Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i ftuar në emisionin “Edicioni i Pasdites” në SYRI TV, deklaroi se Shqipëria nuk funksionon më si një republikë parlamentare kushtetuese, duke ngritur shqetësime për mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe procesit demokratik në vend.
Gjatë bisedës me moderatoren Eneida Ndoci, Mediu u shpreh se, parlamenti ka degjeneruar si në përbërje ashtu edhe në funksionim, ndërsa vendimmarrja për çështje të rëndësishme shtetërore dhe të sigurisë është përqendruar në duart e një individi të vetëm.
Ai theksoi se institucionet kryesore, si Presidenti apo Këshilli i Sigurisë Kombëtare, janë zbehur në rol, duke krijuar një boshllëk institucional.
‘Unë besoj që biem dakord të gjithë, pavarësisht nga krahët politikë që kemi, që ne nuk kemi më një Republikë Parlamentare Kushtetuese. Kjo jo vetëm për faktin se ku ka degjeneruar parlamenti i Shqipërisë, nga pikëpamja e përbërjes, por nga pikëpamja e funksionimit.
Por edhe vetë mënyra e trajtimit të çështjeve të rëndësishme, duke filluar nga ato të cilat janë çështje shtetërore, të sigurisë tonë, kanë ngelur në dorën e një njeriu të vetëm. Institucionet e tjera janë krejt të pavlefshme dhe të parëndësishme.
Duket sikur s'ka as president, s'ka as Këshill të Sigurisë Kombëtare, s'ka as politikë të jashtme, nuk ka as institucione të tjera të sigurisë. Ka vetëm një njeri i cili vendosi çfarë do të bëjë. E njëjta gjë ndodh dhe me politikën e jashtme. Domethënë, linearizimi i politikës sonë të jashtme me Serbinë është një nga gjërat më absurde që mund të ndodhë.
Të paktën për faktin sepse interesat e shqiptarëve në rajon por dhe të Shqipërisë nuk janë të njëjta me interesat e Serbisë. Edhe projekte të ndryshme të cilat janë prezantuar, kanë qenë projekte të cilat jo vetëm në fakt nuk ndihmojnë shqiptarët, por krijojnë një problem shumë më të gjerë për rajonin, po marr këtu Ballkanin e Hapur.
Ballkani i Hapur është një iniciativë i cili krijon më tepër hapësira dhe mundësi penetrimi i Rusisë dhe i Kinës, siç ka ndodhur deri tani. Dhe dua të jap edhe një moment këtu, që domethënë, në vitin 2025, rritja e investimeve private nga Kina është afërsisht 85%. Dhe ne nuk kemi mekanizëm për kontrollin e investimeve e të tjera e të tjera, për të parë vijnë ato apo s'vijnë në kërcënim me sigurinë tonë kombëtare, siç e kanë vendet e Bashkimit Europian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por për të vazhduar te pyetja juaj, domethënë, ajo që është evidente jo vetëm s'kemi demokraci funksionale, por demokracia nënkupton, domethënë, një parlament përfaqësues të qytetarëve, ku qytetarët votojnë, vota të numërohet, zgjedhjet janë të lira e të ndershme dhe nuk ka nevojë t'i qëndroj unë kësaj pike sepse e ka thënë qartë raporti i OSBE/ODIHR-it që kemi njësimin e shtetit me partinë në pushtet, që është njësoj si në kohën e diktaturës.
Kemi intimidim të votuesve, blerje të votave, i cili është një proces manipulativ i ndërtuar në bashkëpunim me qeverisjen. Kemi po ashtu ndërhyrje të krimit të organizuar dhe trafikut për të përcaktuar deputetë në kuvendin e Shqipërisë dhe për të manipuluar zgjedhjet në favor të qeverisë. Kemi përdorimin e të gjithë atributeve që ka ekzekutivi dhe shteti në duart e një partie për t'i përdorur si mekanizëm elektoral.
Po ashtu kemi edhe përdorimin e financave publike nga ana e qeverisë për të blerë vota, siç ishte falja e gjobave, siç ishte po ashtu edhe dhënia e bonuseve për pensionistët e të tjerë. Kjo është një blerje e hapur, domethënë, e votave dhe është një gjë krejt e papranueshme. Dhe për më tepër pastaj, ajo që unë dua të them në këtë situatë që kemi ne, domethënë, me të gjitha faktet të cilat vijnë dhe evidentohen, qartësisht ne kemi pushtet për para dhe para për pushtet dhe nuk kemi pushtet për qytetarët dhe nga qytetarët.’, tha Fatmir Mediu ndër të tjera në SYRI TV.
© SYRI.net