Athina zyrtare ka përgënjeshtruar deklaratat e Kryeministrit Rama, i cili gjatë forumit të Delfit pretendoi se brenda këtij viti, të dyja vendet do të zgjidhin çështjet e mbetura pezull mes tyre.
Gazeta greke Protothema ka cituar burime diplomatike greke, sipas të cilave nuk ekziston ndonjë dokument konkret për zgjidhjen e çështjeve të hapura mes dy vendeve, përfshirë marrëveshjen e detit.
SYRI TV
Athina zyrtare është distancuar nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili pretendoi se Shqipëria dhe Greqia do të zgjidhin brenda vitit të gjitha çështjet dypalëshe mes tyre. Një ditë më parë, gjatë forumit të Delfit, Kryeministri Rama po ashtu foli për negociata të avancuara mes palëve për marrëveshjen e detit.
Por deklaratat e Ramës janë përgënjeshtruar nga gazeta greke Protothema, e cila duke cituar një burim të lartë diplomatik grek, shkruan se nuk ekziston asnjë dokument zyrtar në Ministrinë e Jashtme greke për zgjidhjen e çështjeve të hapura mes 2 vendeve.
Athina mban distancë të qartë nga deklaratat e Edi Ramës lidhur me pretendimet për negociata të avancuara për përcaktimin e kufijve detarë me Greqinë, duke përgënjeshtruar në thelb idenë për një marrëveshje të afërt dhe për dërgimin e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në Ministrinë e Jashtme të Greqisë theksohet se diskutimet për kufizimin detar janë çështje e vjetër, por duke qenë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bllokuar procesin, është pala shqiptare ajo që duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të ndryshuar këtë situatë.
I njëjti burim nënvizon se marrëveshja me Shqipërinë nuk është më ndër prioritetet kryesore të diplomacisë greke, sidomos pas marrëveshjeve që Greqia ka arritur me vende të tjera si Italia, si dhe pas zgjerimit të ujërave territoriale në Detin Jon.
Strategjia e Athinës përqendrohet në zgjidhjen e përgjithshme të çështjeve dypalëshe, por aktualisht askush nuk konfirmon se gjatë vitit 2026 do të ketë progres konkret, siç pretendohet nga pala shqiptare.
Nga pala greke theksohet gjithashtu se nuk ekziston ndonjë dokument konkret për zgjidhjen e çështjeve të hapura mes dy vendeve, ndryshe nga sa deklaroi Rama gjatë Forumit të Delfit.
Gjatë vizitës së fundit në Greqi, Kryeministri Rama modifikoi shumë nga qëndrimet e tij ndaj fqinjit jugor, marrëdhëniet me të cilin u acaruan pas burgosjes dhe dënimit të kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. Rama arriti deri aty sa gjatë një interviste në forumin e Delfit, ta paraqiste Belerin si një viktimë të sistemit të ashpër të paraburgimit në Shqipëri, ndërkohë që ishte investuar personalisht për ta mbajtur atë pas hekurave duke përdorur fillimisht policinë e shtetit dhe më pas të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë.
Rama hoqi dorë nga retorika tallëse e viteve të fundit, duke e cilësuar Greqinë si partner strategjik të Shqipërisë, në një përpjekje për të zbutur qëndrimin e Athinës zyrtare, e cila është pjesë e grupit të vendeve të Bashkimit Europian që kanë bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë.
Gazeta greke “To Vima” bëri me dije një ditë më parë se kryeministri Mitsotakis, i ka bërë të qartë Edi Ramës se nuk do ketë integrimin në BE për Shqipërinë, pa përmbushjen e reformave dhe zgjidhjen e çështjeve të ngelura pezull mes dy vendeve.
© SYRI.net