Partia Demokratike ka vendosur të ndryshojë kursin e saj ndaj medias, duke rikalibruar qëndrimin ndaj asaj që e konsideron një peizazh mediatik të kontrolluar. Ky hap i ri i opozitës, i cili ka shkaktuar reagime të ndryshme, u analizua gjerësisht nga deputetei i PD Besart Xhaferi që ishtë i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, ku argumentoi se lëvizja është një përgjigje e pashmangshme ndaj një situate të konsoliduar prej kohësh.
Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri ai tha se, media shqiptare aktualisht mund të ndahet në tre kategori të dallueshme. Kategoria e parë, sipas tij, përbëhet nga mediat e krijuara dhe të menaxhuara drejtpërdrejt nga vetë qeveria. Kategoria e dytë përfshin mediat klienteliste. Kategoria e tretë dhe më e vogla, sipas Xhaferit, është ajo e mediave dhe gazetarëve të pavarur, të cilët përpiqen të kryejnë detyrën e tyre themelore: të kritikojnë pushtetin. “E mira dhe e keqja e një shoqërie nis pikërisht nga qeverisja,” theksoi ai, duke argumentuar se roli i medias së lirë është të mbikëqyrë ata që qeverisin.
Xhaferi theksoi se kjo situatë e medias është pasqyruar edhe në raportet ndërkombëtare, përfshirë atë të Parlamentit Evropian, duke sinjalizuar një problem serioz për demokracinë. Për opozitën, ky ripozicionim është i nevojshëm për t'iu kundërvënë asaj që përshkruhet si kapje totale e pushtetit të katërt.
Në përfundim, deputeti argumentoi se problemi shkon përtej medias. Sipas tij, pushteti mediatik, më i rëndësishmi në një demokraci, është kapur totalisht nga pushteti ekzekutiv, i cili, për fat të keq, ka arritur të kontrollojë edhe pushtetin legjislativ dhe atë gjyqësor.
Flavio Qarri: Tani, një pjesë e e jona, të paktën e gazetarëve kritikë të këtij vendi, mendojnë se ju jeni të vonuar në këtë qëndrimin e rikalibrimit të pozicionit ndaj mediave. Një pjesë e zërave e kanë konsideruar këtë një hap të gabuar nga ana juaj. Çfarë ju shtyu drejt këtij momenti që duhet thënë nuk është rrufe në qiell të hapur?
Besart Xhaferri: Po tashmë është patjetër konsistenca dhe koha e gjatë në të cilën shikohet ky dirigjim mediatik. Unë personalisht do i ndaja mediat shqiptare në tre kategori. Kategoria e parë është vetë qeveria që ka krijuar mediat e saj, pra duke filluar që nga ERTV-ja e famshme, podkasti, flasim, zyrat po flasim, zyrat e shtypit të çdo dikasteri administrativ në Shqipëri. Pra shikojmë që kur bëhet dhe një pastrim plazhi janë 10 fotografë apo videografë, të cilët më pas e pasqyrojnë këtë në të gjithë opinionin publik. Çdo ministër bën vetë bisedim, pra me me veten e tij, nuk ka asnjë gazetar para. Stili i kasetave, të cilat ju shkojnë pastaj edhe redaksive të mediave të tjera. Kategoria e dytë e mediave, patjetër janë mediat klienteliste ndaj qeverisë, të cilat objektivin kryesor kanë të analizojnë dhe të kritikojnë opozitën, aspak të analizojnë dhe të kritikojnë keqqeverisjen, e cila është para syve tanë. Dhe kategoria e tretë e mediave, që është shumë e pakët, apo dhe gazetarësh të lirë, freelancer, të cilët bëjnë edhe analizat e tyre, janë media të cilat bëjnë detyrën që në fakt është për të kritikuar gjithmonë atë që qeveris, sepse e mira dhe e keqja e një shoqërie nis pikërisht nga qeverisja, nuk nis nga alternativa, e cila denoncon aferat korruptive.
Duke qenë në këtë situatë, e cila më në fund u pasqyrua edhe në raportin e Parlamentit Evropian dhe të gjitha instancave të cilat ne po aplikojmë për t'u integruar, patjetër që është dhe kambana e fundit e alarmit, për të cilën dhe opozita duhet të mbajë qëndrimin e saj për të, siç thatë edhe ju, për të rikalibruar qëndrimin ndaj ndaj këtij formati, sepse nuk mundet që pushteti i katërt, që për mua është më i rëndësishmi në një demokraci, që është pushteti mediatik, të jetë totalisht i kapur nga pushteti ekzekutiv, i cili për fat të keq ka kapur edhe pushtetin legjislativ edhe gjyqësor.
© SYRI.net