Monolog nga Ori Nebiaj për Piranjat
Unë jam 40 vjeç.
Dhe dua t’i vë një emër brezit tim.
Ka pasur brez të luftës, brez të humbur, brez tranzicioni…
Ne jemi ky i fundit.
Por ne, nuk mund ët quhemi ‘brez tranzicioni’
Sepse kur zgjat 35 vjet, nuk është më tranzicion.
Është destinacion.
Është gjendja jonë e përhershme.
Ne u rritëm me prindër që besonin te barazia.
Barazia e detyruar: ku askush nuk kishte gjë, por të paktën të gjithë kishin njësoj pak.
Pastaj erdhi liria.
Dhe bashkë me lirinë erdhi edhe zbulimi tronditës: prona private ekziston… por jo për ne.
Sepse e vetmja gjë që e kaloi tranzicionin pa u lodhur ishte prona, e cila, me një shkop magjik, ndryshoi duar.
Ne pamë si pronat e gjyshërve tanë u bënë resorte për ata që s'kishin as gjyshër, as rrënjë.
Shumica prej nesh nisëm nga zero.
Dhe ndërtuam.
Madje, ende po ndërtojmë.
Punojmë për shkollën e fëmijëve.
Punojmë për të mbajtur prindërit që po plaken.
Për veten, thuajse kurrë.
Ne, jetën do ta shijojmë në të shtatëdhjetat.
Nëse i arrijmë të shtatëdhjetat.
Sepse studimet thonë se mund të jemi brezi i parë që do të jetojë më pak se prindërit e vet.
Ndërkohë, ne bëjmë shkollë tre herë.
Sepse tregu ka vendosur që çdo pesë vjet duhet të bëhesh njeri tjetër.
Kështu që bëjmë një master.
Pastaj edhe një master tjetër.
Pastaj edhe një.
Edhe shkolla, si tranzicioni, për ne nuk mbaron kurrë.
Me njëqind mastera që jashtë nuk t’i njeh askush, ndërsa këtu varet kë njeh.
Dhe, ndërsa bën shkollën tënde për herë të dytë,
çdo darkë ulesh pranë fëmijës tënd për t’i bërë detyrat e matematikës,
sepse fillorja ka ndryshuar aq shumë, sa ti nuk e kupton më sistemin që vetë ke votuar të reformohet.
Ne jemi shërbëtorët e dy brezave:
atij që po ikën, e që na thotë: ‘gjithë shpresën e kishim tek ju’,
dhe atij që po vjen, që na pyet: ‘Çfarë prone do më lësh?’
Të dy kanë të drejtë.
Dhe të dy na fajësojnë.
Ne jemi brezi i parë shqiptar që u rrit këtu,
por shpërtheu jashtë kufijve.
U shkolluam këtu, por emrin e bëmë atje.
Shkollën e bëmë shqip,
por talentin na e vlerësuan në gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe anglisht.
Ne jemi brez tranzitor jo vetëm në ekonomi,
por edhe në vlera.
Me një këmbë në botën e vjetër, ku respektohej plaku,
dhe një këmbë në botën e re, ku respektohet influenceri.
Dhe ne qëndrojmë mu në mes:
me një dinjitet të lodhur që ende refuzon të ulet.
Brezi ynë ia ka zili brezit të humbur… sepse të jesh ‘brez i humbur’ është luks.
Të paktën nuk e di ku je.
Ne nuk jemi të humbur.
Ne e dimë saktësisht ku jemi:
ne jemi në pritje.
Kemi harxhuar dy dekada duke besuar se puna të bën njeri,
për të kuptuar sot se, këtu, punën e ndershme nuk e vlerëson askush, ajo thjesht të plak më shpejt.
Jo jo, ne nuk jemi të humbur.
Ne, jemi të konsumuar.
Jemi karburanti që dogji veten për të mbajtur ndezur një motor
që nuk na çoi askund.
Megjithatë…
mund të ngushëllohemi me at që shkruante një filozof shqiptar para shumë vitesh:
‘bota, është e atyre që digjen.’
© SYRI.net