Që gjatë ditës së djeshme shumë qytetarë janë ankuar se ata nuk mund të aksesojnë E-Albania për të shkarkuar dokumente të thjeshta si një certifikatë personale apo familjare.
Kjo më pas nuk u mundëson atyre të bëjnë aplikime të tjera, si kërkesa për rimbursimin e shpenzimeve për fëmijën përmes DIVA, apo dhe shumë funksione të tjera për të cilat është e nevojshme një certifikatë.
Teksa E-Albania në pjesën më të madhe nuk hapet fare, siç tregohet dhe në foto, nuk mund të aplikojnë për shërbime nga kadastra, kartën e shëndetit, verifikimin e pagimit të sigurimeve nga punëdhënësi etj.
Edhe subjektet ankohen se sistemi self-care me zor punon, ose del jashtë funksioni. Vetëm pak ditë më parë subjektet u përballën me mosfunksionim e platformës “SelfCare”, të cilët bizneset e përdorin për rakordimet e faturave, fiskalizimin e faturave të importit, lëshimin e faturave (për të vetëpunësuarit). Bizneset duhet të bëjnë roje dite e nate, pasi sistemi herë punon e herë jo. Probleme ka dhe me kryerjen e pageseve online për certifikatë fiskale, raportojnë përdoruesit./monitor

© SYRI.net