Seanca plenare në Kuvend u shoqërua me debate dhe tensione të forta mes deputetit të PD Luciano Boçi dhe kryeparlamentarit Niko Peleshi.
Shkak i përplasjeve u bë mohimi i të drejtës për replikë ndaj Boçit, pasi ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro prezantoi projektligjin për Agjencinë e Arsimit. Deputeti i PD kërkoi fjalën për t’iu përgjigjur deklaratave të ministres, por nuk u lejua nga drejtuesi i seancës, çka çoi në tensione dhe bllokim të foltores në shenjë proteste.
Edhe pas dy tentativave për të marrë fjalën, Boçi u urdhërua të lironte foltoren nga Peleshi, me argumentin se kishte folur më herët, pa u marrë parasysh kërkesa për replikë. Situata u përshkallëzua më tej, kur kryeparlamentari kërkoi përjashtimin e tij nga salla.
Reagimi i deputetëve të opozitës ishte i menjëhershëm. Ata e cilësuan vendimin si shkelje të rregullores dhe të Kushtetutës, duke kujtuar edhe vendimet e Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë lidhur me përjashtimet e deputetëve.
Në shenjë proteste, në emër të grupit parlamentar të PD, deputeti Belind Këlliçi njoftoi braktisjen e seancës.
‘U bë e disata herë që gjeni gjithçka për të prishur seancën kur ka diskutime thelbësore dhe me rëndësi për qytetarët. Kemi nisur punën që në 10. Ka pasuri diskutime me shumë vlerë nga të gjithë deputetët. Ajo që ndodhi me Luçiano Boçin është totalisht absurde vetëm se kërkoi të replikonte me ministren e Arsimit.
E vetmja mënyrë për të prishur seancën ishte të gjendej një mënyrë për të tensionuar opozitën dhe për të ndaluar seancën. Unë e kuptoj se nuk do të ktheheni mbrapsht por është e patolerueshme. Në pamundësinë për të reflektuar për një masë të panevojshme, nuk mund të pretëndoni të ketë normalitet’, tha Këlliçi.
Seanca u braktis gjithashtu edhe nga deputetët e Partia e Lirisë.
© SYRI.net