Vokshi: Rezoluta e IDU-së denoncon Ramën për mbrojtje të korrupsionit dhe kapje të institucioneve në Shqipëri

11:57, 02/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në edicionin e lajmeve në Syri TV, me gazetarin Arnold Kariqi, Kryetarja e Lëvizjes së Gruas, Albana Vokshi u shpreh se rezoluta e fundit e miratuar nga Unioni Demokrat Ndërkombëtar (IDU), një aleancë me mbi 80 parti të qendrës së djathtë nga e gjithë bota, përbën një dokument të fortë politik që evidenton, përkeqësimin e gjendjes së demokracisë në Shqipëri dhe kapjen e institucioneve nga qeveria.

Vokshi theksoi se rezoluta e tetë brenda më pak se një viti e gjysmë nuk është rastësi, por një sinjal i qartë i shqetësimit në rritje të partnerëve ndërkombëtarë, duke përmendur në veçanti Partinë Republikane në SHBA, CDU-në gjermane dhe Konservatorët britanikë, të cilët mbështesin vlerësimet kritike të dokumentit ndaj qeverisë Rama.

Pjesë nga deklarata:

Duhet të kemi parasysh që IDU-ja është një bashkim partish, pra Unioni Demokrat Ndërkombëtar, i cili përbëhet nga mbi 80 parti të qendrës së djathtë dhe të djathta. Pra, janë 80 parti, një pjesë në shtete ose në koalicione qeverisëse, të cilat kanë ndikimin dhe zërin e tyre, si dhe përcjelljen e informacionit edhe te qeveritë përkatëse.

Duke pasur parasysh që mund të them, në më pak se një vit e gjysmë, rreth 14 muaj, ne ia kemi dalë që të miratojmë tetë rezoluta. Tetë rezoluta që ngrenë shqetësimin e thellë të të gjithë miqve, të të gjitha partive që janë pjesë e familjes së IDU-së. U diskutua rreth këtyre shqetësimeve. Pra, ju e keni lexuar rezolutën. Keni parë që shqetësimet janë më të thella dhe vazhdojnë që nga rezoluta e parë deri tek rezoluta e tetë. Shqetësimet janë në ngritje, jo në zbritje.

Pra, është aq i madh shqetësimi i 80 partive të IDU-së, dhe këtu përfshihen edhe Partia Republikane që është një nga anëtarët kryesore të IDU-së, konservatorët anglezë, CDU-ja, EPP-ja, Forza Italia. Pra, janë 80 parti, një pjesë e mirë me ndikim shumë të rëndësishëm në Europë por edhe në të gjithë botën, nga të gjitha kontinentet.

Rezoluta është e strukturuar në pesë çështje kryesore, duke nisur që nga mohimi i të drejtës së opozitës në parlament, mosimplementimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke vijuar më tej me nivelin e lartë të korrupsionit, përmendur edhe raportet e fundit të Transparency International që e ul me tre pikë dhe me 11 vende Shqipërinë.

Dhe duke iu referuar edhe mund të themi që për herë të parë referohen edhe raste konkrete në një rezolutë ndërkombëtare të këtyre përmasave, raste konkrete shumë shqetësuese për mbrojtjen që po i bëhet korrupsionit nga ana e Edi Ramës dhe nga ana e qeverisë. Në rezolutë përmendet kryeministri shqiptar për presionin e vazhdueshëm, jo vetëm për mbrojtjen e korrupsionit në rastin e Belinda Ballukut, e cila tashmë të gjithë e dinë që akuzohet të paktën për 19 afera që shkojnë në 1.2 miliard euro, dhe se si Rama urdhëroi deputetët e tij dhe me 82 vota refuzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe për arrestimin e saj.

Të gjithë janë të shtangur, të habitur si mund të ndodhë kjo. Në të gjitha bisedat që kemi bërë, se ka pasur shumë takime të tjera bilaterale zoti Berisha, edhe shumë të tjera përgjatë këtyre tre ditëve, të gjithë të shtangur, si është e mundur të kërkohet heqja e imunitetit, që të lejohet hetimi i paanshëm, kërkesë e bërë nga gjykata, nga Gjykata Speciale me kërkesë të SPAK-ut dhe Edi Rama e bllokon. Qartazi pra, duke mbrojtur korrupsionin. Pse? Sepse janë palë.

Apo përmendet ARRSH-ja, se si shqetësimi i lartë për ARRSH-në, se si ARRSH-ja ka rënë në duart e krimit të organizuar në lidhje me zyrtarë të lartë të qeverisë dhe se si drejtuesit e ARRSH-së tashmë janë të akuzuar me akuza konkrete, janë të akuzuar pra, përveç korrupsionit, abuzimit, edhe për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, i cili ka kryer të paktën dy pengmarrje.

Janë në rezolutë, nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë që të miratohen rezoluta me të tilla shqetësime. Kemi kaluar rezoluta të tjera, disa rezoluta të tjera dje, asnjëra në këtë nivel, ju siguroj.

Përmendet pjesa e krimit të organizuar, influenca që ka në kabinetin qeveritar, influenca sepse ky është një shqetësim edhe jo vetëm për Shqipërinë tashmë, pastrimi i parave të krimit të organizuar që ka kapur shumë segmente të qeverisë, të policisë, të drejtësisë, që ka kapur zgjedhjet, që menaxhon, kontrollon portet, të gjitha rrugët kryesore në Shqipëri duke bërë përcjelljen e trafikut të drogërave të forta, por edhe eksportin e kanabisit të prodhuar me lejen e Ramës në Shqipëri.

Dhe sigurisht, e gjithë kjo situatë ndodh sepse tashmë Shqipëria, vërtetuar edhe në publikimin e fundit të V-Dem Institute për indeksin e demokracisë, është kualifikuar si një autokraci elektorale. Çfarë është autokracia elektorale? Bëhen zgjedhje, por ato kontrollohen nga partia-shtet. Drejtuesit e opozitës persekutohen, burgosen, arrestohen, siç edhe rezoluta përmend persekutimin që i bëhet në mënyrë të vazhdueshme opozitës, duke përmendur edhe tre liderët e opozitës, zotin Sali Berisha, Ilir Meta dhe Fatmir Mediu.

Rrallë në rezoluta gjen që të përmenden emrat e liderëve të burgosurve apo të arrestuarve politikë, apo të persekutuarve politikë me emra. Kemi kaluar jo më larg se dje edhe rezoluta të tjera, por vetëm në Tanzani përmendej një rezolutë e propozuar nga David McAllister, për të burgosurit politikë në Tanzani, Tundu Lissu është një nga drejtuesit e partive opozitare atje.

Pra, shqetësim për arrestime politike, për burgosje politike, për persekutime politike vetëm në vende të tilla ndodhin.

Rezoluta kërkon që menjëherë të punohet për rikthimin e demokracisë, për rikthimin e pluralizmit dhe mbështet udhëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, mbështet anëtarësimin e Shqipërisë dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane, por merit-based, pra bazuar në meritokraci, dhe siç e thekson rezoluta, pa shmangur asnjërin prej standardeve që duhet përmbushur.

Kjo është shumë e rëndësishme, u diskutua edhe dje në Komitetin Ekzekutiv të IDU-së. Çdo vend i Ballkanit Perëndimor apo vende të tjera jashtë Ballkanit Perëndimor, që aderojnë për të qenë pjesë e familjes evropiane, duhet të përmbushin standardet. Nuk mund të ketë shortcuts. Nuk mund të ketë propozime si ai që bëri Rama-Vuçiç në gazetën gjermane, që të përfitojë nga tregu i përbashkët, të përfitojë nga lëvizja e njerëzve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco