Mungesa e medikamenteve, mosfunksionimi i pajisjeve për Onkologjikun dhe përballja e mungesës së analizave laboratorëve pas datës 20 të çdo muaji, ishin disa prej çështje që u ngritën nga opozita në interpelancën e kërkuar me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala. Deputetët e opozitës Bardh Spahia, Erisa Xhixho dhe Kliti Hoti ngritën një sërë çështjesh me të cilat përballet sot sistemi shëndetësor në vend, ndërkohë që ministrja Sala mohoi pretendimet e tyre, madje duke thënë se nuk ka mungesë ilaçesh dhe rritje të çmimit të tyre
SYRI TV
Ndërprerja e analizave laboratorike për pacientët në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mungesa e barnave dhe pajisjeve mjekësore për trajtimin e sëmundjeve të rënda apo dhe rritja e çmimit të ilaçeve, ishin në fokus të interpelancës së zhvilluar në Kuvend mes deputetëve të opozitës, Bardh Spahia, Erisa Xhixho e Kliti Hoti me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala. Deputetët e opozitës e cilësuan situatën në shëndetësi si tepër alarmante, ndërkohë që sipas tyre, ata që po e vuajnë të gjithë këtë situatë janë qytetarët shqiptarë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe akuzave të deputetëve të opozitës, Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala pranoi faktin se pas datës 20 të çdo muaji nuk kryhen më analiza në spitale, duke thënë se gjithçka bëhet me selektivitet. Por ajo që u duk më absurde, ishte deklarata e ministres Sala, e cila mohoi faktin që të ketë mungesë barnash në QSUT
Në fund të interpelancës deputetët e opozitës, edhe një herë përsëritën faktin që sipas tyre, ministrja e shëndetësisë dhe qeveria duket se jetojnë në një realitet tjetër dhe jo atë shqiptar, ndërsa shtuan se problemet e shëndetit të qytetarëve shqiptarë nuk zgjidhen me propagandë, por kërkojnë plane konkrete
© SYRI.net