Pacientët shqiptarë që vuajnë nga sëmundje të rënda përballen me një sërë barrierash burokratike që rrezikojnë seriozisht shëndetin e tyre. Protokollet e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor shpeshherë janë në kundërshtim me nevojat mjekësore dhe evidencat shkencore, duke detyruar mjekët dhe pacientët të ndjekin rrugë të gjata dhe joefikase për të siguruar mjekimin e duhur.
Një nga shembujt më flagrantë të këtij problemi lidhet me trajtimin e sëmundjeve autoimune.
I ftuar mëngjesin e sotëm në 'Kafe Shqeto' Dëfrim Goma, Kreu i Urdhrit të Farmacistëve tha se pas protokollit aktual të Fondit, një pacient mund ta marrë një bar specifik vetëm për një periudhë trevjeçare.
Pas kësaj kohe, mjekimi ndërpritet në mënyrë arbitrare, duke shkaktuar një përkeqësim të menjëhershëm të simptomave. Sipas tij, pacienti më pas detyrohet të rinisë nga e para një proces të stërgjatë me telefonata, takime dhe kërkesa për t’u rifutur në skemën e rimbursimit.
Një tjetër praktikë e pakuptimtë është detyrimi që specialistët të nisin "zinxhirin e mjekimit" me barna më të lira dhe jo domosdoshmërisht më efikase.
Goma tha se për të arritur te bari që profesori e gjykon si më të përshtatshmin, duhet të kalojë një periudhë prej një apo dy vitesh duke përdorur një medikament alternativ. Këto protokolle, të cilësuara si "të çuditshme" dhe të pabazuara në asnjë provë shkencore, detyrojnë mjekët të lëshojnë dy receta: njëra formale për të ndjekur rregullat e Fondit dhe tjetra me rekomandimin e vërtetë për pacientin.
Deklarata në studio:
"Të jap një shembull praktik, po. Që një pacient që të marri një bar të caktuar, për një sëmundje autoimune për shembull, me protokollin e fondit e merr vetëm për tre vite. Tre vite ke të drejtë ta marrësh atë barin dhe pas tre vitesh të ndërpritet.
Pacientit sigurisht që simptomat i përkeqësohen dhe fillojnë ato telefonatat, takimet, kërkesat që të rifutet edhe një herë.
Apo raste të tjera kur përsëri për shkak të këtyre protokolleve të çuditshme do të thoja unë, të pabazuara në asnjë protokoll shkencor të vërtetë, i detyron specialistët që të japin dy receta.
Pra, një recetë që të fillojë atë zinxhirin e mjekimit me barin më të lirë dhe pastaj që të arrijë tek bari pra që mendon profesori që është më i efektshëm, ose specialisti, do të kalojnë një vit, dy vite. Dhe çfarë ndodh?
Ai thotë, merre këtë rekomandimin formalisht, çoje në mjekun e familjes dhe në farmaci, ndërkohë që barnat që do të përdorësh janë të tjera. Pra, do të arrish aty tek ai bari që unë mendoj se të jep edhe efekt.
Raste konkrete, domethënë, që të arrish tek një hollues gjaku, e keni parasysh është, është, përmendet vazhdimisht, Xarelto: Duhet të fillosh me Sintrom. Fillimisht mjeku thotë, jo. Të rimbursohet Sintromi. Ti nuk e merr dot direkt Sarelton, sepse duhet të merresh me rekomandime.
© SYRI.net