Drejtuesja e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në PD, Ilda Zhulali gjatë fjalës së saj në një aktivitet të LGDSH mbi rolin e gruas në politikë, është shprehur se gratë kanë nevojë të dëgjohen.
Sipas Zhulalit, përtej retorikës së fushatave që e trajtojnë kauzën e grave si një “modë”, është thelbësore që programet politike të hartohen nga vetë gratë, pasi ato i njohin më mirë problematikat dhe dinë si t'i komunikojnë ato.
Ky komunikim, thekson ajo, duhet të nisë së pari brenda strukturave të grave në parti, si Lidhja Demokratike e Gruas, për të qenë më të qarta dhe më të fuqishme në kërkesat e tyre.
Apeli i Zhulalit, është për një rishikim të taktikave politike, duke filluar punën për zgjedhjet e ardhshme lokale që tani dhe jo në muajin e fundit të fushatës.
Sipas saj, duhet një qasje proaktive për të identifikuar grupe të caktuara, si mësueset apo edukatoret, pasi ati janë “asete të jashtëzakonshme” për shkak të rrjetit të gjerë të kontakteve që zotërojnë.
‘Koha e fjalëve dhe e premtimeve boshe ka mbaruar’, ndërsa Zhulali shtoi se është momenti që diskutimet të kthehen në angazhime reale, duke filluar nga një riorganizim i brendshëm që do t'u japë grave zërin dhe fuqinë që u takon brenda strukturave partiake.
Të ndryshojmë diçka në strategjinë dhe taktikën tonë politike. Sepse duke bërë të njëjtën gjë, ne nuk ndryshojmë asgjë. Përkundrazi, por nëse ne kemi provuar njëherë një strategji dhe njëherë një tjetër dhe njëherë një tjetër, ne nxjerrim disa mësime nga gabimet që kemi bërë dhe pastaj, ë, ndoshta zbulojmë shtigje dhe rrugë të reja. Për shembull, ne kryesisht jemi fokusuar tek shtresat që janë më të pambrojtura, ë, që janë të lëna në harresë. Në fakt, ajo është shtresa më e shantazhueshme sot në Shqipëri. Mirëpo kemi harruar ajo që është ajo klasa e mesme, që ka një punë është i punësuar. Ne atë e shikojmë si dikë të largët, të palidhur me ne. Dhe unë mendoj që kjo është gabim. Sepse një njeri që sot ka këtë lloj sigurie, pra që është i punësuar, ka një rrogë të mirë, ai mendon më shumë për cilësinë e jetës sesa ai që është i varur vetëm tek paga që merr për të mbijetuar. Dhe ne nuk e kemi shfrytëzuar, mendoj unë, sa duhet këtë si potencial.
Përkundrazi, gabimisht i kemi parë këta njerëz si të lidhur automatikisht dhe vetëm me pushtetin. Dhe kjo është një mënyrë se si ne mund ta provojmë, ta ndryshojmë këtë strategji, por kjo nuk bëhet muajin e fundit të fushatës. Absolutisht jo. Kjo bëhet duke ndërtuar, ne kemi pas një viti zgjedhje të radhës, të zgjedhjeve lokale dhe për këtë duhet ta kishim filluar punën që një vit më parë. Por ende jemi në kohë që gjërat të ndryshojnë, pra që fushata jonë elektorale të nisë tani dhe ne të identifikojmë ato grupe të cilat duhet t'u qasemi medoemos dhe të ndërtojmë ato marrëdhënie të reja për t'i afruar pranë vetes. Pa i ekspozuar, por duke i bërë bashkëpunëtoret tona dhe në fund të ditës, të zgjerojmë edhe elektoratin tonë. Forca e grave.
Gratë kanë një lidhje të çuditshme me njëra-tjetrën. Burrat e kanë më pak kështu për shkak të mënyrës se si ne komunikojmë. Nëse burrat flasin përgjithësisht vetëm për çështjet e mëdha, gratë flasin për përditshmërinë e tyre. Dhe këtë ne duhet ta kthejmë në një avantazh tonin. Ë, për shembull, një edukatore në kopsht është një aset i jashtëzakonshëm që ne nuk e kemi shfrytëzuar. Ajo ka lidhje me sa numra, me sa prindër të tjerë. Ka një numër shumë të madh, mësuesit. Pra janë disa kategori të cilat ne duhet t'i shfrytëzojmë më mirë, t'i afrojmë pranë vetes dhe të kuptojmë duke i, duke i kategorizuar ato si grupe të shënjestruara dhe duke mbajtur kontaktin e përhershëm, edhe për të kuptuar, për të ndërtuar pra një marrëdhënie që është e ndërsjellë, që një enë komunikuese për të dhënë dhe për të marrë dhe kjo të na ndihmojë pastaj për të ndërtuar një strategji edhe më efikase.
Meqenëse doni të dini çfarë duan gratë, i thashë, unë po jua them unë një gjë, duan të dëgjohen, i thashë, se jeni të gjithë burra, keni vetëm një grua në tavolinë dhe nuk doni ta dëgjoni se çfarë duan gratë, i thashë. Faleminderit për të gjithë mendimet që jepni, po nuk mendoj se ju e dini më mirë se sa unë se çfarë do një grua. Kur themi që të ndërtohen programet për gratë, janë që gratë të jenë realisht ato që i hartojnë këto programe, sepse ato e dinë çfarë problemesh kemi, por edhe si t'i komunikojmë këto gjëra. Dhe këtë komunikim, nëse ne duhet të vazhdoj të këmbëngul që këtë komunikim së pari duhet ta kemi të brendshëm edhe ne me njëra-tjetrën, mes vetes, që të jemi më të qarta, të jemi më të strukturuara për çfarë na nevojitet dhe pastaj që të bëjmë ndryshimin më përtej. Për shembull, a mund të themi sot ne, ne jemi anëtare të Lidhjes Demokratike të Gruas. Çfarë i mungon kësaj lidhjeje sot? Çfarë na duhet ne? Që të jemi më të pranishme, më zëshme, më të fuqishme brenda Partisë Demokratike. A jemi ne në gjendje ta bëjmë këtë sot? Nuk e kemi bërë pra deri tani, se ndryshe do t'i kishim ndryshuar gjërat. Pra ka ardhur koha që edhe kur flasim, edhe kur themi që duhet në fakt këtë ta kthejmë në një angazhim konkret sot.
© SYRI.net