Shqipëria e fundit në rajon për barnat inovative, deputeti i PD: Pacientët lihen në mëshirë të fatit

Shqipëria e fundit në rajon për barnat inovative, deputeti i PD: Pacientët lihen në mëshirë të fatit

13:36, 23/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një fjalim të ashpër në Kuvendin e Shqipërisë, Kliti Hoti deputet i Partisë Demokratike, ka denoncuar gjendjen alarmante të sistemit shëndetësor, duke e cilësuar atë si të dështuar në përgjigjen ndaj nevojave themelore të pacientëve, veçanërisht atyre me sëmundje onkologjike.

Duke u bazuar në një interpelancë të kërkuar prej më shumë se dy muajsh, deputeti solli në vëmendje një realitet të hidhur ku pacientët paguajnë nga xhepi, familjet përballen me diagnoza të rënda dhe sistemi shpesh nuk arrin të ofrojë zgjidhje. Ai theksoi se Shqipëria renditet e fundit në rajon për aksesin në barnat inovative, ku nga 160 produkte të miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA), vetëm 5 janë të disponueshme për pacientët shqiptarë.

Për të ilustruar krizën, deputeti ndau disa histori personale tronditëse. Ai foli për shoqen e tij nga Shkodra, e diagnostikuar me kancer gjiri, së cilës iu mohua trajtimi për shkak të mungesës së barnave dhe u detyrua të shkonte për kurim në Itali, duke shpenzuar gjithçka kishte. “Janë rreth 27 gra dhe nëna vetëm në një spital në Itali,” theksoi ai.

Sipas deputetit, problemet janë të thella dhe sistemike. Financimi për shëndetësinë është vetëm 2.85% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, një shifër shumë më e ulët se vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut (461 dollarë për person) dhe Mali i Zi (864 dollarë për person), krahasuar me 350 dollarët e Shqipërisë. Si pasojë, 59% e kostove shëndetësore mbulohen direkt nga xhepat e qytetarëve.

Në fund të fjalës së tij, deputeti i drejtoi pyetje direkte ministres së Shëndetësisë, duke kërkuar përgjigje konkrete se kur do të krijohet regjistri i kancerit dhe cila është strategjia për decentralizimin e shërbimeve onkologjike në të gjithë vendin.

Kliti Hoti: Marr fjalën sot për me paraqit një interpelancë për gjendjen e sistemit shëndetësor në Shqipëri, të mbështetur në raport progresin e Komisionit Europian të nëntor 2025 dhe në të dhënat zyrtare për periudhën 2021-2026.

Këtë interpelancë e kam kërkuar 2.5 muaj përpara. Dhe mendova që të ishte për onkologjinë edhe për barnat që mungoshin në onkologji. Por kjo nuk do të thotë se nuk janë të rëndësishme kardiologjia, neurologjia, hematologjia, pneumologjia, nefrologjia, hepatologjia, endokrinologjia, që unë, kam shumë për me thënë. Dhe po e bëj këtu publikisht që mbas tre javëve, kaq është interpelanca normale, zoti Peleshi, do t'i kërkoj ministres që të jenë për kardiologji, neurologji, pneumologji. Besoj këto të trija. Pastaj do bëjmë një interpelancë dhe mbas tre javësh për, për pjesën tjetër. Thjesht për të treguar që duhet për të zgjidhur shumë probleme.

Tani, po përtej këtyre të dhënave dhe shifrave, dua të flas për një realitet që prek drejtpërdrejtë qytetarët. Pacientët që paguajnë nga xhepi, familjet që përballen me diagnoza të rënda, të onkologjisë, dhe një sistem që shpesh nuk arrin me i dhënë përgjigjen e duhur.

Ka 14 vite kjo situatë. Ka 14 vite që thuhen dhe kërkohen të njëjtat gjëra. Por do të doja më shumë me fol me atë qytetarin e thjeshtë që nuk ka zgjidhje dhe nuk merr. Dhe këtë jam duke e bërë realisht për atë qytetarin e thjeshtë. Do të doja të më kuptonte ai 50%-shi, ne themi 49, ju thoni 51, që voton Partinë Socialiste dhe nuk e kupton që e kanë marrë peng. Do të doja të më kuptonte pra ai qytetari i thjeshtë, që nuk është prioritet i kësaj maxhorance, të paktën në këta 14 vitet e fundit.

Pas çdo shifre që unë e përmend sot, ka një qytetar që paguan nga xhepi, një familje që përballet me një diagnozë të onkologjisë dhe një pacient që pret. Unë dua me fol për njerëz. Dua me fol për shoqen time nga Shkodra që është diagnostikuar me kancerin e gjirit dhe ju komunikua që trajtimi është i disponueshëm. Në momentin kur u paraqit për te filluar terapinë, barnat mungoshin. U detyrua për me shku në Itali, me shpenzuar gjithçka çfarë kishte, për me u trajtuar në Itali. Janë rreth 27 vajza, gra, nëna, te një spital në Itali. Për efekt konfidencialitetit, nuk ka kuptim emri i spitalit. Tre janë nga Shkodra, njëra shoqja ime. Dua me fol për pacientin e moshuar nga Shkodra me kancer prostate, me stad të avancuar, me metastaza në kockë, që pas një ndërhyrje kirurgjikale, ju kufizua lëvizshmëria dhe detyrohet për me u paraqit në Tiranë për me marrë recetën. A e kuptoni? Ky është një absurditet. Është tamam absurditet. Dhe unë duhet me hy mik me thënë që nuk ka nevojë me ardhë fizikisht. Du me fol për kushëririn e mikut tim që pret për me i siguruar produktin për hepatitin C për stadin e katërt. Nuk e di çfarë duhet me i thënë. Është i shtati në radhë. A e kuptoni? Është i shtati në radhë. Është skandaloze. Pra, është duke pritur radhën. Shpresojmë që të të jenë gjallë, të mbijetojnë deri në atë moment. Është skandaloze. Du me fol për pacientin me SPOK. Çfarë është SPOK-u? Sindromi obstruktiv pulmonar kronik, stadi i katërt. Pacienti është me oksigjen dhe i kërkohet për me ardhë me rinovuar terapinë në Tiranë se ndoshta është shëndoshur. Nuk dua me fol për statinat se do po vjen ndoshta edhe momenti për me folur. Dhe këto nuk janë raste të izoluara, janë tregues të qartë të një sistemi që në shumë raste nuk arrin tu përgjigjetr nevojave reale të pacientëve.

Dua me dal te financimi. 2.85% e prodhimit të brendshëm bruto. Ne paguajmë rreth 350 dollar për person në vit. Maqedonia, 461 dollar. Bëni diferencën. Mali i Zi, që e themi ne i vogël, 864 dollar për person në vit. Diferenca pra është shumë e konsiderueshme…

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco