Berisha u shpreh se PD është një parti e hapur dhe nuk mund të merret nga askush, duke theksuar se përpjekjet për të ndikuar apo kontrolluar partinë kanë dështuar.
Berisha komentoi gjithashtu edhe procesin e brendshëm të garës për drejtimin e PD-së dhe debatet për skualifikime apo kundërshtime nga disa kandidatë, duke theksuar se gara brenda partisë, sipas tij, zhvillohet mbi bazën e kritereve të përcaktuara dhe të respektuara në rregullore.
Ai u ndal edhe te rastet konkrete të përmendura në debat publik, duke akuzuar se individë të caktuar nuk kanë vend në garën për drejtimin e partisë për shkak të qëndrimeve dhe sjelljeve të tyre politike, sipas tij në kundërshtim me interesat e PD-së.
Berisha theksoi se Partia Demokratike, sipas tij, nuk do të pranojë kurrë kandidatura që kanë qenë të lidhura me kundërshtarët politikë apo që kanë vepruar kundër saj në fushata elektorale, duke e konsideruar procesin e garës si të bazuar në standarde dhe kritere të qarta.
Politiko.al: A po e çon PD-në drejt gjykatave mungesa e garës brenda partisë duke u nisur nga fakti se kandidatë si Evi Kokalari kanë paralajmëruar padi, ndërsa Ervin Salianji dhe Mereme Sela kanë kundërshtuar publikisht skualifikimin e tyre dhe a rrezikon kjo të minojë besimin tek procesi për kreun e partisë?
Fjala e tij:
PD është parti e hapur, nuk mund ta marrë kush. U përpoqën për ta marrë.
Unë i them portalit se këtë parti, Edi Rama nuk mund ta marrë kush me kandidatura të shtira.
Se Ervin Salianji, e kam shpjeguar dhe e shpjegoj përsëri, u shpall i burgosur politik sepse ishte për kohën që qëndroi në burg, por në burg e shiti veten.
Tani nuk do përsëris problemet e tij se i kam thënë.
Në burg, ai u birësua nga Pëllumb Gjoka dhe Oltion Bistri. Sapo doli, ai ishte në shoqërinë e vazhdueshme të Ergys Agasit.
Dhe, për portalin që pyet, i them, pikërisht momentin kur plasi skandali Balluku, ky filloi xhiron për të sfumuar zhurmën, për të krijuar një vatër tjetër debati.
Dhe njëherë, ata që kanë mbajtur qëndrim, ata që përfaqësojnë pushtetin, lidhjet me pushtetin, ata të cilët kanë qenë kundër PD në fushatë elektorale, ata nuk kanë dhe nuk do kenë vend ndonjëherë në PD.
Nuk e kam këtu për zonjën Sela, nuk e di se nuk e njoh, është hera e parë që ia kisha dëgjuar emrin, dhe natyrisht gara ka disa kritere. Gara për kryetar të PD, kudo në botë, ka kritere dhe në Shqipëri ka kritere.
© SYRI.net