BalkanInsight: Rama njofton koncertin e Kanye West, pavarësisht shqetësimeve për antisemitizëm

BalkanInsight: Rama njofton koncertin e Kanye West, pavarësisht shqetësimeve për antisemitizëm

20:21, 30/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Fjori Sinoruka-BIRN

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi të enjten se një koncert i Kanye West do të zhvillohet në vend, përmes një videoje të publikuar në Facebook, ku shfaqej reperi kontrovers dhe një mesazh i shkurtër nga Rama: ‘11 korrik në Tiranë.’

Zyra e Kryeministrit tha për BIRN se koncerti nuk do të sponsorizohet nga institucionet shqiptare, por nuk pranoi të shpjegojë promovimin nga ana e kryeministrit të West, i cili ka pasur disa koncerte të anuluara në Evropë dhe Australi për shkak të shqetësimeve lidhur me antisemitizmin.

Ministria e Kulturës shpjegoi se koncerti do të vetëfinancohet nga shitja e biletave, por se një koordinim ndërinstitucional do të ‘lehtësojë’ zhvillimin e tij.

‘Në çdo aspekt, është detyrimi ynë të mirëpresim dhe të lehtësojmë zhvillimin e ngjarjeve të tilla që sjellin përfitime të shumta për turizmin dhe ekonominë’, tha ministria për BIRN.

Ajo shtoi se koncerti ‘do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.’

West, i njohur edhe si Ye, së fundmi u ndalua të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të komenteve antisemitike dhe një kënge që publikoi me titull ‘Heil Hitler’; paraqitja e tij e planifikuar në një festival në Londër u anulua. Një tjetër performancë e planifikuar në turneun e tij evropian, në Chorzów në Poloni muajin e ardhshëm, është anuluar gjithashtu.

Australia gjithashtu i ndaloi hyrjen West-it në vitin 2025.

Sidorela Vatnikaj, një aktiviste për të drejtat e njeriut në Tiranë, kritikoi vendimin për të vijuar me koncertin në Shqipëri.

‘Organizimi i koncertit të tij në Tiranë është një ngjarje shumë problematike sepse… legjitimon një individ që shpesh ka përdorur popullaritetin e tij për të justifikuar dhe lavdëruar nazizmin’, tha Vatnikaj për BIRN.

Isa Myzyraj, kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, tha se ‘është e pakuptueshme pse kryeministri vendos të provokojë njerëzit duke promovuar Kanye West.’

‘Rama është një lider shteti që në janar mbajti një fjalim në Knesset dhe shfaqet si mbështetës i Izraelit dhe, nga ana tjetër, disa muaj më vonë, promovon Kanye West, i cili, për arsye që i dimë të gjithë, ka promovuar jo vetëm antisemitizmin, por edhe udhëheqësin më barbar që ka njohur ndonjëherë njerëzimi (Hitlerin)’, tha Myzyraj për BIRN.

West ka fajësuar çrregullimin e tij bipolar për deklaratat dhe veprimet e tij antisemitike dhe pro-naziste. Ai publikoi një njoftim në The Wall Street Journal për të kërkuar falje dhe për të deklaruar se ‘Unë nuk jam nazist apo antisemit.’ /Reporter.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco