SYRI TV/ Raporti i DAP: Kemi rritur ndjekësit në rrjete sociale, asnjë fjalë për patronazhimin...

15:50, 01/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Departamenti i Administratës Publike e shikon si sukses rritjen e ndjekësve virtualë në Instagram, LinkedIn dhe Facebook, ndërsa nuk shikon problematika reale për administratën. Në raportin e dorëzuar së fundmi në Parlament, DAP thotë se nuk ka asnjë problematikë, përveç dëmshpërblimit të punonjësve të larguar nga puna. Në raport, DAP nuk thotë asnjë fjalë për kritikat dhe gjetjen e OSBE-ODIHR se administrata është e mbushur me patronazhistë të PS dhe se qeveria, përmes presionit, përdori administratën në zgjedhje.

Syri TV

Departamenti i Administratës Publike, struktura që menaxhon dhe mbron interesat e zyrtarëve shtetërorë, rendit si një ndër sukseset kryesore të punës së saj gjatë vitit 2025 rritjen e numrit të ndjekësve në rrjete sociale. Në një administratë të mbushur me patronazhistë të Partisë Socialiste dhe të mbështetur kryesisht në propagandën vizuale, natyrisht që shtimi i atyre që vizitojnë online Facebook-un dhe Instagramin e DAP-it shënohet si arritje e rëndësishme.

“Gjatë këtij viti është rritur ndjeshëm ndërveprimi i publikut me përmbajtjet e institucionit në rrjetet sociale. Numri i ndjekësve në platformën LinkedIn është dyfishuar krahasuar me një vit më parë, duke arritur në rreth 14 mijë ndjekës. Në Facebook, faqja zyrtare numëron mbi 21 mijë ndjekës dhe mbi 92 mijë persona e kanë vizituar drejtpërdrejt këtë faqe përgjatë gjithë vitit. Ndërkohë, në Instagram vërehet një rritje graduale e audiencës, me rreth 2 mijë ndjekës aktivë”, thuhet në raportin e dorëzuar së fundmi në Parlament.

Pas këtij suksesi dhe disa të tjerave, të cilat ua atribuon atyre që i konsideron si zhvillime pozitive të politikave të qeverisë dhe kryeministrit, DAP-i rendit një problematikë të vetme, e cila lidhet me pagesën e zyrtarëve të shkarkuar nga detyra. Departamenti i Administratës Publike thotë se është një problem i mbartur fakti që nuk është gjetur ende një zgjidhje se si duhen trajtuar vendimet gjyqësore të formës së prerë.

DAP-i thotë se problematikë është konstatuar lidhur me ato vendime gjyqësore të formës së prerë, të cilat vendosin detyrimin për rikthimin në detyrë të zyrtarit dhe pagimin e pagës nga momenti i largimit/lirimit nga detyra deri në momentin e rikthimit, por që pas shumë viteve gjykimi në Gjykatën e Lartë vendoset prishja e vendimit të gjykatës së apelit apo të shkallës së parë, duke u rrëzuar padia ose duke u kthyer për rigjykim.

Ndërkohë që kjo situatë përbën problematikë në aspektin financiar, Departamenti i Administratës Publike nuk tregon asnjë reflektim mbi gjetjet thelbësore të raportit të OSBE-ODIHR për politizimin dhe përfshirjen e gjerë të administratës publike në zgjedhjet e vitit 2025 në favor të Partisë Socialiste. Përkundrazi, raporti thotë se DAP-i ka dhënë kontributin e tij, duke e vendosur administratën publike në një trajektore të qartë drejt përmbushjes së kërkesave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco