shqipëri po ndërtohet një sistem monitorimi inteligjent që prek drejtpërdrejtë edhe të miturit. Pa asnjë debat publik serioz, pa transparencë mbi protokollet e ruajtjes së të dhënave dhe pa garanci të qartë juridike mbi kufijtë e përdorimit të këtij sistemi. Kush i administron këto të dhëna? Ku ruhen serverat? Cili është juridiksioni mbi aksesin? Kush garanton që këto të dhëna nuk përdoren për profilizim politik, social apo ekonomik? Asnjë përgjigje e qartë nuk është dhënë nga qeveria.

Dhe pikërisht këtu fillon problemi thelbësor. Sepse në çdo demokraci funksionale europiane, një projekt me implikim kaq të thellë mbi privatësinë dhe liritë civile do të kërkonte analizë të detajuar të ndikimit mbi të drejtat themelore, mbikëqyrje parlamentare, konsultim me autoritetet e mbrojtjes së të dhënave personale, transparencë të plotë proceduriale dhe standarte jashtëzakonisht rigoroze të sigurisë kibernetike.

Por çfarë kemi parë në Shqipëri? Fshehtësi, centralizim, mungesë gare dhe mungesë totale transparence. Në prill të vitit 2024, ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe firmos në Abu Dabi memorandumin me kompaninë Presight AI, pjesë e grupit G42. Marrëveshja klasifikohet menjëherë si sekrete. Për çfarë? Çfarë kishte sekret? Cili ishte arsyeja e klasifikimit? Çfarë kërkonte të fshihte qeveria nga Kuvendi dhe qytetarët?

Në atë fazë, projekti kishte një kosto rreth 60 milionë dollarë. Më pas, brenda një periudhe pak mujore, ai projekt bëhet plot 118.5 milionë dollarë. Pra, kemi pothuajse një dyfishim të vlerës financiare të projektit pa asnjë argument teknik serioz në relacionin shpjegues të paraqitur në Kuvend. Në çdo standard normal të administrimit publik, vetëm ky fakt do të mjaftonte për auditim të thelluar institucional dhe hetim parlamentar.

Por aspekti më shqetësues i kësaj çështjeje lidhet me kompaninë që po implementon projektin. Presight AI është pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Dhe këtu hyn dimensioni ndërkombëtar i sigurisë. Në janar të vitit 2025, komisioni i Kongresit Amerikan për konkurrencën strategjike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Partisë Komuniste Kineze ngriti publikisht shqetësimin serioz mbi G42 dhe kompanitë e lidhura me të, sepse, sipas dokumentave të Kongresit Amerikan, ekzistojnë indicie të rëndësishme për bashkëpunim të kësaj strukture me entitete kineze të lidhura me aparatin ushtarak dhe teknologjik të survejimit të Republikës Popullore të Kinës.

Madje, janë ngritur shqetësime specifike mbi rrezikun e transferimit të teknologjisë dhe të dhënave drejt strukturave të inteligjencës kineze. Pra, një vend anëtar i NATO-s, si ne, po instalon një sistem të centralizuar survejimi kombëtar përmes një kompanie mbi të cilën vetë institucionet amerikane të sigurisë kanë ngritur alarme strategjike. A është konsultuar NATO?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco