Gjatë vizitës së tij të fundit në Peshkopi, Edi Rama ka vijuar propagandën për modernizimin e bujqësisë dhe integrimin në tregun europian. Por “harron” që ai është kryeministër prej 14 vitesh dhe çdo vit përsërit të njëjtin mashtrim, “bashkimin e fermerëve” dhe që për shkak të tij sektori bujqësor sot në Shqipëri është thuajse i falimentuar.
Në planin analitik, një nga dështimet kryesore lidhet me mungesën e konsolidimit të fermave. Fragmentarizimi i tokës bujqësore mbetet i lartë, duke e bërë të vështirë rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë. Edhe pse retorika për “bashkimin e fermerëve” është e pranishme prej vitit 2013, në praktikë nuk janë krijuar mekanizma efektivë që të nxisin kooperimin real apo krijimin e strukturave të qëndrueshme të prodhimit dhe shpërndarjes.
LEXO EDHE: Krizë në bujqësi/ Fermerët në Fier drejt falimentit: Çmimi i kastravecit përgjysmohet
Një tjetër element që propaganda e Edi Ramës nuk e mbulon dot është bllokimi i fondeve nga Bashkimi Europian përmes programit IPARD. Vjedhja dhe keqmenaxhimi të këtyre fondeve kanë çuar në pezullimin e tyre, duke privuar fermerët dhe agrobizneset nga një burim jetik financimi. Kjo jo vetëm që ngadalëson investimet në teknologji dhe infrastrukturë, por dëmton edhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë tek Shqipëria.
Në të njëjtën kohë, trendi i boshatisjes së fshatit është bërë alarmant. Migrimi i brendshëm dhe ai jashtë vendit kanë reduktuar ndjeshëm fuqinë punëtore në zonat rurale. Të rinjtë nuk e shohin më bujqësinë si një sektor me të ardhme, për shkak të fitimeve të ulëta, mungesës së subvencioneve të qëndrueshme dhe pasigurisë në treg. Sot për shkak të qeverisë së Edi Ramës fermeri shqiptar e pagaun çmimin e naftës për të punuar tokën njëlloj me çdo qytetar tjetër që del xhiro me automjetin e tij për qejf.
LEXO EDHE: Qepët mbeten pa treg në Maliq/ Fermerët hedhin prodhimin: Po punojmë kot
Politikat tregtare gjithashtu kanë krijuar tension. Janë me qindra kronikat e përditshme ku fermerët ankohen për favorizimin e importeve, të cilat hyjnë në treg me çmime më të ulëta, duke konkurruar drejtpërdrejt prodhimin vendas. Në mungesë të një strategjie mbrojtëse apo mbështetëse për prodhuesit lokalë, shumë prej tyre përballen me stok të pashitur dhe humbje financiare.
Ankesat për prodhime që mbeten në ara apo magazina janë bërë të zakonshme. Kjo lidhet jo vetëm me mungesën e tregjeve të organizuara, por edhe me zinxhirin e dobët të grumbullimit dhe shpërndarjes. Infrastruktura e dobët, mungesa e frigoriferëve, standardeve dhe kontratave të sigurta me blerësit e mëdhenj e përkeqësojnë situatën.
LEXO EDHE: Bujqësia dhe industria në recesion të gjatë, me rënie edhe në 2025-n
Pra, edhe pse kryeministri mendon që fermerët mund t’i mashtrojë si të dojë ai, me deklarata propagandistike për akses në tregun europian, nuk ka njeri që nuk di t’i dallojë se ato nuk kanë asnjë lidhje me faktet dhe realitetin e përditshmë në fermat shqiptare.
Pa standardizim të prodhimit, certifikime dhe mbështetje të qëndrueshme, shumica e fermerëve shqiptarë e kanë të vështirë të përmbushin kërkesat e tregut të BE-së, dhe për këtë vetë qeveria shqiptare në dokumentet që i dërgon BE-së kur diskuton grupkapitujt i shprehet se, “duam 10-20 vjet kohë të arrijmë standardet europiane”.
Sfidat e bujqësisë shqiptare nuk janë thjesht çështje komunikimi politik, por probleme të thella strukturore që kërkojnë reforma të mirëfillta, transparencë në menaxhimin e fondeve dhe politika që vendosin fermerin në qendër të zhvillimit rural, gjë të cilën Edi Rama dhe qeveria e tij nuk ka patur kurrë synim ta bëjë për 14 vite me radhë. Sot fermerët shqiptarë janë të privuar nga fondet e BE prej rreth 3 vitesh për shkak të kësaj qeverie. Pa llogaritur këtu që tashmë i gjithë procesi i integrimit është bllokuar për shkak të korrupsionit qeveritar dhe pengimit të drjetësisë nga kryeministri për çështjen Balluku.
© SYRI.net