Brahaj: Tensionet Turqi–Izrael janë lojë politike, përplasje ushtarake e pamundur në kushtet aktuale

Brahaj: Tensionet Turqi–Izrael janë lojë politike, përplasje ushtarake e pamundur në kushtet aktuale

19:00, 26/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në “Syri i Botës”, gazetari dhe analisti Sokol Brahaj u shpreh se tensionet dhe retorika e ashpër mes Turqisë dhe Izraelit nuk përbëjnë rrezik real për një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake, por janë kryesisht pjesë e një loje politike dhe gjeostrategjike për konsum të brendshëm dhe ndërkombëtar.

Brahaj u shpreh se, deklaratat e forta nga Ankaraja dhe Tel Avivi shërbejnë më shumë për të forcuar pozicionet politike të liderëve në vendet e tyre, sesa për të reflektuar një përgatitje reale për konflikt.

Ai theksoi se një përplasje frontale mes Turqisë dhe Izraelit është praktikisht e pamundur, duke pasur parasysh rolin e Turqisë si anëtare e NATO-s dhe pozicionin e Izraelit si aleat strategjik i Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme. Sipas Brahajt, këto ekuilibra ndërkombëtarë dhe mekanizmat e sigurisë kolektive e bëjnë të vështirë çdo eskalim në nivel lufte të drejtpërdrejtë.

Megjithatë, ai nuk përjashtoi tensione të vazhdueshme në nivel rajonal, duke përfshirë edhe përdorimin e aktorëve të ndërmjetëm apo “proxy” në zona të ndryshme të Lindjes së Mesme, si një formë ndikimi indirekt mes palëve.

Pjesë nga deklarata:

Nuk e shoh që do të kemi një përplasje mes këtyre, siç e thatë edhe ju. Turqia është anëtare e NATO-s dhe Izraeli është aleat i ngushtë i Amerikës, bile ndoshta edhe më i ngushtë sesa disa anëtarë të NATO-s. Por gjithsesi, neni katër dhe neni pesë i NATO-s nuk besoj se do të lejojnë një gjë të tillë ndaj Izraelit, edhe nëse Izraeli do ta dëshironte.

Nga ana tjetër, nga pikëpamja ushtarake, Izraeli duket se nuk e ka atë forcë për të hyrë në luftë me Turqinë. Por ndoshta mund të përdorë proksit e veta, siç është terrorizmi dhe të tjera, siç ka bërë edhe vite më parë.

Nëse i shohim marrëdhëniet turko-izraelite, duhet të kthehemi shtatë dekada më parë. Turqia është një ndër vendet e para që e ka njohur Izraelin dhe është vendi i parë mysliman, me thonjëza, që ka njohur shtetin hebre, ndërkohë që ende sot ka shumë shtete me shumicë myslimane që nuk e njohin Izraelin si shtet.

Marrëdhëniet turko-izraelite kanë qenë përgjithësisht të mira dhe, nganjëherë, edhe shumë të afërta. Për shembull, në kohën e Ariel Sharonit, ka pasur marrëdhënie dhe premtime të ndryshme, por këto janë ndikuar edhe nga krimet kundër njerëzimit, gjenocidi dhe vrasjet makabre që Izraeli ka kryer ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës.

Në aspektin social, thuhet se gati gjysma e Izraelit ka origjinë turke, jo në kohën e Turqisë moderne, por që nga koha e Osmanllisë.

Pas krijimit të shtetit të Izraelit, marrëdhëniet kanë qenë të mira, deri para rreth dy vite e gjysmë, kur ishin në kulmin e tyre në aspektin ekonomik, kulturor dhe diplomatik. Madje, vetëm një javë para sulmit të Hamasit më 7 tetor, Benjamin Netanyahu dhe Recep Tayyip Erdoğan ishin parashikuar të takoheshin në “Turkish House” në Nju Jork.

Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, marrëdhëniet u përkeqësuan dhe filluan retorikat e ashpra mes dy palëve, veçanërisht nga ana e Erdoganit ndaj Netanyahut dhe qeverisë së tij. Megjithatë, pavarësisht tensioneve dhe akuzave të rënda për krime kundër njerëzimit, marrëdhëniet nuk janë ndërprerë plotësisht.

Ka edhe analistë që thonë se, edhe pse ajo që bën Izraeli është e pafalshme, zëri i Erdoganit është i rëndësishëm jo vetëm për Gazën, por për opinionin ndërkombëtar, pasi ai ngre këto çështje në Kombet e Bashkuara, në samitet e NATO-s dhe të BE-së.

Vitin e kaluar, disa shtete të Bashkimit Evropian njohën pavarësinë e Palestinës, duke reflektuar edhe ndikimin e këtyre zhvillimeve.

Nëse vijmë te tensionet aktuale, ato lidhen me gjeostrategjinë në rajon dhe zonat e influencës së të dy palëve. Zgjerimi i ndikimit të Izraelit në rajon, nga Ngushtica e Hormuzit, Irani, Iraku dhe Siria, deri te fqinjësia me Turqinë, është një faktor i rëndësishëm.

Megjithatë, një konflikt i drejtpërdrejtë mes Turqisë dhe Izraelit e shoh të pamundur, për sa kohë ekziston NATO. Madje NATO po forcon praninë e saj në rajon, përfshirë edhe në zonën e Bosforit, dhe pritet që në samitin e ardhshëm të inaugurohen struktura të reja në Turqi.

Pra, një luftë direkte nuk mendohet, por ekziston mundësia e përdorimit të proksive nga Izraeli, siç janë forcat kurde në Irak dhe Siri.

Në fakt, nëse shohim politikat e Izraelit, që në krijimin e shtetit të tij, ai ka krijuar gjithmonë një koncept të “armikut”, pasi vetë struktura e tij politike dhe historike e ka pasur këtë element. Historikisht, hebrenjtë kanë kaluar persekutime të rënda, përfshirë Holokaustin në Evropë, por kjo nuk ka çuar në ndërtimin e një modeli bashkëjetese gjithëpërfshirëse, por më shumë në një qasje të bazuar te konflikti dhe lufta.

Kur shohim tensionet Izrael–Turqi, ato lidhen edhe me problemet e brendshme politike të të dy vendeve. Nga ana e Izraelit, krimet në Gaza kanë çuar deri në akuza serioze ndërkombëtare, ku edhe kryeministri Benjamin Netanyahu përballet me rrezikun e ndjekjes nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco