Gazetarja Ambrozia Meta flet për përballjet me Ramën: S’mund t’u jepet pasuria e shqiptarëve oligarkëve

Gazetarja Ambrozia Meta flet për përballjet me Ramën: S’mund t’u jepet pasuria e shqiptarëve oligarkëve

22:38, 23/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetarja e Syri Tv, Ambrozia Meta ka dhënë detaje nga puna gazetareske në terren, mbi të gjitha në përballjen e saj me qeverinë socialiste dhe sidomos kryeministrin Edi Rama, duke hedhur dritë mbi përplasjet që ndodhin sapo fiken kamerat.

E ftuar në ‘A Show’ në Syri Tv nën moderimin e Adi Krastës, gazetarja Meta ka rrëfyer se përballja me kreun e qeverisë nuk është çështje pasioni apo protagonizmi, por një detyrim karakterial për të kërkuar të vërtetën pa iu nënshtruar frikës.

Një nga zanafillat kryesore të këtij konflikti të hapur është çështja e ishullit të Sazanit, tregoi ndër të tjera gazetarja Ambrozia Meta.

Ndërkohë që qytetarëve shqiptarë u mohohet qasja dhe gëzimi i kësaj pasurie kombëtare theksoi ajo, qeveria e trajton atë si një pazar politik, duke u hapur dyert oligarkëve vendas dhe investitorëve të huaj.

E indinjuar rreth këtij skandali, gazetarja tha se ky investim po përdoret thjesht si një mjet për blerje influence.

Kryeministri, në përpjekje për të minimizuar figurën e saj gjatë përballjeve publike, u shpreh Meta, ka përdorur shpesh sarkazmën duke aluduar se pyetjet e saj janë të diktuara nga pronarët e medias.

E vërteta për gazetaren është krejt ndryshe nga ajo që përpiqet të ‘shesë’ Rama, duke shtuar se gëzon një liri të plotë editoriale, falë një bashkëpunimi të ngushtë dhe të bazuar në respekt me drejtuesit e saj, të cilëve që në fillim u ka vendosur kushtin e panegociueshëm për të mos i ndërhyrë asnjëherë në pyetjet që drejton.

Ka të bëjë komplet me karakterin edhe jo me faktin që shumë njerëz e lexojnë sikur unë e kam pasion gazetarinë. Në fakt nuk e ndjej sikur e kam pasion, e bëj siç do bëja çdo punë ku di unë, domethënë me një lloj ndershmërie, me një lloj përkushtimi ose siç duhet bërë. Pra nëse marr një punë do ta bëj mirë, por nuk është që kur shkoj pyes, jam aq këmbëngulëse se kam pasion, se e dua gazetarinë, se e shoh si mision dhe e romantizoj gazetarinë. E bëj sepse e kam pjesë të karakterit. Nëse debatojmë bashkë, nëse kam një... dua të të nxjerr diçka, dua të të pyes për diçka, do ngulmoj njësoj siç bëj me ata.

Kështu bëj me kolegët në punë, kështu bëj me njerëzit e tjerë dhe nuk është se kur shkoj atje dhe mendoj: kam përballë Ramën, kam përballë Berishën. Kur shkoj atje, mendoj që duhet të bëj një pyetje për Sazanin. E kam pasur fiksim Sazanin. Edhe që në fillim ka qenë si gjëja që ndoshta më ka thyer ose më ka zhgënjyer në profesion, se në kohën kur plasi atëherë skandali, më saktë informacionet që ata do vinin do investonin, nuk kishte shumë njerëz që flisnin dhe nuk kishte shumë njerëz që e perceptonin si një pazar politik që Rama po bënte, atë që po perceptojnë sot, atë për të cilën po kërkojnë llogari sot.

Mua më vinte inat. Edhe thosha si e perceptojnë këta njerëz që të vijnë të shtrihet në Sazan Granelli me Bleona Qeretin, me Ivankën, me Ramën, edhe shqiptarët u mohohet kjo pasuri... po ishte ideja që si mundet një pasuri e shqiptarëve për llogaritë e Edi Ramës t'u jepet oligarkëve vendas dhe personave të huaj të cilët bëjnë një investim në emër të pushtetit politik dhe të faktit që janë në Shtëpinë e Bardhë, dhe shqiptarët mos të reagojnë. Pra më vinte shumë inat dhe kisha mëri, nuk është se ndihesha si e mundur. Thosha pse më bën vetëm mua përshtypje kjo? Pse nuk u duket këtyre që Rama po blen influencë me këtë? Mirë njerëzit, po opozitës? Pra, thjesht kisha shumë inat.

Jo nuk ka vrapuar, po në momentin kur janë fikur kamerat e hoqa atë maskën se deri në atë moment ishte po e përmbante veten edhe erdhi drejt meje dhe më tha që je e përjashtuar përgjithmonë, dhe ai doli jashtë për t'u qetësuar. Ai doli jashtë për t'u qetësuar, unë u qetësova dhe u shqyeja që më përjashtoi se isha duke kaluar ndërkohë një luftë civile me trupin tim, edhe nuk po mendoja shumë për luftën me regjimin në atë kohë, dhe kur doli në korridor pastaj ai filloi prapë të fliste, të thoshte që nuk do vish më në kryeministri, je e përjashtuar. Unë ndërkohë vazhdoja dhe unë e kisha humbur atë qetësinë që kam në ekran dhe i thosha që si nuk e keni kuptuar që kjo nuk është... domethënë unë këtë gjë nuk e bëj për televizionin, nuk e bëj për Syrin, e bëj sepse vërtet kam bindjen time që kur dal dhe të pyes, kam të drejtën të ngulmoj për një përgjigje dhe jo të marr mjegullën e fjalëve që thotë zakonisht Rama.

Që është inati im më i madh sepse kur Rama fillonte të kanalizonte këtë gjë që sikur unë të jem një person që nuk kam personalitet por kam një pronar, sikur jam një skllav që nuk mendoj, këtë gjë nuk e pranoj dot. Nga asnjë njeri. Nuk e pranoj as nga shefat këtu, as nga drejtuesit këtu me të cilët kam marrëdhënie shumë të mira dhe i kam bashkëpunëtorë. Nuk e kam treguar kurrë ndaj meje domethënë... më kanë respektuar si kolege, nuk kam me ta një... në sensin unë e respektoj dhe e njoh hierarkinë e redaksisë, por nuk pranoj që dikush të më fyejë ose të më kujtojë se... unë mendoj që gazetaria ose kjo puna te Syri ose puna në përgjithësi në gazetari është ajo që më mban jetën gjallë ose ajo për të cilën jetoj.

 Po, po unë nuk kam pasur probleme të tilla te Syri. Unë kam ardhur te Syri me ftesë të Bledian Kokës, që ka qenë bashkëpunëtori im prej gati 9 vitesh, se zakonisht kur shkoj në një vend e zgjedh vendin e punës nga bashkëpunëtorët, se e kam shumë të rëndësishme që të më respektojnë dhe t'i respektoj. Jo të më zhysin në një ambient toksik. Unë nuk arrij të nxjerr... pra nuk mund të punoj dot me disa persona nga gazetaria që ndoshta s'i kam punuar, s'i njoh, po kam dëgjuar për ta që janë arrogantë, që nuk kanë respekt për gazetarët, që i trajtojnë keq nga ana njerëzore. Edhe me Bledin kam bashkëpunuar gjithmonë shumë mirë dhe kur ai më ftoi, e mbaj mend që kemi shkuar bashkë e kemi takuar Çim Pekën.

Unë nuk e mbaj mend kërkesën e dytë që kam bërë, po e mbaj mend shumë mirë kërkesën e parë që ka qenë: nuk dua të më ndërhysh në pyetje. Dhe Çimi, Bejtja, Romiri, që është kryeredaktori, i Bledit, s'e kanë bërë kurrë në këto vite. Dhe pavarësisht se si mund të duket Syri nga jashtë, unë këtu kam ndjerë lirinë më të mundshme që mund të kem si gazetare në Shqipëri. Kështu që unë mund të them jo, për shembull në raste ne zakonisht i konsultojmë kur bëjmë një kronikë dhe ka pasur raste që i kam thënë kryeredaktorit që shiko, kjo nuk është kështu dhe e kemi diskutuar. Kurrë nuk jam imponuar të bëj një kronikë që s'e besoj, të bëj një pyetje, dhe as të më urdhërohet pyetja, apo të marr qoftë edhe një vërejtje më vonë pse e bëra atë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco