Ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ku fyente shqiptarët, duke i cilësuar ato si zhgënjyese dhe të papranueshme. Ai kërkoi reagim dhe sqarim urgjent nga Tirana zyrtare, ndërsa i bëri thirrje Hoxhës të kërkojë falje publike për fjalorin ofendues ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Reagimi i ministrit Durmishi:
Zhgënjyes dhe i papranueshëm fjalori i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Ferit Hoxha, i cili i quan shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë”. Presim reagim dhe sqarim urgjent nga Tirana zyrtare, ndërsa Ministri Hoxha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e bëra. Kjo lloj gjuhe shkel çdo kodeks etik e profesional dhe është skandaloze për një përfaqësues shteti. I kujtojmë z. Hoxha se e ka obligim kushtetues të kujdeset për bashkëkombasit e vet që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj nga projekti i dashur i Tiranës zyrtare Open Balkan, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar. Në të njëjtën kohë, zhgënjen edhe heshtja e ambasadorit shqiptar në Shkup, z. Denion Meidani, i cili në vend se të reagojë ndaj fjalorit të tillë, ka zgjedhur ta bëjë zëdhënësin e disa partive politike në Maqedoninë e Veriut.
© SYRI.net