'Rama duhet të largohet! 'Tare: Edhe ne që kontribuuam të vinte në pushtet, të gjithë jemi të zhgënjyer

22:35, 23/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Zhgënjimi për keqqeverisjen e Edi Ramës nuk është vetëm i rinisë që prej 24 ditësh ka dalë në shesh dhe kërkon dorëheqjen. Në një intervistë për “A Show’ Auron Tare thotë se shumë prej mbështetësve të dikurshëm të Edi Ramës, ata që kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë për ardhjen në pushtet të Ramës janë të zhgënjyer.

“Në këto 10 vitet e fundit, ne kemi bllokuar çdo dalje në det të mundshme. Dhe ia kemi dhënë bregdetin vetëm 10-15 duarve të cilat po bëjnë çfarë të duan ata, me mbështetjen e parlamentit, me mbështetjen e qeverisë”

"I gjithë sistemi i krijuar këto 30 vjet. I gjithë sistemi politik, mediatik dhe oligarkik, në një farë mënyre duhet të largohet nga punët e Shqipërisë. Pse? Sepse modeli që ne kemi, është një model i mbrapsht"

“Mendoj unë, që jo vetëm ka ardhur koha, por  Rubikoni është kaluar tashmë dhe siç thashë më përpara, o do të kemi një Shqipëri ndryshe, se si është e vështirë ta them. Ose 50 vitet e fundit duhet të shkojmë të kërkojmë një atdhe tjetër, sepse ky atdhe nuk është i joni” theksoi ai.

Pjesë nga intervista

Adi Krasta: Auroni, për ata që praktikisht nuk janë në gjendje ta kuptojnë dimensionin e kësaj që ka ndodhur, me aq sa ti di dhe unë e di që ti di, në qoftë se bregdeti shqiptar konsiderohet, le të themi nga një deri në dhjetë, sa është ndryshimi i pakthyeshëm dhe i parikuperueshëm?

Auron Tare: Mjafton të dalësh në Llogara dhe e shikon çfarë është bërë poshtë. Është e pakthyeshme. Në shumë vende është dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme. Ka dhe diçka tjetër. Unë saktë në fakt sot apo nesër, pasnesër do të botoj një shkrim të shkurtër. Mbi të drejtën romake të vijës bregdetare. Që në Romën antike, që nga i pari, një nga juristët e famshëm romak, Marciani, dhe më vonë në kodin e Justinianit, e drejta e daljes në det ishte garantuar çdo qytetari dhe askush nuk kishte të drejtë, askush, se do të na thotë kush ka pasur të pasur, politikanë e tjerë e tjerë, që dëshironin të kishin një copë bregdet, askush nuk kishte të drejtën sipas ligjit romak, 2000 e kusur vjet, të bllokonte daljen në det të qytetarëve. Edhe të skllevërve përfshirë.

Ndërkohë, 2000 vjet më vonë, këto 10 vitet e fundit, ne kemi bllokuar çdo dalje në det të mundshme. Dhe ia kemi dhënë bregdetin vetëm 10-15 duarve të cilat po bëjnë çfarë të duan ata, me mbështetjen e parlamentit, me mbështetjen e qeverisë. Dhe prandaj kemi këtë lloj revolte kaq të madhe, ku shikojmë tashmë përplasje me policinë, apo dhe ndërhyrje të cilat jo domosdoshmërisht janë ligjore, por të kuptueshme nga zemërata e madhe e njerëzve të cilët kanë 20-30 vjet nuk dalin dot në det të lahen, për shembull siç është rasti i fshatit Nivicë dhe Gjirit të Kakomesë.  Një pjesë e mirë e bregdetit është dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme.

Adi Krasta: Mund të bjerë Rama për këtë çështje? E para. E dyta, e mbështet një kthim të ligjit për korporatën strategjike, të zhvillimit strategjik, të zonave të mbrojtura, të trashëgimisë kulturore, pra një 'back' mbrapç, pothuajse shëndetësim të situatës ligjore në këtë rast, për dëmin e madh që ka bërë parlamenti dhe ti ke shumë të drejtë për këtë. Dhe njëkohësisht, jep për një moratorium shëndetësues, autokontrolli, që 20 vjet qeveria o qeveritë e ardhshme të mos ta prekin fare më. Po vetëm të rregullojnë këtë që është bërë dhe të mos bëjnë ekspansion për tjetërsimin e territoreve dhe bërjen e tyre biznes, turizëm për pak vetë. Si e sheh ti këtë, si e sheh tani reaksionin, jo aksionin?

Auron Tare: Ata njerëz në bulevard, dhe unë kam qenë atje që ditën e dytë, kam shkuar për kureshtje dhe pastaj ditën e tretë dhe në vazhdim, kam qenë gati për natë, me dy-tre mungesa këto ditët e fundit, kam parë që në fakt njerëzit atje, rinia sidomos, nuk është detyrimisht për flamingot apo për Zvërnecin apo për Nartën, por është për të gjitha gjërat bashkë. Pra secili që ka dalë, ka dalë me...

 I gjithë sistemi i krijuar këto 30 vjet. I gjithë sistemi politik, mediatik dhe oligarkik, në një farë mënyre duhet të largohet nga punët e Shqipërisë. Pse? Sepse modeli që ne kemi, është një model i mbrapsht. Është një model i cili ky vend nuk shkon më përpara. Dhe unë mendoj që kjo betejë që po bëhet në bulevard, ose do të sjelli një Shqipëri ndryshe, ose përfundimisht Shqipëria për 50 vitet e ardhshme do të qeveriset nga një grup shumë i vogël njerëzish.

Pse? Sepse është një sistem i ngritur në mënyrë shumë të vështirë për t'u rrëzuar në mënyrë demokratike, në mënyrë konsensuale e tjerë e tjerë. Është një sistem i cili media, oligarkia, biznesi dhe tashmë grupet kriminale me sa dalin nga SPAK-u, janë të gjitha bashkë për të mjelë vendin si një lopë. Dhe po të shikosh, në përgjithësi ndërtuesit e mëdhenj i kanë familjet jashtë, i çojnë kalamajtë jashtë, kurohen vetë jashtë e tjerë e tjerë. Pra, ky moratoriumi apo diçka e tillë është një çështje estetike. Ndërkohë ti ke një pacient i cili po vdes. Dhe ky pacienti, ose do t'i bëhet një ndërhyrje radikale për ta shpëtuar, ose një facelift, nuk ka për t'i dhënë absolutisht asnjë lloj mundësie të jetojë, po do të vdesi me një ndërhyrje estetike.

 Adi Krasta: Kam ndonjë pyetje të fundit Auroni. Ne po ndjekim me, ne po ndjekim me shumë kujdes këtë që po ndodh. Dhe numrat janë kokëfortë shpeshherë. Dhe numrat në shesh janë kokëfortë. Edhe nuk e di nëse kjo është vërtet pika kritike e nervozizmit popullor. Sepse arroganca ka qenë shumë e madhe, por edhe fitorja e narrativave të kryeministrit. Ai ka dy ditë që flet tani në çdo kënd, që ka një mikrofon apo që ka një dalje online.

Flet dhe duket sikur përderisa ka përmendur dhe termin fuck you në Financial Times që është praktikisht e pasjellshme dhe nga pikëpamja gjuhësore, në një sens. Pyetja ime për ty që e njeh edhe rrethin e kryeministrit, e kryeministrin vetë, edhe vetë situatën praktikisht. Ka ardhur momenti që, që ky djalë të largohet, seriozisht tani? Apo mund t'i futemi ne një asaj situate shumë të vështirë që në segmentin e fundit, segmenti i fundit të jetë i gjatë?

 Auro Tare: Shiko, unë para disa ditësh isha me miq të vjetër, që nga vitet 80, të cilët të gjithë ne bashkë kemi shpresuar, kemi mbështetur shumë, kemi kontribuar jashtëzakonisht shumë në ardhjen, në drejtimin e Shqipërisë të zotit Rama. Dhe të gjithë bashkë rreth e qark tavolinës ne jemi shumë të zhgënjyer, secili në atë fushën e vet.

Unë në pjesën e trashëgimisë kulturore. Jam i bindur... Të gjithë ata që ne ishim takuar rastësisht diku, kishim të gjithë zhgënjimin e madh që kontributi ynë, vitet tona të mbështetjes, erdhën në këtë pikë. Pse? Sepse qartësisht ajo rini që është atje, nuk është rini budallaqe, nuk është rini e painformuar, janë çuna dhe goca që kanë udhëtuar, e kanë parë botën, janë europianë.

Dhe si europianë që janë nuk e pranojnë këtë që po ndodh dhe ka ndodhur në Shqipëri. Kështu që mendoj unë, që jo vetëm ka ardhur koha, por  Rubikoni është kaluar tashmë dhe siç thashë më përpara, o do të kemi një Shqipëri ndryshe, se si është e vështirë ta them. Ose 50 vitet e fundit duhet të shkojmë të kërkojmë një atdhe tjetër, sepse ky atdhe nuk është i joni.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco