Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në një postim në rrjetet sociale ka denoncuar gjendjen e rënduar të Unazës së Burrelit, duke e cilësuar atë si një shembull të dështimit të investimeve publike.
Ai thekson se, ndonëse projekti u promovua nga kryeministri si një arritje e rëndësishme infrastrukturore vetëm pak muaj më parë, sot segmenti rrugor i ndërtuar me një kosto prej 1.2 milionë eurosh është dëmtuar dhe degraduar në disa pjesë.
Sipas Këlliçit, mungesa e ndërhyrjes dhe e përgjegjësisë institucionale për këtë situatë tregon një model të përsëritur qeverisjeje, ku fondet publike shpenzohen pa garantuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e investimeve, ndërsa qytetarët përballen me pasojat.
Deklarata e plotë:
Nga fundi i tetorit të vitit të kaluar, Edi Rama mburrej se po përfundonte Unaza e Burrelit dhe nxori foto nga punimet e nga gjithë shtresat, e nga transformimi i madh.
3 muaj më pas Unaza që kushtoi 1.2 milionë euro u shemb në disa vende. Sot, ajo ka degraduar edhe më shumë. Asnjë ndërhyrje, asnjë masë, asnjë përgjegjësi.
Hera e fundit që kryeministri u lidh me këtë projekt ishte për propagandë. Nuk ndjehet më, edhe pse sot fotot e pamjet tregojnë degradimin.
Njësoj si ky rast, është e gjithë qeverisja e rilindjes. Fondet jepen, merren, ndahen, punët nuk bëhen, qytetarët lihen pastaj në fatin e tyre.
© SYRI.net