Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se qeveria e Edi Ramës nuk ka legjitimitet dhe se rezistenca ndaj regjimit do të vazhdojë deri në fitoren e opozitës. Gjatë foltores para Kryeministrisë, Berisha theksoi se Edi Ramës nuk i duhet integrimi europian i vendit dhe se qeveria po vjedh miliarda përmes inceneratorëve, tuneleve dhe aeroporteve, ndërsa mbi 600 mijë pensionistë mbijetojnë në skamje dhe mjerim.
Lideri i opozitës deklaroi gjithashtu se qeveria e Edi Ramës është kthyer në një diktaturë të bazuar në vjedhjen e shqiptarëve, drogën, krimin dhe mjerimin e qytetarëve. Gjatë foltores së përjavshme para Kryeministrisë, Berisha theksoi se rezistenca është dëshmi se demokratët dhe qytetarët nuk pajtohen me këtë regjim.
Ai u mblodh për t’i përcjellë mesazhin çdo shqiptari, por edhe çdo qytetari të lirë në Europë dhe në botë, se nuk pajtohen kurrë me këtë regjim, i cili nuk ka asnjë orë legjitimitet.
Nuk pajtohen me këtë regjim, i cili, për të grabitur zgjedhjet, arreston në vitin elektoral dhe për të mbjellë terror lidershipin e opozitës si persona nën hetim. Nuk pajtohen me një narkodiktator që për të mbjellë terror tek qytetarët e tij sjell në kafaz ish-presidentin, ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e parlamentit për t’u treguar shqiptarëve se, kur unë i fus në kafaz këta, juve ju fus të gjallë në varr.
Berisha theksoi se populli opozitar po shkruan një kapitull të ri, pasi nuk mund të pajtohet me një kryeministër që është i aftë të bëjë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij.
Lideri demokrat akuzoi qeverinë se ka varfëruar mbi 600 mijë pensionistë shqiptarë, pasi paratë nuk shkojnë për rritjen e pensioneve, por vidhen përmes aferave dhe tenderave korruptivë.
Berisha akuzoi Edi Ramën edhe për bllokimin e integrimit europian të vendit. Ai theksoi se gjuha dhe veprimet e kryeministrit tregojnë se atij nuk i duhet Evropa, por miliardat.
Lideri i opozitës deklaroi se po bëhemi një shoqëri pa fëmijë dhe të rinj dhe se kjo betejë e opozitës është për ekzistencën e kombit dhe të ardhmen e tij. Ai nënvizoi se nuk mund të pajtohen kurrë me vjedhjen e shqiptarëve dhe me përdorimin e hetimit si mburojë për të mbrojtur interesat e qeverisë dhe të individëve të lidhur me të.
Berisha theksoi se kjo betejë epike do të vazhdojë deri në fitore dhe se shoqëria që nuk mbron fëmijët e vet nuk ka të ardhme. Ai përmendi edhe situatën e pensionistëve, ku mbi gjysëm milioni shqiptarë jetojnë në mjerim për shkak të vjedhjeve dhe rritjes së çmimeve të bukës, qumështit, domates dhe ilaçeve.
© SYRI.net